Olimbi Dafa për Enver D. Halilin për poezinë “Këmisha e shkyer”

KRITIKË LETRARE



Një poezi e veshur me shkëlqimin e yjeve, e mbështjellë me ngrohtësinë e diellit, që përcjell mesazhe paqeje dhe dashurie. Në të, pena juaj ngjyhet në agimet e mëngjesit dhe në gjakun e zemrës, në aortën e ndjenjës së thellë, e cila di çfarë përcjell dhe çfarë kërkon të thotë.
Poeti sjell më të mirën, më të bukurën dhe më të dobishmen: dritën e botës së tij shpirtërore.
Me punën e tij të palodhur, ai ka arritur në atë lartësi ku lexuesit e quajnë krenari të kombit, një yll që ndriçon zemrat e tyre.
Nëpërmjet vargjeve, ai përshkruan qëndresën historike dhe papërkulshmërinë, me emocione të fuqishme dhe me simbolikën e asaj këmishë të gjakosur, si një flamur i heshtur i rezistencës.
Në këtë poezi ndihet edhe thirrja e poetit për bashkim, si dhe një shpresë e heshtur për rilindje, një domosdoshmëri e kohës.
Në vargun tuaj unë pashë trishtim dhe lot të hidhur që vadisin këto copëza jete të njerëzve të pafajshëm.
Në to ndjeva urrejtjen, poshtërimin dhe përbuzjen e një regjimi që mbillte farën e ligësisë.
Pashë lirinë e munguar dhe dëgjova zërin e erës së malit, që flet si një nënë e lashtë: “Mos u dorëzo, bija ime e harruar.”
Pashë vargje që ngrihen mbi dhimbjen. Pashë se si shuhen ëndrrat, si zbehet drita brenda shpirtit dhe si zemrat lëngojnë, por njëkohësisht pashë edhe forcën e shpirtit për të rezistuar.
Pashë dhimbjen që mbajti gjallë shpresën për liri dhe ëndrrat që, më në fund, gjetën rrugën e ndriçuar për t’i buzëqeshur sërish jetës.
Në vargjet tuaja i përjetova këto vuajtje: i ndjeva, lotova, u rrënqetha, u preka thellë.
Dhe sot them se, në këtë botë të fajshme, fajin e kanë njerëzit që e bëjnë atë të tillë.
Vargu juaj i përlotur meriton të zëvendësohet me vargje drite, me vargje lumturie.
Respekte, poet, për vargjet tuaja të mbushura me dritë dhe mirësi.
**************
Enver D.HALILI
Poezi)

KËMISHA E SHKYER

Në heshtjen e gurit që mban kujtime,
një këmishë e shkyer valëvitet në erë,
jo prej leckash të zakonshme,
por prej plagësh që historia i ka qepur me gjak.

Ajo ishte dikur e bardhë si agimi,
si fjala e parë e një fëmije të lirë,
por duart e kohës, të ashpra e të pamëshirshme,
e grisën në beteja pa një emër të vetëm.
Çdo shqyerje është një kufi i zhdukur,
çdo fije e varur, një betim i pathënë.

Era e maleve i flet si nënë e lashtë:
Mos u dorëzo, oj bija ime e harruar.
Në mëngjeset e mjegullta ajo vishet
nga kujtesa e kohës së plagosur,
nga hapat e atyre që s’u kthyen më,
nga zërat që u shuan në prag të këngës.

Por ata ende jehojnë
në gjakun tonë të ngrohtë.
Këmisha e shkyer nuk është turp,
është flamur i heshtur i qëndresës.

Një metaforë e trupit të copëtuar,
që refuzon të harrojë se ishte një.
Dhe kur nata bie mbi plagët e saj,
ajo nuk fle ajo ruan historinë,
si një rojë e lodhur e shekujve,
duke mbajtur gjallë një shpresë:

që një ditë do të qepet sërish,
jo me fije,
por me bashkim.