
Migel FLOR
GJUHA ZOG
Sa lutje shpirti për atë që desha
dhe fati -fat s’ ma kishte dhënë.
Për fat, këmishë prej gjarpëri vesha
por lutjet prap më mbetën nëmë.
Tej, kukuvajka diçka e ndolli,
në gjoks me frymën ritmon kureshtja.
Syri si bard këng’ lotësh solli
gjëm’ e vërtetë ishte vetë heshtja.
Eh botë e qullur mall e trishtim,
kukuvajkë-far ndrin fatet tona.
Qan e këndon thellë shpirtit im
e nëma prap mbetet e jona.
Në ç’ qiell dergjet, vallë syri sot
po ato lutjet, “ah”-et, fat’ngrënat?
Zot, si na e bëre dhe gjuhën zog?
Nga brengat, pengjet dhe të pathënat.
Një koment për poezinë
“Gjuha zog”
Nga Namik Jahaj
“Kur poetja është mbi re, muza hergjele “shin” kashtën e kumërtit, edhe pse ndjesia poetike vuan për ozon, në atë shkëlqim dhjetori…
Ndryshe ndodh kur poetja thundron dheun; ylberin e bën urë mbi lumenj e dete… Retë i bën shtëllungë dhe i tjerr me stil “merimange” poezi aristokrate, poezi-këngë, që të vënë në lëvizje me simfoninë e tyre…
Të merr në krahët e saj kjo poezi, të bën skllav, që ta rilexosh, ta “bluash”, ta këndosh, derisa “gjuha të bëhet zog”.
Kur kukuvajka klithmon, të shkon mendja për keq dhe e trembim duke e nëmur…?
Ajo, me zërin e shpirtit, thotë:
“Pse më kini frikë? Pse më mallkoni? Unë kam lindur t’ju sjell lajme të ‘zeza’, sepse ky është misioni im. Pse nuk e pranoni ndjellësinë time?
Sa gjëma keni lënë pa mësuar?
Te ku-ku-ja ime ka kode që ju nuk i deshifroni… Pse?”
Lozonja-poete di gjuhën e saj dhe, si pagane, i gjegjet:
“Lutjet tona mbeten nëmë,
mbeten mjeranet pa thënë…”
Poetja kapërcen kufijtë poetikë!”
Namik Jahaj