
( Në vend të një reportazhi)
Nga Agron MEMA
Udhëtojmë drejt qytetit të skajit më jugor të kujfijve të sotëm gjeografik shtetëror të Shqipërisë, Konispolit të historisë dhe kulturës, të trimërisë dhe bujarisë, të besës dhe mikpritjes. Jemi tre miq në automjet; unë, shkrimtari dhe poeti, inxhinieri i nderuar dhe i talentuar Hekuran Halili si dhe dashamirësi dhe njohës i mirë i letërsisë Fejzi Hysi, ky edhe në rolin e shoferit që, për hatër së të vërtetës, për respektin dhe dashamirësinë ndaj letërsisë e ka vënë disa herë automjetin e tij në dispozicion të “ Krijuesve Jonianë” pa asnjë shpërblim financiar. Meriton mirënjohje dhe falënderime nderuese ky mik i yni dhe i librit. Rruga u tendos në biseda me tematika të ndryshme ku mbizotëronte ajo e çështjes kombëtare që patjetërt shoqërohet me përplasje mendimesh, jo qëndrimesh, por edhe me ngarkesa emocionale. Kështu u gjendëm në sheshin e Konispolit të bukur ku vjeshta e vonë i ka hedhur një nur edhe më të bukur me gjethet e zverdhura e frutat e pjekura aromëkundërmonjëse që të ftojnë të soditësh e të thellosh frymëmarrjen. Një pamje magjike malore-bregdetare. Sepse Konispoli është ved malor, por edhe bregdetar, pavarësisht se detin ia kanë hequr rrjetat e barbarizmave të copëtimit gjeografik të trojeve shqiptare. Parkojmë makinën dhe na presin buzagaz, ashtu si dinë të presin me bujarinë karakteristike konispolatët, dy bashkëshortët e mirë, të dy mësues; Emin Braho dhe Bukurie Braho, kjo edhe drejtoreshë e shkollës së Bashkuar “ Bido Sejko” të Konispolit për shumë vite me rradhë dhe tepër e suksesëshme në arritje mësimore dhe konkurse lokale e kombëtare. Na ftojnë për kafen e mikpritjes. Me Hekuranin dalim shëtitje të thithim në mushkritë tona ajrin e pastër e të shëndetshëm të Konispolit me freskinë malore që e rrethon , përzier me jodin e detit poshtë “këmbëve “ të tij. Godinat përreth sheshit ruajën, pas ristrukturimit, arkitekturën tradicionale të qytetit, kjo e mrekullon shpirtin e poetit , inxhinierin Hekuran Halili shpirtërisht si poet dhe profesionalisht si inxhinier ndërtimi, sepse është edhe bir i këtij qyteti dhe kjo i dhimset dhe e vlerëson edhe më shumë. Para nesh rrapi madhështor dhe historik, por tanimë pa madhështinë fizike, por me madhështinë e qëndresës historike.
-Ja,-thotë Hekurani,-erozioni dhe vitet bëjnë punën e tyre. E kanë sakatuar fizikisht këtë monument identiteti të qytetit, por ai nga rrënjët ka lëshuar lastarët e mbijetesës, të ringritjes në lartësitë e tij të dikurshme në të gjitha përmasat e madhështisë së tij. Nuk i humbasin rrënjët…
“Rrënjët” përsërit disa herë poeti dhe shkrimtari Halili dhe mua më kujton se sa e preferon këtë fjalë si simbol qëndrese dhe mbijetese sepse edhe librin e tij të fundit, të suksesshëm e cilësor e ka titulluar pikërisht “Rrënjët”. Ecim . takojëm miq të shumtë. Na përshëndesin dhe shtrëngojmë duart miqësisht. Të gjithë na ftojnë për kafe bujarisht me dorën drejtuar nga dyert e shtëpive të hapura miqësisht. I falënderojmë. Nuk kemi kohë. Qëndruam vetëm tek miku jonë Neti disa minuta. Pas pak fillon aktiviteti. Promovohet libri “ Shitësit e reve” i shkrimtarit Pajtim Çaushi, një tjetër bir i nderuar dhe intelektual i Konispolit dhe arsyeja pse kemi ardhur në Konispol. Dhe ja…papritur Hekurani ndalon. Përball një përmendore mbi një piedestal të lartë. Hekurani më kërkon ta fotografoj pranë kësaj përmendoreje. Aparati shkrepet dhe fikson pamjen. Po çështë kjo përmendore që emocionoi kaq shumë poetin? Në krye, mbi piedestal një kokë e trupit të njeriut sypërlotur. Duket sikur ata lotë të mermertë nuk do të ikin kurrë nga sytë e asaj koke njeriu-bust, sepse ata lotë të gdhendur nga dalta e skulptorit, janë lotë të vërtetë të gdhendur nga dalta e historisë që nuk do të ikin kurrë nga syri dhe shpirti i Çamërisë deri sa të vijë koha e drejtësisë dhe fundi i paderjetësë. Dhimbja në këtë përmendore zbret në posht. Në mes të piedestalit një basoreliev i bardhë. Një fëmijë mbi trupin e nënës së vrarë që duket se i thotë e i lutet me fjalët e ndjesisë së perëndisë që nëna të mos vdes. Ai ka nevoj për të, për qumështin e saj të bardhë, për dashurinë e saj, për ledhatimet dhe përkëdhelitë, për gjithë universin që përcjell nëna tek fëmijët. Peidestali është i bardhë sepse i bardhë shtë qumështi rritës i nënës dhe i bardhë është edukimi i saj ndaj fëmijës së saj, e bardhë është dashuria e saj. Nëna të bardhë e ka gjithshka në zemrën e saj. Përballë kësaj përmendoreje historike ndodhen varrezat e dëshmorve të LANÇ-it që Konispoli, Çamëria i dha luftës. Kjo edhe si sfidë historike të pretendimeve zerviste ndaj masakrave dhe shfarosjes, gjenocidit dhe krimeve të pashembullta ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur të Çamërisë martire me pretendimin si bashkëpunëtorë të nazi-fashitve, pretendim që koha dhe dalja në dritë e fakteve dhe dokumentave arshivore e rrëzojnë totalisht . Dhe kjo ndodhi nën sytë e të shtuquajturave “ Fuqi të Mëdha “ në mbrojtje të lirive të popujve dhe ky fenomen sehirxhi vijon edhe sot në qëndrimin ndaj kësaj padrejtësie historike ndaj popullit tonë. Ngarkuar me këto emocione që vetëm dhimbje përcjellin në shpirt, drejtohemi drejt aktivitetit promovues.
Konispol-31 tetor 2026