O botë!Olimbi Dafa

Bota mizore, pa ndjenja shpirtërore,
që luan me ndjenjat njerëzore.

Lëre buzëqeshjen tënde
ta ndryshojë botën, por
kurrë mos e lër botën
ta ndryshojë buzëqeshjen tënde.
Dhe kurrë mos e fal,
se ajo del nga një zemër
babëzitur, pa ngjyrë dhe e tharë.

Jepu njerëzve të bukurën, dashurinë,
jepua atë buzëqeshje tënden,
që ka buzëqeshjen e hënës,
që lart në qiell ndriçon.

O botë!
Heshtja flet më shumë se fjala.
Durimi nuk është dobësi,
është kontroll i egërsisë
që ke brenda, vetëm ti.

Ku është ai zë që kjo
botë nuk po e dëgjon?
Pse po hesht e rri si hije?
A dëgjon klithmat e fëmijëve?
Pse nuk bëhesh dritë mirësie?

Ky zë nuk ngrihet mbi dhimbje,
ndaj mos e trazoni, se me
pisllëkun që keni në shpirt,
veten tuaj do ta lëndoni.

O botë,
ku i ke fjalët e ëmbla
që kanë mirësi, paqe, dashuri,
që fjala “liri” të tingëllojë bukur
në veshët e mi?

Nuk është e vështirë
të ndryshosh rrugën e ligësisë,
se është rruga më e shkurtër
drejt paqes dhe lirisë.

Shkruan poeti i mirë,
dhe ngjyrë të bukur merr poezia
kur një zë i brendshëm
shpërthen nga mirësia.

Atëherë poeti botën ndriçon
dhe në çdo zemër njerëzore
dritën e dashurisë përcjell,
se fara e mbjellë është farë
mirësie që lëshon rrënjë
të thella dashurie.

Ky poet është njeri me karakter,
i mirë, me moral e vlerë,
në këtë botë xhungël të mjerë,
që kërkon paqen në çdo derë.

O botë…