Nga Boris Miska

Një reagim nga larg.
Belinda ishte foshnje kur përfundoj së bashku me familjen në Roskovec.
Quheshin të dëbuar, në internim, me damkën në shpinë; ARMIQ! Sot grua, njeri e rritur, femër në karrierë, ministre e pse jo edhe z/kryeministre.
Pak ditë para dëbimit, foshnja Belinda e kishte edhe gjyshin, z/kryeministër të parë, burrë me pushtet, ministri më jetëgjatë i mbrojtjes, personalitet që fati dhe lufta për pushtet i kushtuan jetën.
E bëra këtë hyrje sepse u bënë ditë që mbesës së tij, dikur foshnje e internuar, tash si gjyshi z/kryeministre po i tundin prangat. Se di pse po ja tundin kërcënimin, as nuk kam ndërmend ta bëj analizën në e meriton apo jo këtë ndëshkim, por po ta kisha ballazi do t’i thoja nja dy fjalë: Belinda!
Edhe unë e kam patur pasion politikën, biles në diplomën e shkollës së lartë e kam të cilësuar ‘punonjës i shkencave politike’, por i kam qendruar larg asaj, politikës.
Pse! Sepse nuk doja të hyja në këtë terren të pisët, e aq më tepër ta përzieja emrin e familjes e konkretisht të babait tim që ashtu si dhe gjyshi yt, ishte jo pak kohë ministër e dy herë z/kryeministër. Unë ‘zura mend’ se isha i rritur, ndërsa ti foshnje e internuar, harrove!
Tani duhet të përballesh, por e kam të vështirë ta besoj se mund t’ia dalësh! Pse? Sepse e ndjej që falangat, pinjollët e ish-goditësve të gjyshit nuk e paskan me ty e thjeshtë me ty, nuk janë ngopur me aq, dukshëm duan ta ripushkatojnë gjyshin tënd, atë tiranasin me emër, guerilas të orëve të para, gjeneralin dhe personalitetin me goxha peshë në figurat politike të kohës, burrë që ia kishin vërtetë frikën. Ata nuk ngopen, janë passhpinë, klan, hije, mallkim, burracakë, të pabesë, por fatkeqsisht kanë pushtet, e nga kjo të trembin. E njohura dhe padukshmja të trembin!
Unë e kam këtë frikë, i njoh, kokërr për kokërr, ndaj qëndrova larg politikës, nuk ua dhashë këtë shans, të na rigodisnin. Ti foshnje e internuar, duket naive, harrove, u fute në lojë, në terrenin pa rregulla e ligje, xhungël që të thith pa mëshirë.
Të shikoj tani Belinda, foshnje e internuar e më dhimbsesh, por më shumë të qortoj jo për fajet sesa për mundësinë që ua dhe me dorën tënde t’u riekzekutojnë, t’u riinternojnë edhe një herë, ashtu si 51-vjet më parë, të pa nginjur me dhimbjen tuaj, me jetët tuaja, me burgjet tuaja. Ata nuk e paskan thjeshtë me ty o Belinda, por me gjyshin tënd, me atë që e shkelën me këmbë, e futën në ingranazhet dërrmuese të pushtetit.
Duket s’ta paskan mësuar të vërtetën vajzë naive e internuar foshnje, dhe ke besuar se kohët kanë ndryshuar. Gabove!
NY 28.10.25