Dialogu i shurdhër…

Dialogu i shurdhër…
1.
Në njërën anë të sheshit, muret e larta të shtetit,
Në njërën anë, rruga që zien nga bisedat e miletit.
Kryeministri hap xhamin, zgjat dorën drejt manisë,
Kërkon një tryezë, një ftesë prej kortezisë:

2.
-Ejani, uleni, të flasim si njerëz me rregull,
Zgjedhjet i bëjmë me fjalë, jo me tym e me mjegull

3.
Por poshtë, në asfalt, ku shpirti mban peshën e rëndë,
protestuesit ngrenë grushtin, s’duan t’ia dinë për asnjë kënd.
Zëri i tyre s’është lutje, është lumë që po shpërthen,
Dhe çdo ftesë për bisedë, me kodin e vjeter ska vend.
4.

-Mjaft më fjalë të bukura e premtim prej letre,
Ne s’jemi numrat si skica në planet e tua sekrete !
5.
S’kemi çfarë flasim në tryeza ku ty të ndrit kolltuku,
Ku qengjit i mbytet klithma dhe ligjin e bën ujku
Sot nuk ka kompromis, sot flasin vetëm sheshet,
Kur vullneti i popullit ngrihet, çdo gjë zhveshet!
6.
Kryeministri sheh poshtë, buzëqeshja i ngrin në fytyrë,
E kupton se pushteti këtë herë nuk ka më pasqyrë.
Asnjë laps s’e firmos dot atë që rruga ka vendosur,
Kur populli refuzon dialogun me një sistem të kaparosur…
7
S’ka më dialog me ata që na vodhën shpresën dhe rininë,
Në tryezat tuaja pihet kafe, ndërsa ne numërojmë varfërinë!