Atje dhe këtu është Troja-Namik Selmani

Namik Selmani

Atje dhe këtu është Troja

Atje është Troja
Me forcën e pabesinë e një kali të drunjtë
Me klithjet e lutjen e një nëne derëzezë
Me lotët e një djali e babai të pashterur kurrë
Me urtësinë që kalon nga njëri në tjetrin brez..

Këtu është Troja
Afër e larg, sa disa mure kalaje të lashtë
Me gjuhën që njihet në botë në jetë të jetëve
Shumë herë e takojmë në tribunat me dritë
A në një letër paçavure që firmoset me buzëqeshje.


Atje ishte Troja
Me pluhur e trokëllima kali që na zgjohen në kohëra
Me bekimin e mallkimin që të japin perënditë .
Marmaraja buçet me ambicje për maja e kurora
Me zjarret që djegin të gjitha dashuritë .

Mos,
mooos e zgjoni
Trojën si të ish një gjarpër kutullaç!
Fshehur pabesisht rrëzë lisi, mes dëborës!
Mbani një busull t’ua tregojë saktë çdo hap
Të hedhur brigjeve a në qelqet e thyera të kohës!

Atje ishte Troja..

Këtu është Troja.