
Cikël me poezi nga vëllimi poetic “Hojet e vargut”
Autor: Jaup Zenuni
Zëri i vendlindjes
Vendlindja ime me pyje të lartë,
Korije të mbushura me manushaqe.
Për ty më djeg një mall i zjarrtë
Dhe loti i ngrohtë rrëshket në faqe.
Mbi flatrat e mallit nis e fluturoj
Dhe ulem në vatrat aq të ngrohta.
Njerëzit e mirë fort i përqafoj,
Më ftojnë të pi me ta ca gota.
Më ftojnë t’ja marrim bashkë këngës
Isoja në oda të zjejë e buças,
Më ftojnë në shesh nën dritën e hënës,
Të flasim pa egjër me buzën në gaz
Tani që jam larg e rrallë më sheh,
E ndjej çdo ditë mungesën tënde.
Mbi re ëndërrash shpirtin e ngre,
Dhe e nis tek ti si një motiv kënge.
Zëri yt çdo ditë më thërret e thërret:
-Eja bir, eja tek trualli që të rriti!
-Eja se nëna me shumë mall të pret,
Me musht dashurie ëndërrat gostiti!
Këtu janë të parët, këtu janë rrënjët,
Tek plisat dhe balta e kësaj toke.
Këtu mësova kujet dhe këngët,
Këtu tek prehri dhe magjia jote.
02.03.2025
Një foshnjë erdhi në jetë
Këtë mëngjes të murrëm me shi,
Në një dhomë në maternitet,
Gëzoi një nënë, erdhi një fëmijë,
Me të qara thirri: -Erdha, o jetë!
Gëzuan njerëz, kodra dhe male,
Në qytet rrugët thanë: -Mirë se erdhe!
U çelën nga gëzimi fushat e ugaret.
Lumturuan shqiponjat lart në çerdhe.
Pleqtë uruan: -Qoftë jetë gjatë!
Dhe lisi i lashtë lëshoi degë të re.
Gjyshet me zemër i dhanë uratë:
-I dhëntë jetës jetë mbi këtë dhѐ!
Bekuar qoftë kush jetën përtërin,
Në këto toka prej mjalti arbëror,
Mban gjallë të nesërmen, historinë
Dhe gjuhën të freskët si krojet malor.
26.03.2025
Buzë detit
Dallga lozonjare vjen e thërmohet,
Tek këmbët e mia, më përkëdhel.
Tutje një çift puthet, përqafohet.
Një fëmijë nga uji s’del e s’del.
Shaurima e detit më fal qetësi.
Harroj halle, brenga e shqetësime.
Buzë detit zë ëndërroj në vetmi,
Mbi varkën e muzës hip botën time.
Deti në heshtje shpalos para meje,
Bukurinë e tij dhe zë nusëron.
Mua gjaku më lëvrin ndër deje,
Flladi plot jod lehtë më ledhaton.
Buzë detit unë humb në mendime.
Flas heshtas me valën kreshtëborë.
Ajo bëhet shkaku i dehjes time.
Buzë detit harroj se dita ka orë.
22.07.2023
Kroi i lagjes
Atje ndan rrugës në buzë të rrëkesë,
Ti këngën ujore nuk di ta ndalësh,
Etjen ke shuar nga brezi në brez,
Masat* ke qënë për ngrehina fjalësh.
Udhëtari i lodhur nga rruga e gjatë,
Pranë teje vjen, vë buzën në curril
Vijnë vajzat me dëshirë të zjarrtë,
Që etjen tua shuajë ndonjë bandill.
Ti rrjedh e rrjedh me ujin shkumë,
Të njëjtën këngë, të njëjtin avaz,
Dashurisë pranë teje i gatuan brum,
Dhe zemrave rinore u fal veç gaz.
22.05.2025
*Masat-pajisje që dikur e perdornin duhanpirësit për të ndezur eshkën për llullën apo cigaren.
Zemra e poetit
E ku nuk është zemra e madhe poetit!
Më thoni, vallë, ku s’e gjeni dot!
Tek cicërimet e arabelit, guralecët e detit,
Tek kanionet e thella me zhurmë plot.
Ajo rreh tek ëndërrat e dashurisë,
Tek sytë e foshnjës që sapo ka lerë,
Tek dhimbjet dhe andrallat e pleqërisë,
Tek dielli që mbi mal kokën nxjerr.
Poeti dhëmbkën e ka shumë të madhe,
Për çdo plagë që jeta ia sjell e ia merr.
Fëmijë bëhet kur sheh një sorkadhe,
Kur sythin e parë një lule nis të çel.
Gjumi s’e zë e ndihet vërtetë keq,
Kur votën ia tredhin pa mëshirë zuzarët,
Kur ëngjëlli i djeshëm kthehet në dreq
Dhe fatet e vendit i kanë në dorë zuzarët.
Zemra e poetit rreh fort mes nesh
Edhe kur në këtë jetë ai s’është më.
Me vargun e tij ai na flet, buzëqesh.
Çdo shkronjë e lënë prej tij është zë.
Më thoni ku nuk është zemra e poetit?
Në çdo hap të jetës ajo rreh e rreh
Shpresë sjell mbi hirin e hallit e dertit
Ngrehinën e së nesërmes me varg e ngre.
19.07.2023
Në këtë kohë
Në këtë kohë në vendin tim,
Ujrat s’janë në rrjedhë normale.
I mençuri shkon në çmendinë,
I marri del yll nëpër portale.
Nuk pyetet fare një akademik,
Si t’i shërojmë këto plagët tona.
Mjafton të jesh laro besnik
Dhe zuskë pa fund e pantallona.
Ai që dje tregohej me gisht,
Si një simbol i analfabetit,
Sot me ferrari bredh lirisht,
Llomotit në media si burrë shteti.
Njeriu i drejtë, me plotë ide,
Jashtë kohe është dhe i pavlerë,
I mykur quhet dhe démodé,
Prej satanajsh që vjellin vrer.
Në këtë kohë në vendin tim,
Duhet t’ jesh mjeshtër në ligësi,
Të të ngrejnë lart, të të quajnë trim,
Të vënë kurorë me plot lavdi.
Duhet t’i kesh xhepat hambarë.
Të kesh ‘diplomë’ në kusari.
Dhe po s’vodhe euro e dollarë
Të quajnë të shkarë në marri.
Në këtë kohë në vendin tim,
Një grusht njerëzish, ca oligarkë,
Për hallin tonë s’duan t’ja dinë.
Çdo ditë na xhvatin djersë e gjak.
Ata që sot me miell të bardhë,
Rinisë mendjen ja arratisin,
Nuk është çudi që kanë me ardh’
Në kuvend të broçkullisin.
Të mjerët ne ku kemi rënë.
Ç’farë e keqe na mbiu tek porta.
Por, të rritet, vet e kemi lënë
Dhe sot prej saj na dhëmb koka.
I them vetes se vjen një ditë,
E mbushur plot me dritë e shpresë,
Që të shpëtojmë nga lubitë,
Që nga gjakthithja të mos vdes.
Po kur vallë, kur do vijë?
Sa vite kemi shpresë vrarë?
Shushunja prapë vazhdon të pijë
Nga gjaku im nëpër damarë.
10.04.2025
Përsiatje migjeniane
Nën vellon e nxehtë të këtij Qershori,
S’di pse mendja më shkoi tek gjenia jote,
S’di pse shpirti im nga arkiva nxorri,
Vargjet e tua për dhimbjet e kësaj bote.
Çdo kohë dhimbjet e saj sjellka e paska,
Sot rreckat e vuajtjes me tjetër ngjyrë i gjen,
Por mjerimi nudo me tëndin po më ngjaka,
Ndaj shpirti më thërret: -Ngrihu Migjen!
-Ngrihu Migjen me shpirtin plot me revoltë!
Kohës i duhet një tjetër “Recital i malsorit”,
“Të bijtë e shekullit të ri” për tjetër botë,
Shpresa të mos digjet në flakët e purgatorit.
Më lejo i madhi Migjen, të lutem më lejo!
Malit t’i fal një grusht që aq fort godet,
Se grushti i vargjeve të mia s’godet këdo,
Që ditën na puth dhe natën si Jago na vret.
Malit t’i fal një grusht që fort të bjerë e qëllojë,
Mbi padrejtësitë zgjedhë tek qafa e fukarasë,
Që zgjimin ta sjell shpejt, heshtjen ta largojë,
Shpresa të pjellë shpresë, kurrë të mos humbas.
13.06.2025
Liria dhe fjala
Një ditë fjala mbushur me delir
Lirisë i doli para dhe i tha:
-Jam zonjë e vetes, jam e lirë,
Në hapsirat e mia kufij nuk ka.
Kalin e sharjeve e lëshoj pa fre
Dhe ditirambe sa të dua thur
Një injorant në zenit e ngre
Eruditin e bëj të hesht si gur.
E dëgjoi liria me plot durim
-Dëgjo-i tha-moj mikja fjalë,
Ti në qiellin tim bën fluturim,
Por aty nuk je Zeusi i gjallë.
Kur fjala merr udhën për në eter
Duhet mbarsur mirë me arsye
Ndryshe gjithshka rrotull qelbet erë
Dhe jeta s’do kishte aromë lirie.
Në hapsirat e mia fjala e lirë
S’duhet të jetë kurrë katran i zi
As stoli për shpirtin keq të nxirë
Ndryshe liria s’do quhej liri.
02.09.2025
Kufijtë e lirisë
Liri! Ti fjalë e bukur me hije mbretëreshe!
Ti vasha e lakmuar prej popujsh ndër mote!
Për ty është dashur gjak, beteja, përleshje,
Që të zgjeronte kufijtë kjo mbretëria jote.
Mbi qiellin tënd retë e zeza të skllavërisë,
Me forcë shkatërrimi lëshojnë përherë rrufe,
Por ti prapë shkëqen si dritë e njerëzisë,
Zgjeron e shtrin kufijtë në një botë të re.
Unë si qënie në hapsirat e tua të pa anë,
Jam një zog që fluturon pa pranga e vargoj.
Hapsirat e tua aromën e jetës në gji e kanë,
Ndaj i dua në jetë më të gjëra, për to luftoj.
Më pyeti dikush një ditë:-A ka kufij liria?
Ju përgjigja se: -Patjetër liria i ka ca kufij,
Kur dikush do të shkel mbi të drejtat e mia,
Liria humbet vlerën dhe s’quhet më liri.
Sot pëllumbat e fjalës fluturojnë pa frikë,
Herë janë lavde që të shpien në dehje,
Herë mbrapa shpinës të kthehen në thikë
Shpesh fjala s’është e lirë, është thjesht lehje.
Liri! Ti fjalë e bukur me hije mbretëreshe!
Na duhet kohë ta kuptojmë universin tend,
Se liri nuk janë veç klithmat nëpër sheshe,
Por hapat drejt së ardhmes që hidhen me vend.
24.09.2025
Mos më hyr në hak!
Sapo i shkrova disa vargje,
Për një vajzë të bukur, peri,
Si bukën e freskët në magje,
T’i dhashë grua, ti shijoje ti.
Por ti s’prite të shkoje në fund,
Prej vargjesh më quajte mëkatar,
Mos vallë besimi t’u lëkund?
The me vete:- Ç’po bën ky i marrë?
Rri e qetë, e dashura ime,
Se vargu nuk të bën tradhtar,
Kur e bukura është bukë rime,
S’do të thotë se poeti ka shkarë.
E bukura është limfë e vargut,
Kush nuk i këndoi asaj me zjarr!
Atë poezia ka në vend të gjakut,
Pa të ajo do ishte vyshkur e tharë.
Mbase të duket përbetim i kot,
Mbase këto fjalë vlerë nuk kanë,
Dije! Si ti nuk ka tjetër në botë,
Dije! Jam yti, s’jam Don Zhuan.
Ti je foleja e vetme e dashurisë,
Në ballkon të zemrës je përherë
Por kur i këndoj me zjarr bukurisë,
Dije se vargu edhe nga nuri yt merr.
29.07.2023