Më thërrasin hapësirat-Vullnet Mato

Vullnet Mato
MË THËRRASIN HAPËSIRAT
 
Më thërret nga larg, një puhizë e lehtë,
lulet me aromë, t’i freskojmë bashkë.
Më thërrasin zogjtë, të ngremë foletë,
nëpër degë pemësh, thurur me kashtë.
 
Pisha e blertë, më thërret në shkrep,
ta sodis, kur nxjerr qerpikët prej vajze.
Më thërret gurgullima e përroit të shpejtë,
të vaditim arat, përgjatë fushës së madhe.

 

Më thërret fajkoi që rreh krahët përpjetë,
më thotë, eja në lartësitë blu të flatrojmë!
Maja e një mali të lartë, më thërret,
hapësirat përtej horizontit, të vëzhgojmë!

 

Vala e lumit, më thërret të lundrojmë,
së bashku, në dallgët e detit Jugor,
ku tragetët turistik nga bota, kalojnë,
si ishuj lundrues, plot me vizitorë.

 

Një re, ngarkuar me shi, më thërret,
të shuajmë zjarret në pyjet me erë.
Më kërkon, një shi udhëtar i qetë,
të vaditim kallinjtë e bukës, në verë.

 

Më thërret një djalë, që i rreh zemra
në takimin e parë, me vajzën në jetë,
T’i lexoj nja dy lirika poetike, të ëmbla,
t’i kënaqet zemra, të dashurës së vet.
 
Më thërret nga shtëpia, gruaja ime:
Kthehu or burrë, nga ato udhëtime,
të kënaqesh, mes fëmijëve të tu!
Oh, s’di ku të shkoj më përpara, ku?.