Ti s’e di, i dashur …Eli Kanina

Eli Kanina

 
Ti s'e di, i dashur
Që unë e puth orën kur numrat i përputhen
Sa herë që minuta dhe ora, janë të njëjtë aty
Me besimin, se ti je duke menduar për mua
Puth numra, me puthje të panumurta për ty.
Ti s’e di, i dashur
Që më puthesh orë e pa orë, i pakohëshmi im
Sa jemi bashkë, as orë nuk shoh, as kohën s’e mas
Me dëshirën që kjo të jetë, veç ora jote për mua
Çaste-çapitura e çartur, dashuria jonë shëndegaz.


Ti s’e di i dashur
Që koha, me puthje shkon shpejt e pa u ndjerë
Xhepave të kohës, kur humbasim dashuritë
Luajmë me orët, si të pamoshë çukitemi
Orë-terset rrëmojmë për alibitë.


Ti s’e di, i dashur
Fillimisht si e qysh u shpikën orët
Që dikur u përputheshin akrepat, tek ca emra
Tani, u përputhen numrat, si një kujtim flesh
Më pas, orët përputhen e pulsojnë me zemra.


Ti s’e di, i dashur
Që koha nuk i duhet, atyre që duhen
Ndonjëherë, ndoshta do përputhemi edhe ne
As të parët, as të fundit, të mëkatuarit e përkorë
Derisa ta shpikim një dashuri …
Që nuk ka nevojë fare për orë.
ELIVERTA