“Alfabeti është drita që ndez gjuhën, e gjuha ndez shpirtin e kombit.”
Ferit Toma
“Alfabeti – Themeli i Dritës Shqipe”

(Nga Ferit Toma 22 nëntor 2025)
Dita e Alfabetit mbetet një nga gurët më të çmuar në historinë e kombit tonë. Ajo na çon pas në vitin 1908, në Manastir, ku burrat më të ndritur të kohës u ulën rreth një tryeze të vetme për të ndërtuar të ardhmen e një populli. Përtej dallimeve rajonale, rendjeve politike dhe pengesave të kohës, ata vendosën të njësuar: t’i dhurojnë gjuhës shqipe alfabetin e përbashkët.
Ky akt nuk ishte vetëm një vendim gjuhësor; ishte ringritja shpirtërore e një kombi që kërkonte zërin e vet. Alfabeti ynë latin, i përmbledhur në 36 shkronja, i dha gjuhës formë, i dha shkollës hapësirë, i dha kombit udhë dhe identitet. Që nga ai çast, fjala shqipe nisi të shkruhej me rregull, të lexohej me qartësi dhe të trashëgohej brez pas brezi.
Shkronjat tona janë amaneti më i madh i Rilindasve. Në secilën prej tyre rreh një histori, një sakrificë, një dashuri e madhe për atdheun. Ato shkronja u bënë ura që na bashkuan, flakadanë që shuan errësirën e paditurisë, gurë të fortë që mbajtën themelet e arsimimit shqiptar.
Sot, duke nderuar Ditën e Alfabetit, ne nderojmë rrugën tonë drejt dritës. Nderojmë mësuesit që e shtruan këtë udhë, nxënësit që e mbajnë gjallë dhe të gjithë ata që e shkrijnë punën e tyre për të ruajtur pastërtinë e gjuhës. Alfabeti është thesari ynë i përbashkët – shkëndija që ndezi qytetarinë shqiptare dhe vazhdon të ndriçojë horizontin tonë kulturor.
“Tridhjetë e gjashtë zemra drite”
Në Manastir u mblodhën burrat,
me mendje kthjellët, me zemër plot.
U shtuan fjalët, u tretën mjegullat,
u ndez një dritë për këtë tokë shqiptare sot.
Tridhjetë e gjashtë shkronja u ngjitën,
si yje mbi qiellin e një kombi të ri;
u bënë gurë, u bënë shtylla,
u bënë frymë për Shqipërinë e çdo fëmije.
A–ja hapi udhën e shpresës,
B–ja ringriti zërin e gjuhës sonë;
Ë–ja që qeshi butë si fëmijë,
Ç–ja që shkëlqeu si një diell i vogël në mësonjtonë.
Fëmijët sot i shkruajnë ëndrrat
me shkronjat që lindën në Manastir;
ato rrinë në faqe librash si engjëj,
si frymë që rritet, si varg i ndritur në agim.
Lavdi atyre që ndezën dritën,
lavdi alfabetit tonë të shenjtë;
se gjuha jep jetë, mban zemër dhe komb,
dhe shkronjat tona s’do t’i tretë asnjë kohë, asnjë rrymë, asnjë erë e rëndë.