Miqtë e Naimit!Poezi nga Josif Gjata

Poezi nga Josif Gjata

Në një drekë vere, një ditë
U mblodhëm shumë miq
Në familjen e nderuar, Berhamaj
Festohej dita e ashures.

Mikpritja sipas zakonit
Përshëndetjet e rastit, po ashtu
Debate, shkëmbim mendimesh
Një vendim morëm aty.

Dreka, shëndetet, dollitë
Këngët, vallet e recitimet
E rritën valën e gëzimit
Mes miqesh të Naimit.

Dikush aty u shpreh:
Në Tomorr shkojmë çdo vit,
Por Meka jonë është Frashëri.
Çdokush aty u habit.

Në Tomorr është perëndia Zeus,
Tempulli i diellit e i dritës, Afërdita.
Në Frashër është Meka jonë,
Vendi i bekuar i korifenjve të Shqipërisë.

Një ditë tetori, më datën shtatëmbëdhjetë,
Vendosëm pelegrinazh për në Frashër,
Takimin me Naimin, Avdylin e Samiun,
Në ditën e bekuar, plot ngrohtësi e diell.

E nisëm udhëtimin e pritur
Nga fusha e Myzeqesë e begatuar,
Mandej Berati, qyteti muze,
Tomorri me diskun e diellit mbi supe.

Dielli ndriçon udhën
Në rrugën e re mbi malin Drobonik,
Gjarpëron në majë, në rrëzë e brinjë,
Tomorri na bekon me diell a qirinj.

E bukur, këtyre anëve natyra,
Male, fshatra e kodra bukuroshe,
Plot gjelbërim, kolorit e ngjyra,
Mbushur shpirti, plot joshje.

Në memorien e të gjithëve
Na vijnë vargjet naimjane:
“Bagëti e Bujqësia”, “Lulet e verës”…
Shqipërinë kapedane.

Këlcyrën turistike lëmë pas,
Marrim majtas për në Frashër.
Na trishtoi kjo rrugë, o miq,
Me gropa e kalldrëm të rrënuar.

Rruga e dishepujve të Rilindjes,
Nderi i Kombit Shqiptar,
Duhet të ishte shtruar e bërë
Perlë e turizmit kombëtar.

Ka çfarë afron Dangëllia,
Parku Kombëtar,
Vendi i shenjtë i Frashëllinjve,
Bredhi i Hotovës.

Qeveritë shkojnë e vijnë,
Periferive nuk investojnë.
Nuk po bëjnë gjë për Frashëllinjtë,
Që shkrinë jetën për Shqipërinë.

Ja dhe Frashëri mes malesh,
Ja dhe shtëpia e Frashëllinjve,
Skalitur në bronz, sup më sup,
Të tre korifenjtë e Rilindjes.

Pak më tej, sipër në mal,
Në teqe ndezëm qirinjtë
E soditëm gjithandej,
Përjetuam mallin për Frashëllinjtë.

Shkuam dhe në Shtëpinë Muze,
Ç’na panë sytë, o Zot, ne!
Stenda të vjetëruara e pakujdesi,
Varfëri e plotë në ekspozitë.

Ku është shteti, pse po hesht?
Këtu është tempulli i trashëgimisë,
Në zemër të Dangëllisë,
Frashëri i madh i Shqiptarisë.