
D I S T I K Ë
(DISTIK – dyvargësh me
rima të puthura)
* * *
Si meteor lumturia jetës i shket,
Sa hap e mbyll sytë, si ëndrra tret.
* * *
U thye xhami, nuk ngjitet,
E shkele lulen, venitet.
* * *
E futët mes jush e burrit një mike,
Nesër mund t’ju bëhet armike.
* * *
Në e di, që heshtja vret,
Ma hap zemrën, pra,…ç’ka pret!
* * *
Për gjynahet në rini,
Kot lotët në pleqëri.
* * *
Mos ja shto barrën pleqërisë,
Zgjidh punët sipas fuqisë.
* * *
Do ta torturosh URTINË?…
Hipja budallain në shpinë.
* * *
Më lehtë i ruhesh zjarrit,
Se zullumit të të marrit.
* * *
Ç’faj ka budallai për ç’bën e ç’tha,
Kur dihet, ZOTI, aq mend i dha?
Kujtim N. Mullai
__________________
Si pasthënie për vargjet, një koment interesant nga Prof. Dr. Agim Sallmani :
“Një distik i vogël mund të mbajë brenda vetes një filozofi të tërë jete: lumturinë që ikën si meteor, plagën që nuk ngjitet si xhami i thyer, marrdhëniet ku besimi mund
të kthehet në armiqësi dhe heshtjen që ndonjëherë flet më fort se fjalët.
Në pak vargje, autori na kujton se jeta është e brishtë, ndërsa fjala, besimi dhe dashuria kërkojnë kujdes, masa dhe mençuri,sepse gabimet e rinisë shpesh bëhen mësimet e pleqërisë.Thjeshtësi në formë, por mendim me peshë.
Përgëzime poet Kujtim N.MULLAI!”