Trebeshina…Gëzim Llojdia

Gëzim Llojdia

1.

Por kur përpara syve më shfaqet pasqyra e Kasëm Trebeshinës, krahasimi është krejt tjetër. Shpalosen kalvaret dhe vuajtjet njerëzore që e kanë prekur deri në kockë, që e kanë goditur deri në palcë. Dhe i ziu njeri duron, duron sa mali me dëborë. E bën këtë sepse donte të jetonte një ditë pranvere.

Në të vërtetë, Trebeshinën unë e kam parë edhe në dimër, kur barra e dëborës e ka pikëlluar, edhe në pranverë. Shkonim në Mezhgoran dhe njeriu im më thoshte:

– E shikon atë mal? E di kush është?

-Sigurisht që jo.

– Është Trebeshina. Po për shkrimtarin Kasëm Trebeshina ke dëgjuar?

-Kam dëgjuar. Po si humbi, si sëpata pa bisht?

…Maja e malit sikur u lëkund atje lart dhe gurët ranë para këmbëve.

– U rrëzua plepi, – më tha, duke nënkuptuar rrëzimin e Kasëmit.

Dhe heshti, u mek, sepse ngado mbinin rojtarët e mjegullnajave.

-E dini pse dielli është larg? – shprehet një poet.

Që të na ngrohë të gjithëve mirë.

…Emri i Kasëm Trebeshinës tek brezi ynë erdhi nga largësia, nga ajo largësi që ne e quanim distancë e gjatë kohore. Vetë ndëshkimi i tij mbante brenda një mister…

2.

Një ndërtesë aty në rrugën e Kavajës, që unë dhe gjithë brezi im e kishim ëndërruar. Ne, studentët që vinim nga jugu, e shihnim të mbështjellë me mister. Çfarë ruante në të vërtetë brenda vetes? Çfarë kishte parë, ndërsa vitet ia thinjnin ngadalë muret? Kur shihnim shkrimtarët të ulur në oborrin e saj, zgjasnim kokën t’i shihnim, prapa mureve me hekura.

…Ishte ora 22.30 dhe kalendari shënonte minutat e fundit që ndanin muajin prill të vitit 1980“, ka shkruar publicisti N. Dragoi në hyrje të një libri të mrekullueshëm për Kasëm Trebeshinën.

Që nga ky fjali, lexuesi hyn dhe merr pjesë në çdo çast të jetës së njeriut që mbante mbiemrin e malit Trebeshinë. Duke hyrë në faqet e këtij libri, që unë me ndershmëri do ta quaja roman të mirëfilltë artistik, me personazhe të gjallë, ecën nëpër labirinte që koha i kishte ngritur pikërisht të tillë. Ndërtesa vazhdon të qëndrojë aty ku ishte në kohën kur përdorej edhe kundër shkrimtarëve. Tani ka ndryshuar ngjyrë, destinacion e pozicionim: dikur ministri kulture, pastaj vend për drejtësi…

-Ku janë zyrat ku u thurën e u përgatitën sulmet kundër Kasëmit, në kohën e përndjekjes së madhe?

Në të vërtetë, po ta shqyrtosh këtë godinë, në sipërfaqe të duket e pafajshme. Por nëpër labirintet e saj janë fshehur sa e sa ndëshkime, sa e sa goditje të përgatitura kundër atyre që mbanin në dorë jo pushkë, por penë.

3.

Një prej tyre ishte Kasemi, njeriu që erdhi nga jugu i vendit në kryeqytetin shqiptar, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Dhe nëpër ato labirinte do të ngatërrohej letërsia me politikën, ose më saktë: politika do të ecte përpara dhe letërsia do ta ndiqte pas gjurmëve. Kështu u rritën si lisi me kulpërën, që gjatë gjithë kohës e gjente shtratin e shtruar te trungu i lisit. Një simbiozë, një bashkëjetesë që zgjati rreth 50 vjet e më shumë.

Për Lidhjen e Shkrimtarëve ka ende gjëra të pathëna, të fshehura qëllimisht. Ka ende shumë për t’u thënë. Sepse ajo nuk ishte thjesht një mekanizëm, por shpesh edhe prerja e politikës së asaj realiteti që sot e quajmë socrealizëm. Ajo që tërheq interesin, megjithatë, është mënyra se si u trajtuan shkrimtarët, banorët e saj.

Nga ajo ndërtesë kaluan Ali Asllani, që kur shkonte atje, e shihnim të largët, të ndërronte veç ca muhabete të largëta të kohës së dyfekut.

Petroja, luftëtari i Spanjës; djaloshi kaçurrel.Kasemi dhe Lasgushi, që ne e quanim të ikur, yllsori shqiptar. Kaluan edhe pena të tjera, që i fshinë germat ose gjetën mënyra t’i mbyllnin në burgje, t’i degdisnin nëpër fshatra mes baltës, t’i çonin pas hekurave në vrullin e luftës së klasave…

Më e pashpirt mbetej mënyra e dënimit të shkrimtarëve, që shpesh buronte nga gjykimi politik, ose nga mllefi ndaj talentit të tyre, ndërsa mediokrit ndihmonin njëri-tjetrin që t’u bëheshin gjëmë devijuesve të kësaj letërsie. Kam lexuar edhe Petron, e së fundmi Trebeshinën. Një hulli e përbashkët i ndiqte: u mohohej kontributi dhe u fshihej talenti.Emër bënin vetëm ca mediokër që i nxori koha në breg, si bëzhdile, thoshin plakat tona në jug…

4.

Pse u përndoq Kasemi? Ka njëmijë e një arsye që i shërbejnë së njëjtës gjë, si në rastin e Petro Markos, dhe kryesorja ishte truri e zemra e pushtetit që qeveriste. Vërtet, nga lufta dolën djem e vajza ranë për lirinë e atdheut. Vepra dhe kontributi i tyre është i pamohueshëm.

Po në emër të tyre çfarë nuk u bë! Do të ishte mirë që lufta të mos baltosej me pasluftën…

5.

…Rikthehemi sërish. Mirë, nuk i lanë të botonin dhe nuk i linin të ushqeheshin. Por në burg, përse i mbyllnin ata që nuk kishin asgjë të përbashkët me ato ndërtesa të brishta dhe me banorët halabakë të tyre?Nuk ishin as kusarë, as nuk kishin të bënin me kusarët! Dhe ai nuk u lodh asnjëherë, as nuk u mposht.

6.

Sa më shumë largohemi në kohë dhe i analizojmë ngjarjet, aq më qartë shohim se emri i pushtetarëve po shuhet drejt harresës.Kasemi dhe vepra e tij do të mbeten të freskëta, të sjella në mendje përherë, sepse veprat e tij dhe frymëzimi i tij nuk shteren.