Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Dashuri në hije…Nga Nexhbedin Basha

Dashuri në hije…Nga Nexhbedin Basha

Dashuri në hije…

Tregim

Nga Nexhbedin Basha

Poet dhe gazetar

Pranvera nuk erdhi me zhurmë. Ajo hapi derën ngadalë, si dikush që nuk kërkon leje, por as nuk imponohet. Një liqen, i pagëzuar dikur me emrin “I Mjelmave”, reflektonte më shumë pallate e vila sesa qiell; megjithatë, uji ende ruante kujtesën e gjelbërimit.

Në një kthesë rruge, atje ku njerëzit ndaleshin për të lënë pas ditën, qëndronte një kafe pa zë, me emër stine: “Stina e Heshtjes.”

Brenda saj, ajri kishte aromë kafeje të ngrohtë dhe fjalësh të pashqiptuara. Dritat e buta binin mbi tavolina si mendime të mbajtura brenda, ndërsa lulet e dekorit, edhe pse artificiale, dukej sikur kishin mësuar të heshtnin.

Ajo ishte aty.

Një vajzë me librat ende të ngrohtë nga bankat e Universitetit të Tiranës, e ardhur drejt jetës me hapin e atyre që sapo kanë mbyllur një stinë.

Sytë e saj nuk flisnin, por as nuk fshiheshin.

Dikush e thirri me zë të ulët:- Liza…

Emri u përhap në ajër si një sekret i butë.

Ai u ul në një cep, me një kafe ekspres të lehtë dhe një fletore që e njihte dorën e tij. Fjalët i vinin hap pas hapi, pa ngut. Kur e pyetën për emrin, u përgjigj me qetësi:- Bledar.

E shkroi emrin poshtë një vargu, si ta linte aty për t’u lexuar vetëm nga heshtja.

Flladi nga mali i Dajtit sillte freski, ndërsa mbrëmjeve hëna ndizej mbi xhamat si një sy që vëzhgon pa gjykuar. Kafeneja mbushej me zëra larg, me ndeshje futbolli dhe emra që vinin e shkonin, por mes gjithë kësaj, Bledari dhe Liza krijuan një qetësi të vetën; një hapësirë ku fjala nuk kërkohej.

Ai fliste me metafora: jetë, syshkruar, mbretëreshë…

Ajo dëgjonte pa premtime.

Ai dërgonte fjalë me kujdes.

Ajo i mbante, pa i kthyer në zë.

– Mos shkruaj…

i tha një ditë, jo për ta larguar, por për ta ruajtur atë që ishte më delikate se fjala.

Ai e kuptoi: fjala për të ishte frymë, heshtja për të ishte strehë.

Koha rridhte pa trokitur. Ditët u bënë stinë, stinët u bënë vite. Shiu lante rrugicat dhe sokaket, bora rrallë zbriste, por kur vinte, sillte një bardhësi që nuk kërkonte shpjegim.

Në një pasdite të ftohtë, natyra u përpoq të thoshte atë që ata nuk e thanë kurrë.

Bledari e dëgjoi.

Liza buzëqeshi.

Disa vjet respekt, kujdes dhe prani e përmbajtur kaluan pa u thyer. Vija nuk u kapërcye. Sepse ajo kishte botën e saj. Sepse ai mësoi se disa ndjenja lindin jo për t’u bërë histori, por për t’u bërë njerëzillëk.

Pastaj erdhi tërheqja.

Jo si largim.

Por si një pushim i gjatë, për të ruajtur pastërtinë.

Bledari tha “ndjesë”, edhe pse askush nuk ia kërkoi.

Liza vazhdoi jetën, siç vazhdojnë ata që dinë të mos e lëndojnë as veten, as tjetrin.

Shiu vazhdon të bjerë mbi liqenin pa mjelma.

“Stina e Heshtjes” mban ende aromën e kafesë dhe të fjalëve që nuk u thanë kurrë.

Hijet shtrihen mbi tavolinat bosh, pa dhimbje.

Disa ndjenja nuk lindin për t’u realizuar, por për të na mësuar të dëgjojmë edhe kur nuk flasim.

Dashuri në hije…

Nexhbedin Basha

15 janar 2026