Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Një fotografi e dërguar nga Dr. Asllan Zemani, të gjetur në librin e Aleko Pojanit, pas gjysmë shekulli më nxiti të shkruaj për tre ushtarakë mjekë, të përkushtuar dhe shembullorë në shërbim të detyrës. Ata janë Mënyr Resuli nga Vajza e Vlorës, Kastriot Zotaj nga Ramica e Vlorës dhe Zylyf Isufi nga qyteti i Durrësit. I bashkoi jeta ushtarake në vitet 1970, në Bazën e Nëndetëseve të Pashalimanit, ku shërbyen për disa vite me radhë.
Aleko Pojani në librin e tij “Nëndetsja 105” shkruan se “në atë kohë personeli i shërbimit në brigadë, përveç ndihmësmjekëve në nëndetëse, përbehej nga mjeku fiziolog Zylyf Isufi, mjeku Mënyr Resuli për objektet e bregut dhe mjeku farmakolog Kastriot Zotaj. Ishte ngritur spitali i brigadës, i cili i përgjigjej shumë mirë nevojave urgjente të efektivit, madje me atë sasi të kufizuar dhomash edhe realizonte kurimet e mundshme, afashkurtra. Ardhja e mjekut farmakolog Kastriot Zotaj fuqizoi së tepërmi këtë shërbim në brigadë. Mbi të gjitha, Kastrioti ishte një lab me prejardhje dhe tradita të mira labi, një smokthinjot, në mos gaboj nga Ramica, por duke qenë i dashur dhe i shoqërueshëm e duke e gjetur të ngritur ambientin shoqëror në brigadë, e përqafoi shumë shpejt atë. Gjatë kohës së qëndrimit tim në brigadë, (Aleko Pojani) ne u miqësuam shumë me njeri tjetrin dhe nuk munguan dhe hyrje daljet në familje”.
Gjatë rreth pesë viteve që punuan së bashku, ata ndërtuan një miqësi të fortë profesionale dhe shoqërore. Në qytezën e Orikumit, ku ishin përqëndruar familjet e ushtarakëve të bazës, u krijua një klimë e veçantë solidariteti dhe bashkëjetese. Ishte një periudhë e artë për të gjithë: Orikumi po ringrihej mbi themelet e lashta historike, ndërsa baza ushtarake po konsolidohej me kuadro të përgatitur, të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
Fotografia, tashmë me vlera historike, ka fiksuar tre ushtarakë: dy nga Flota Luftarake Detare dhe një nga Këmbësoria, të tre mjekë, por me specialitete të ndryshme. Mënyri ishte mjek i përgjithshëm, Kastrioti farmacist, ndërsa Zylyfi specialist i fiziologjisë së marinës.
Çdo mëngjes herët niseshin drejt bazës ushtarake dhe ktheheshin vonë në mbrëmje, pasi përfundonin detyrat dhe anijet luftarake riktheheshin në port. Ishte një kohë e vrullshme, e lodhshme, por njëkohësisht e bukur dhe mbresëlënëse. Shoqëria ushtarake e atyre viteve mbështetej në vlera të forta morale, disiplinë dhe respekt të ndërsjellë.
Të tre ishin simbol i kulturës profesionale dhe i humanizmit. Ishin gjithnjë buzëqeshës, cilësi që buronte nga shpirti i tyre fisnik, nga dashuria për ushtrinë, për njerëzit dhe nga integriteti moral që i udhëhiqte në çdo veprim.
MËNYR RESULI kishte përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe prej vitesh shërbente në bazë, ku ishte sistemuar edhe me familjen. Ai ishte rritur vetëm me nënën, pasi i ati, Fehta Resulaj, kishte rënë dëshmor i Atdheut në vitin 1946, në përpjekje me prishësit e rendit. Po ashtu, gjatë LANÇ-it kishte rënë dëshmor edhe xhaxhai i tij, Gani Resulaj. Familja e Mënyr Resulit nderohej dhe respektohej për kontributin e dhënë në çlirimin e vendit dhe në ndërtimin e jetës së re.
Përveç formimit profesional, Mënyri ishte njeri serioz, shoqëror dhe i muhabetit. Dinte të tregonte bukur histori dhe ngjarje nga jeta, duke i renditur me qartësi dhe mençuri. Në punë dhe në shoqëri shquhej për korrektësi, respekt dhe mirënjohje. Këto cilësi i trashëgoi edhe nga nëna e tij, një grua fisnike, e hijshme, e veshur me thjeshtësi, e cila, edhe pse me rroba të zeza, rrezatonte dinjitet dhe bujari. Familja e tij – bashkëshortja Dallandyshja, djali dhe vajza – u dalluan gjithnjë për thjeshtësi dhe sjellje qytetare. U nda nga jeta i vlerësuar dhe i përcjellë me dhimbje, por edhe me respekt të thellë për gjithçka dha në jetë.
KASTRIOT ZOTAJ vinte nga një familje e madhe dhe patriotike. Një xhaxha i tij, Sadik Zotaj ishte dëshmor i Atdheut, ndërsa prindërit ishin veteranë, punëtorë dhe të ndershëm, që rritën dhjetë fëmijë me sakrifica të mëdha. Kastrioti u bë mbështetje e fortë për familjen, duke marrë mbi vete përgjegjësi të shumta. Në Orikum hapi për herë të parë shtëpinë e tij, ndonëse ishte martuar prej vitesh me bashkëshorten e tij, mësuese Lutfie, së bashku me vajzën Elsa dhe djalin Enrik.
Me punë, djersë dhe ndershmëri fitoi respektin e të gjithëve, jo vetëm në Orikum, por edhe në zonën e Dukatit e deri në Mesaplik. Për të ndihmuar familjen, ai mori përsipër shkollimin e një motër dhe një vëlla, duke dëshmuar frymën e sakrificës dhe solidaritetit familjar, tipike për kohën.
Pas përfundimit të Universitetit, Kastrioti u emërua në stafin shëndetësor të bazës ushtarake. E priti këtë detyrë me kënaqësi dhe përgjegjësi, falë edhe përvojës së mëparshme në repartet ushtarake të Gjirokastrës. Ai ishte njeri tepër human, shoqëror, bujar dhe gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar. Fjala e tij ishte e ngrohtë dhe plot respekt për çdo njeri. U largua nga jeta me dinjitet dhe u përcoll me nderime nga një komunitet i gjerë miqsh e shokësh nga mbarë Shqipëria.
ZYLYF ISUFI, nga Durrësi, vinte nga një familje fisnike dhe ishte mjeku i parë dhe i vetëm në Shqipëri i specializuar në fiziologjinë e marinës. Pas përfundimit të Universitetit në vitin 1969, u emërua mjek fiziolog i Brigadës së Nëndetëseve. Kreu specializime të avancuara në Kinë, në Pekin dhe Shangai, ku u njoh me praktikat më moderne për ruajtjen e shëndetit të ekuipazheve nënujore.
Fillon punën në Bazën e Pashaliman, ku shërbeu deri në fund të viteve 1980 si mjek fiziolog dhe mjek shëndetësor i bazës. Ai kishte përgjegjësinë që, përpara çdo lundrimi, të përzgjidhte efektivin, të caktonte ngarkesat e zhytjeve dhe të siguronte kushte optimale pune për ekuipazhet.
Zylyfi përcaktonte parametrat funksionalë të çdo marinarit: kohën e qëndrimit nën ujë, kufijtë e përballimit të mjedisit, ritmet e punës dhe të daljes në sipërfaqe. Gjatë karrierës së tij, ai ka lundruar 22 ditë me nëndetëse në thellësi deri në 50 metra, në kushte ekstreme temperature, lagështie dhe ajri të kufizuar, nga Adriatiku deri në Santa Maria të Italisë.
Deri më sot, në Shqipëri nuk ka një specializim të strukturuar për fiziologjinë dhe mjekësinë e marinës. Zylyf Isufi ishte një rast i veçantë, një profesionist që i kushtoi gjithë jetën mbrojtjes së shëndetit të marinarëve dhe shpëtimit të jetës njerëzore. I thjeshtë, i qetë dhe i matur në gjykime, ai mbetet “doktori i heshtur” që shërbeu me përkushtim për një armë të tërë. Në Orikum krijoi familjen, u martua me Netën dhe jetonë në Tiranë mes nipave dhe mbesave.
Fotografia e shkrepur para gjysmë shekulli vazhdon të flasë edhe sot: për një shoqëri me vlera, për një miqësi të pastër dhe për njerëz që dinin të bashkonin dijen, humanizmin dhe detyrën për t’i shërbyer Atdheut.
