Rrugët e fjalës-Ermira Ifandi

Ermira Ifandi

RRUGËT E FJALËS

Rrugët e fjalës heshtur, të boshatisura
Edhe pse mendimet gumëzhijnë si bletët
Kur nisin dhe përpunojnë me zell, mjaltin
Mbi supet e vjeshtës rënkojnë kujtimet.

Hapen kalime të reja ende pa kalimtar
Fjala, drithërohet mbi pikëzën e lotit
Fshehur nëpër tingujt e butë të kujtimeve
Notat të brishta dëgjohen përtej shpirtit.

Si një shtëpi e braktisur,
ku porta hapet prej erës
Me çatinë e përkulur nga shirat e vjeshtës
Lëkura e dhimbjes hedh sytë nga dashuria.
……………………………………………………………
Rrugët e fjalës,
heshtur,
të boshatisura.

Ripërtërihen plagët.

çast
Athinë, më 19.10.2024
E.D.Ifandi