Këndo, rini, këngën e agimit të ri-Nexhbedin Basha



Këndoje, rini, këngën më të bukur që di,
o moj shqiponjë mali!
Le ta dëgjojë zërin tënd dheu i
copëtuar,
rrënjët le të flasin me gjuhën e
nënës,
nën dritën e hënës…
Me zjarrin e lirisë në gji
dhe agimin në sy,
këndo ti, rini, këngën e kohës së
re!

Çaje terrin e gënjeshtrës,
shkunde heshtjen,
mos e lër ëndrrën të të ikë,
mos e lër të flejë!
Le të ushtojë zëri yt si stuhi
mbi fusha e male!
Mos e ul kryet para frikës,
mos bjer peng i premtimeve të
rreme,
mos u përkul para padrejtësisë,
qëndro stoike,
mos lejo që ëndrrat e tua të
shuhen!
Mos lejo që vullnetet të thyhen.
Ti je zani i një brezi që kërkon
dritë,
që kërkon dinjitet,
që kërkon të drejtën, lirinë e
munguar,
që dita-ditës po tretet, si kripa
në det.

Moj rini, ti bijë e motit,
ngrije zanin përballë lotit!
Mos u ndal, mos u dorëzo,
qëndro e lirë si shqiponjë.
Ti je vetëtima që çan retë,
ëndrra që s’e pranon robërinë,
shpresa që troket në portat e së
ardhmes,
kushtrimi që thërret për
ndryshim.
Mos iu fal frikës, mos u bëj rob i
gënjeshtrës!
Mbaje ballin lart, mos e shit të
vërtetën,
mos e fal dinjitetin për premtime
që treten në erë.
Ti je stuhi e bukur si pranverë.
Kur ti ngrihesh, malet marrin zë.
Kur ti flet, heshtja thyhet.
Kur ti bashkohesh me të tjerët,
zemrat rrahin në një ritëm
dhe prangat e padrejtësisë
fillojnë të këputen.
Qëndro, moj rini, me besë
shqiptare,
me ballin lart dhe zemrën zjarr!

Le të jehojë kënga jote në fusha e male,
në çdo vatër, kudo ku rreh një
zemër shqiptare.
Mos e lër të shuhet agimi që
brezat e kanë pritur,
mos e lër të humbasë rrugën që
të parët kanë hapur!
Këndoje këngën e agimit, ti, filiz i
ri!

Lartësoje emrin tënd me
flamurin kuqezi!
Sa të ketë rini që beson në dhe,
sa të ketë zemra që qëndrojnë si
pishtarë drite,
sa të ketë shqipe që fluturojnë të
lira,
mbi Atdhe,
Shqipnia do të ketë shpresë!
Dhe do ketë dritë…
Dhe kur zëri yt të ngrihet mbi çdo ndarje e përçarje,
kur dora jote të kërkojë një të
ardhme më të drejtë,
kënga jote do të bëhet kushtrim
lirie,
shpresa do të bëhet forcë,
ëndrra do të marrë emrin:
LIRI!

Moj rini, moj shqiponjë mali,
mos e harro kush je!
Në damarët e tu rrjedh gjak Arbri,
në sytë e tu lexohet agimi i ri.
Guxo, moj rini, guxo!
Fol për të vërtetën,
ec përpara me shpresën që nuk
shuhet!
Këndoje këngën e agimit që po
vjen!
Këndo këngën e së vërtetës!