Përktheu-Shuquri Sejdijaj, Stokholm


Kështu e përshkruante shkrimtarin tonë gazetari suedez Rikard Svarc(Richard Swartz).Në mediat suedeze janë të pakta publikimet për Dritëro Agollin. Nga dy-tri shkrime që gjeta te gazeta Svenska Dagbladet, po e ndaj me ju këtë që gazetari i njohur suedez Rikard Svarc ka shkruar në gusht të vitit 1979.
“Dritëro Agolli është kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe duket si një indian shqiptar i tharë në diell. Ai është një burrë shumë i bukur dhe pret vizitorë herët në mëngjes: në të njëjtën vilë ku mbreti Zog dikur u martua me aristokraten hungareze, zonjushën Apponyi.
Një shkallë dredha-dredha dhe e ngushtë të çon lart në zyrën e Agollit; në katin përdhes ndodhet një restorant artistësh me palma në vazo. Dielli i mëngjesit shkëlqen në xhamat e dritareve dhe disa intelektualë shqiptarë me filxhanët e kafesë dhe gotat me raki janë ulur tashmë aty brenda për të diskutuar. Disa kate më lart Agolli të pret dhe është i lehtësuar që nuk i duhet të flasë për motin.
-Kur ishin kinezët këtu, çdo bisedë fillonte me motin. Rrinim dhe përkuleshim në të dyja anët e tryezës dhe thoshim se sot ishte më ftohtë se dje ose e kundërta. Pastaj kinezët nxisnin njëri-tjetrin duke qeshur. Se çfarë mendonin ata në të vërtetë për letërsinë, nuk e mora vesh kurrë.
Lidhja e Agollit (Lidhja e shkrimtarëve) ka rreth një mijë anëtarë, por aty përfshihen edhe muzikantë dhe artistë figurativë. Ai tregon se në Shqipëri ka rreth tridhjetë artistë që jetojnë plotësisht nga arti i tyre dhe se shteti u siguron kompozitorëve piano falas.
Sipas Agollit, letërsia bashkëkohore botërore duket e dobët? Ku janë sot “elefantët” e mëdhenj? Një Hemingway apo një Steinbeck? Ata kanë vdekur të gjithë. Askund më nuk po zbulohen fenomene letrare për të cilat ia vlen vërtet të flasësh. Letërsia ruse, amerikane apo franceze nuk merret më me kombin e vet; ajo është kozmopolite, e shkruar për njerëz që jetojnë jashtë kufijve të vendit.
Po Shqipëria?
Në Shqipëri, letërsia është si një minierë që ende nuk ka filluar të shfrytëzohet. Brezi i ri i shkrimtarëve ka një problem të vetëm, që i tejkalon të gjithë të tjerët: të gjejnë një hero. Një hero që mund të frymëzojë, që mund të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë.
-Letërsia kineze e koncepton njeriun si një automat, thotë Agolli. Përveç kësaj, ajo është fëmijërore. E gjitha bëhet tmerrësisht e mërzitshme. Për hir të miqësisë, ne botuam disa përkthime, por u shitën vetëm pesë kopje prej tyre. Ishte shumë e turpshme, si për kinezët, ashtu edhe për ne. E njëjta gjë ndodhi me filmat e tyre – askush nuk donte t’i shihte. Në fund na u desh të urdhëronim klasat e shkollave për të mbushur sallat.
Në vend të kinezëve, shqiptarët lexojnë pikërisht tani shkrimtarë si Moravia, Feuchtwanger, Remarque, Asturias, Kazantzakis, Hašek, Balzac dhe natyrisht klasiket rusë. Një roman mund të shtypet në një tirazh deri në tridhjetë mijë kopje, dhe një përmbledhje lirike deri në afro njëqind mijë. Me një modesti të vërtetë, Dritëro Agolli pranon se kjo i ka ndodhur, ndër të tjerë, edhe atij.
Rreth treqind tituj të rinj botohen çdo vit.
Prej tyre, rreth tridhjetë janë të huaj dhe Agolli është i kënaqur kur thotë se kanë arritur ta zvogëlojnë ndjeshëm këtë pjesë gjatë dhjetë viteve të fundit. Kjo do të thotë se letërsia shqiptare është në marshim. “Ne nuk duhet të vrapojmë pas së huajës,” thotë ai. “Vendet e vogla botojnë tashmë shumë gjëra të huaja.”
Jashtë Shqipërisë, ai mendon se ka vënë re që letërsia është komercializuar gjithnjë e më shumë. Kjo i bën librat të trishtueshëm për t’u lexuar dhe vetë ai është i interesuar për humorin. Në formën e romanit, ai ka shkruar një tregim që me ndihmën e humorit godet burokratët: po, ka mjaft të tillë edhe në Shqipëri.
-Në fakt humori është autokritikë, thotë Dritëro Agolli dhe buzëqesh. Nuk është gjë tjetër veçse kritikë ndaj shoqërisë dhe të gjithë duhet ta dinë se gjithmonë ka nevojë për një sasi të mirë të tij.
Ne tundim kokën në shenjë mirëkuptimi, sikur të ishim disa nga kinezët e Agollit.
-Dhe humor nuk kemi mjaftueshëm në librat tanë, thotë ai me vërtetësi. Jo ende.
Pastaj ai më shoqëron poshtë nëpër shkallët dredha-dredha dhe pyet me mirësjellje nëse mund të ulemi për një çast mes palmave në katin përdhesë. Më duhet të refuzoj dhe ai hap krahët. Ndoshta një herë tjetër;
Ai nuk është vetëm një burrë shumë i bukur, por edhe shumë simpatik.