DINO KUBATIS

Tema: Dimensioni dhe (ç)dekodimi i miteve ballkanike, në poezinë e Dino Kubatis.
Dino Kubatis, është një shkrimtar, poet, regjizor, aktor dhe dramaturg grek i cili njihet në Ballkan për kontributet e tij letrare, dhe konkretisht, për përpjekjet e tij për të promovuar lidhjet kulturore dhe njohjen reciproke midis botës letrare greke dhe asaj shqipe. Kubatis është angazhuar në nxitjen e dialogut midis komuniteteve letrare të Greqisë dhe Shqipërisë. Ai përshkruhet në disa burime, si një poet arvanitas, duke theksuar një lidhje të mundshme personale me komunitetin shqipfolës në Greqi. Por, në fushën e letërsisë (romanit/poezisë/dramës), pak njihet apo aspak. Nuk ka shkrime për/mbi veprën e tij letrare dhe peotike, as ndonjë ese për stilin e tij letrar apo dhe rrymat letrare. Pavarësisht se letërsia e Kubatis në Ballkan shkon përtej punës së tij personale; për të kapërcyer ndarjet historike dhe kulturore përmes vlerësimit dhe njohjes së ndërsjellë letrare. Maria Todorova, diskutoi se si ballkanizmi mund të paraqesë një kundërpeshë ndaj eurocentrizmit, duke vënë në dukje se, një fantazmë po endet rreth kulturës perëndimore, fantazma e Ballkanit (Todorova: 2997 :101). Dimensionet e letërsisë së Ballkanit jugor, shpesh i studiuar brenda kontekstit më të gjerë të Letërsisë Botërore të Ballkanit) përqëndrohet në kryqëzimin e gjeografisë, shtresave historike (osmane, bizantine dhe romake) dhe formimin e identitetit rajonal. Ky dimension, ballafaqohet dhe si:
- diplomaci kulturore,
- ndërtim urash letrare (duke theksuar rolin e saj në promovimin e kulturës shqiptare),
- tejkalimin e barrierave borukratike mes shteteve ballkanike,
- lidhje kulturore brenda rajonit,
- si arti është mjeti për bashkim dhe njohje reciproke (kulturash).
Letërsia ballkanike bëhet një formë përmes së cilës, minohet eurocentrizmi, me qendrat e pushtetit që zhvendosen kryesisht bazuar në kritere gjeografike (Damrosch: 2023), që padyshim vepra e autorit ka dimension ballkanik dhe përtej/ballkanik.
Libri me poezi “Të dashurisë dhe jetës” (Kuobatis: 2024) kryesisht me lirika, ku dallohen shqetësimet e poetit duke formësuar, fytyrën e përditësisë, herë me dritë dhe herë me hije, herë me shumë ngjyra herë bardhëezi, duke shenjuar gjurmët e kohës/historisë/mitologjisë, prandaj poezia e tij është si një udhëtim, nëpër vende, kohë, vreshta, burime, male, dete, ishuj, plazhe, faltore, kështjella, trena, stacione, mite, mitologji, amfiteatër, kujtesë historike dhe kombëtare, përtej dimensionit të identitetit të tij (skenik dhe shkrues), përtej dimensionit shqiptaro-grek dhe atij ballkanik, ai është apogjeu misionar që lidh urat e përbashkëta të dy kulturave /gjuhëve/ historive/popujve fqinjë të moçëm sa vetë Ballkani. Lirika e tij, nuk lidh vetëm çastet, momentet, kohët, por gdhend vargun dhe fjalën, prandaj poezia e tij duket si një hartë e një udhëtimi jete (Çerkezi : Iden : 3), në vargjet: shumë ikën kurse unë mbeta në stacionin e trenit/duke pritur më kot të kalojë mbi shina utopia, poezia: “Në stacionin e trenit”, duke i këngëtuar lëvizjes, përtej rregullave të shkrimit (që poetit as i interesojnë ato). Poezia endet me tokës dhe ishullit të Sikinos, që i ka kushtuar dhe vargjet: natën flladet ledhatojnë melodikisht/ngjyrat vezulluese të yjeve./Ishull, që pasionant përqafojnë dallgët e Egjeut./Ishull, i dorëzuar në ujin e kripur erotik./Ishull, që kundron mes detit blunë e pafund./ Sikinos! Ishull, porti i shpirtrave tanë poezia, “Sikinos..”, gjithashtu se si nocionet metaforike të ishujve si simbole të kombit mund të përshtaten në kontekste të ndryshme ideologjike dhe politike dhe zbulojnë se sa thellë janë të ngulitura në vetëdijen kolektive dhe identare të autorit. Mesdheu i vendosur midis Greqisë dhe Romës, popujt e bregdetit Adriatik dhe Jonik, dallohen nga dashuria dhe përkushtimi ndaj detit, dritës, por dhe poezisë. Vargjet: kapërcej male e pyllnaja në tokën e pabanuar të kurmit tënd/për të arritur në parkun e kaltër të shpirtit, ku ishulli femërozohet ose personifikohet me një vajzë, përmes tropeve metaforike shumë të gjetura.
Poezia dekodon:
- dekodimi i imazhit të historisë, (ku historia e Ballkanit, në përpjekjet e tyre për të krijuar
shtetet kombëtare dhe për të forcuar e përhapur vetëdijen kombëtare), se kishin luftuar për shekuj me radhë për të ruajtur lirinë dhe identitetin e tyre etnik (Sandeis: 1962: 80), në arenën ballkanike, duke ruajtur mënyrat tradicionale të jetës dhe karakteristikat kombëtare “të paprekura”. Eptimi i detit/malit apo dhe tokës/ishullit, por del në pah dhe imazhi i qyteteve, fshatrave, faltoreve, historisë që lidh jo vetëm Shqipërinë me Greqinë, por dhe gjithë lëvizjet në Ballkan nëpër shekuj e bën poezinë dhe më sfiduese. Një vetëdije demokratike e zhvilluar mirë, ku barazia shoqërore, ndihma dhe solidariteti i ndërsjellë i përkisnin atyre parimeve që pretendohej, se karakterizonin dhe komunitetet malore, fushore apo detare, përmes vargjeve: degë ulliri mban në sqep pëllumbi i bardhë/dhe gjethet shenjtëron/në ujërat e thella blu të detit/ Jonian./Miqtë, armiqtë, pushtues, fantazma,/zgjohen natëve yjekthjellëta,/“falje” t’i kërkojnë/ qytetit të përjetshëm që tradhtuan./Ilirë, grekë, bizantinë, romakë, kërcejnë sërish/në rrënojat e kështjellave të pathyeshme/rrokullisen të dehur nga bukuria e viseve./Mbretërit, Mbretëreshat, Princat, Shenjtorët,/pushtuesit dhe çlirimtarët,/panair të përbashkët bëjnë dhe bekimin shprehin
që në girin e tij jetuan./Sot, në mjegullën e Historisë, si në ekran/lavdia projekton, duke mbajtur në duar/kurorë dafine./Sot, qyteti shkëlqen nga bukuria/dhe Historia/bijë të denjë e thërret,/dhe me të drejtë krenohet./Sot, perënditë, luftëtarët dhe heronjtë,/përulësisht depozitojnë dashurinë,/në qytetin e denjë e modest/dhe përkulin gjurin me nderim, poezia “Saranda” me shënimin: (Sarandë, 2014). Vlera të veçanta morale, të tilla si nderi, besa (fjala e dhënë), sipas shkencëtarëve shqiptarë, gjithmonë i kanë konceptuar virtyte morale, duke ruajtur “gjuhën dhe etnokulturën e shqiptarëve” në përgjithësi, si dhe vetëdijen e tyre kombëtare nëpër shekuj. Pasuria kulturore e mendjes dhe shpirtit të shqiptarëve ka qenë shkaku, por edhe pasoja e mbijetesës (Tirta:1999 :93), ashtu si vetë identetiteti i autorit arvanitas. Kjo është sigurisht e vërtetë edhe për studimet ballkanike, veçanërisht në krahasim me disiplina të tjera që prekin të njëjtin rajon, siç janë studimet sllave, studimet bizantine, studimet (moderne) greke, studimet osmane dhe turkologjia. Sipas përkufizimit, termi “Ballkan” është më i lidhur ngushtë me një territor specifik gjeografik (gadishullin ballkanik, Ballkanin) sesa me ndonjë karakteristikë etnike, fetare ose kulturore (“turke”/ “grek” /“sllave”/ “islame” ose “kristiane”/ “osmane” /“bizantine”). Prandaj, problemi i kufijve dhe dimensioneve hapësinore të rajonit është i ndërthurur me çështjen se çfarë është Ballkani, dhe në mënyrë të pashmangshme edhe me çështjen se cili është objekti i studimeve moderne ballkanike.
- Dekodimi dhe (ç)mitizimi i miteve dhe mitologjisë ballkanase, (dekodimi i miteve të

Ballkanit). Besimet dhe bestytnitë, mitet, zakonet dhe traditat, bashkë me besimet tek shpirtrat e vdekur (bestytnitë), se shpirtrat e të vdekurve, të cilët të paktën janë të pagëzuar, e dinë se çfarë është jeta dhe çfarë do të thotë vuajtje. Nimfat/nereidat/zanat/shtojzavallet/ falltoret/sibilat etj., nga mitologjitë, ashtu si natyra, e cila ose e mbron ose e shtyp njeriun. Perënditë dhe perëndeshat e lashta kanë vdekur prej kohësh dhe vetëm reliket e tyre prej mermeri mund të gjenden në muze. Nimfat ngjajnë, më shumë me zanat dhe sirenat më shumë sesa ato i imagjinoni (Uvan: 2023: 113). Poema “Delfi”, është ndoshta më përfaqësuesja e këtij vëllimi, sepse poeti ka përveç universializmit të miteve ka (ç)koduar ato. Delfi në post/modernitet është (ç)shenjtëruar. Delfi, është vetëm një mit, nga ku zënë fillë gjithë mitet dhe mitologjitë greke dhe ballkanase. Vargjet: Shenja epokale e stinëve/Delfi im i dashur shenjtëror!/Në udhëkryqin e ekzistencës së Universit,/ ngjan yllësi drite të pashuar./Fuqia e Dijes, kërthiza e Mendimit,/Shenjtërorja e pastrehuar dhe e fshehtë e Qenies së Përjetshme./…/Hyjni i gjithë adhuruesve, i Apollonit hyjnor…/Djepi dhe faltorja i falltares dafinës,/djep i falltares femërore./Piedestal vlerash i patejkalueshëm, i/ përjetshëm, sibilik./Pelegrinë Aleksandrinë, katalizatorë Neronianë,/Grekë të konvertuar, heteroseksualë të nderuar,/shkëlqim i shekujve…/…./Mure prej druri lundrojnë në ngushticat e Salaminës,/të shigjetojnë, për të mbytur armikun në harresë…/Turma Barbarësh, hordhi afetarësh përpiqen të shtypin/Lavdinë hyjnore të Delfit./Dhe atje, hyjni Titanësh bubullojnë kordat e lirës së Apollonit,/trandet vendi, përmbysen Fedriadët/dhe zhduket armiku…/“I thoni mbretit…” – u thoni njerëzve…/Burimi rrjedh…/Tokë e Shenjtë…/Delfi…/Nata perhap tisin e saj mbi Tokë./Natë bota e ditëve të mia./Dritë e vetme Ti Delfi./Delfi i botës, i dritës/dhe i zemrës sime…, janë vargje të çliruara nga metrika “mbytëse”, falë leximit të Ricos-it, Seferis, Elitis-it, sjellin një ritëm dhe frymë ndryshe në poezinë moderne greke. Këtu fillon dhe profecia e një jugori, mes dielli, detit, shkëmbit, malit, barit, rërës, ullirit dhe vetë qenies së tij Njeri. Aty është vatra ekzistencial i rrënjës. E poezisë. E rritjes. E diellzimit. Ishin ata vise që mbollën farën dhe ngjeshen bukën në magjen e epokës së miteve dhe të vërtetave, me hijen e Elitis me përlot energji pagane, me mitologjia klasike greke dhe bizantine deri tek besimet dhe blatimet bibliko-judaike, ngaqë gjuhët janë sisteme josimetrike, kurse kulturat në rrafsh sinkronik. Kjo mitologji e përzier, lidhet me mitet dhe besimet biblike, semite, hebraike etj., ku shkrihen mitet me heronjtë, janë paratekste nga shkrimet e tragjedive të vjetra greke dhe hebraike. Mitet, ishin nëna e Muzës, që frymëzon poetët, po, jo në atë shkallë, ku Zoti frymëzonte orakujt, pasi kemi të bëjmë, me një vargan mitesh të zhvendosura (Fraj:1990: 77). Poeti është i vetëdijshëm me dhimbje se marrëdhënia e tij me hapësirën që ai harton, është në mënyrë të pashmangshme edhe personale edhe metafizike, tek poezia “Butrinti”, orë natë, me një hënë të plotë në kupën e qiellit,/në podiumin e Teatrit flijova maska, këpucë, valle dhe aktorë./Euripidin pashë duke inskenuar me adhurim “Troadet”,/Andromakën dhe Helenon, sypërlotur tek përkuleshin para Historisë së lashtë./O, Butrint!…/Komunikim hyjnor, pasion hyjnor, ekzaltim hyjnor../ Ripagëzim në ujërat e bekuara të liqenit të shenjtë,-Restaurimi i liqenit me vetëdije të plotë./O, Butrint/Në gjurmët e perëndive antike,/pjesë të shpirtit tim rinor do të gjesh.
- Shenjëzimi post/modern, (topika metaforiale e detit/ujit/ishullit dhe si kryemetafora,
përmes topikave së ambiguaditetit metaforiale e trinisë tokë-qiell-det), që lidh elementin e fuqisë së poezisë me shpirtin individual, si një simbol që e drejton drejt shpërfaqjes “par excellence”, në strukturat e kuptimit, jo vetëm si paradigma të përcaktimit ideor-poetik, por vetë qëndrimi filozofik i kategorisë së shenjave si poetika e papërcaktueshmërisë (Lacoue-Labarthe: 1978: 38).
Analiza e ndërteksturës, fokusohet në marrëdhëniet e tekstit brenda dukurive të botës librore dhe jashtë tij. Kumtet simbolike dhe metoda e analizës, shqyrton përmes ndërteksturave: a) historike, b)gojore-shkruese, c) kulturore, d) sociale. Ekzaminimi i këtyre teksteve të ndryshme e vendos tekstin në kontekstin e duhur. Kurse ndërteksturia historike ka të bëjë me detajet specifike rreth ngjarjeve të përshkruara në tekst. Kjo metodë e analizës shqyrton natyra të ndryshme të teksteve dhe kërkon të konfirmojë ngjarjet historike duke e krahasuar tekstin me burime të tjera (Robbins: 1996: 6). Rifunksionalizimi i miteve në formë ndërtekstorie është në tre nivele:
- elemente të miteve letraro-historike,
- elemente të mitologjisë biblike Kristiane,
- elemente të mitologjisë greke, sedistanca kohore, si marrëdhënie e domosdoshme me të
vërtetën, është veprim i subjektivitetit të personit, por dhe vendosja e personit brenda procesit të traditës, në të cilën e shkuara dhe e tashmja shkrihen vazhdimisht bashkë (Gadamer: 1965). Teksti poetik është ndërtuar, lidhur me të menduarit modern, pra e lidhur me normat e një poetike modern(-iste). Teksti letrar, bëhet ndërmjetës i sistemeve të tjera semiotike dhe anasjelltas, ndërmjet të lexueshmes dhe të dukshmes (Culler: 1997: 22) të poezisë postmoderne, që shpesh përdor aleanca të ngjashme, ndoshta strategji, që në heshtje të njohë vështirësitë për të konkuruar me kaq shumë forma të reja të të shprehurit.
- Shenjëzimi i simbolikave mesdhetare: Mesdheu është i banuar nga perënditë pagane.
Ata, jetojnë nëvende të diellnuara, me aroma gjethesh jaseminësh dhe ullinjsh. Nën armaturën e argjendtë të detit, në qiellin blu, apo nën kapelën e zjarrtë të diellit, rrënojat shekullore mesdhetare, janë të mbuluara me lule, me vise solare (të diellta) dhe plot dritë, mes grumbujve të gurëve të bardhë (Todorova: 2009: 148 ). Tofjalëshat: “vija intensive e horizontit blu, blu”, apo “një jehonë e rrënuar e qiellit”, “një diell pak i mirë, i shoshitur”, apo tofjalëshat si : “autopsia e diellit”, “aromat e vajrave të ullinjve”, “lëngu i detit”, janë tropet metaforike që ka dekoduar Elitis, si mitin e “pathyeshëm” të mesdheut (Pourgouris: 2008: 32), duke e sendërtuar spektrit e poezisë së Kubatis, ashtu si dhe Elitis-i, elementet e Mesdheut, përfaqësojnë një sistem kompleks filozofik, ku ndërveprimi i diellit me peizazhin detar, është një përvojë metafizike, duke ndërthuar orientalizmin dhe ndërveprimin e shqisave njerëzore me forcat natyrore të Jonit dhe të Mesdheut. Simbolika e gjenezës ballkanike, e shpërfaq autorin dhe si njohës të mendësisë ballkaike, pasi ai është një ballkanas jugor. Përpos diellit, detit, erës, malit dhe ullinjve, ballkani jeton mes baladave, zakoneve, besimeve primordiale pagane dhe atyre bibliko-kristine dhe islamike, ku fjala: [det/deti/deteve/detrave: del 16 (gjashtëmbëdhejtë herë)]. Ballkanasit janë pijetarë, detarë, valltarë, armëtarë, luftëtarë, ngatrestarë, endacakë, bërtitës, gjaknxehtë, tashethemexhinj, kuvendarë, tradhëtarë, dijetarë, urtakë, buqër dhe sidomos dashnorë dhe xhelozë (Krosi: 2025).
- Metafora e shpirtit dhe dashurisë, nuk është shiu./Është loti/që ndanë rrugës po
pikon./Është fillimi i lumit/që nis nga zemra ime, nga poezia “Loti” me shënimi (Salaminë, 2008). Poezia e fundit, është poezia për dashurinë. Një lirikë dashurie, ku sentencat e sendërtimit të simbolit të shpirtit, saora përrokin fiziken, por nënkuptojnë dhe metafiziken. Lënda dhe materia, trupi dhe shpirti, kërkon trupin për shprehjen e tij: “natyralja e përsosur” kur shpirti është i papërsosur dhe [fjalët shpirt/shpirti/shpirtrat: dalin 27 (njëzeteshtatë herë)]. Sipas neoplatonistëve, që besonin se dashuria përfshinte shkëmbimin e zemrave ose shpirtrave (Targoff: 2008 :61) në poezi, nuk ka lidhje me atë lloj transhendence, kurse vargjet: mbrëmë zemërdridhur të thashë të dua/përballë fytyrës sate të qetë./Doja të thoshja gjithçka e imja jotja do jetë/Po s’ gjeja fjalë për ta trasmetuar./Ti më shikoje në sy butësisht/duke përkulur kokën tënde të bukur./“Të dua” thashë sërish nga poezia ; « Mbrëmë…”
- Stilistika poetike. Poezia ka një strukturë të çrregull. Me metafora/ krahasime /përsëritje/
anafora/simbole/retiçensa etj., një sërë epitetesh në mënyrë që të ishte në gjendje të përshtatej në çdo hapësirë të përbashkët metrike, nga aludime paraprake dhe retrospektive, nga paralelizma krahasuese dhe kontrastuese, dhe shumë mjete të tjera të ngjashme strukturuese (Hainsworth:1968 :54), dhe shumë figura të tjera stilistike. Ndërtime e fjalëve të përbëra dhe përngjitura me [parashtesën -pa/-për]:
- fjalët çelësa: hëna /deti /era /trenat /loti /qielli /ishull /yje /dallgët /Egje /Kandil /port
/qyteti/ Saranda/Athina/kufij/orë/bota/qesh/Delfi/pelegrin/endacak/katarsis/shiu/orë/dashuri.
- Tofjalëshat:vetëpërshtatën/shumëshëtiturë/kurrkund/mbasditet/ paperëndueshme/
mikpritëse/përkulin/përulësisht/yjekthjellëta/marrëdhëniet/buzëqesh/penelata/pabanuar/përulem/ mirënjohje /përgjak /ditëzeza /pafund /pakuptimtë /paarsyeshme /padrejtën /padukshmen/ patejkalueshëm/ përjetshëm/heteroseksualë/jetëdhënës/ përjetshëm/ parathënës/ pakalushme/ ripërfytyrimi/ përpiqen /lavdimëdhenj /sypërlotur /kundërmoje /zhurmëmëdhenj /mesnata… tridhjetë/shpërfylshëm/përmbytje/fytyrpërulur/parakaloni/përkund/plangprishës/bashkëregjent/paragjykime/pavarur/katërmbëdhjetë/gjithçka/marramendës…/ mospërfillës /vrulleshumë/përkrah/ pambarimit/ përjetësisht/ zemërdridhur/ fatkeq/bregdeti.
- Fjalët e reja /neologjizmat: vrullojnë/argjendon…/ tërmeton/ bubullojnë/fajësuar/
shterpor/ lulërisë.
- Vargje me ngarkesë metaforike: por nëse lëviz si kokërr rërë në ajër,/ thua se përmes
guackës së kujtesës/në ëndrrat e mia, me penelata të purpurta/për të arritur në parkun e kaltër të shpirtit/unë qëndroj në kufijtë e orëve/ për të mbytur armikun në harresë…/ ëndrrat që thurra në netët me yje/e thërmova trëndafilin e kuq/luftoj me shtiza rrufesh dhe vetëtimash/doja që zemra ime të bëhej fllad i ngrohtë/shpirtin ma shoqëron vetmi e ngrirë!…/ gurët e syve të tu…/ me diellin përqafuar.
- Enumeracioni: hordhi barbare, shkatërrime, mjegulla, furtuna/ madhështore, imponuese,
hyjnore…/ komunikim hyjnor, pasion hyjnor, ekzaltim hyjnor/ ilirë, grekë, bizantinë, romakë etj.
Sëfundmi: pozia e Kubatis, është një ngjizje mes mitesh dhe mitologjish, historive dhe qytetërimeve ballkanike, besimeve dhe feve ku këto qytetërime nëpër shekuj kanë sendërtuar lidhje dhe marrëdhënie të ndërsjella, përmes shkëmbimeve jo vetëm kulturore dhe gjuhësore, por edhe përmes lidhjeve finsore dhe krushqive, duke bashkëjetuar dhe në të njëjtin territor gjeografik. Por, kjo pasuri e madhe pak njihet nga lexuesi shqiptar. Kubatis, njihet më shumë si aktor/regjisor dhe dramaturg. Shmangia e shumë shkrimtarë të Diasporës, përveçse i qëllimshëm është dhe diskrimisues, për vetë vlerat e një kategorie “elitë” të letërisë dhe kulturorogjisë shqiptare. Kritika, përpos mëkatit të “harresës” bashkë me institucionet letrare shtetare, duhet të “gjykojë” vlerat jo emrat, sado të “mëdhenj” dhe të “vegjël” qofshin.
BIBLIOGRFIA:
- Culler, Jonathan. (1997): Literary Theory. A Very Short Introduction. New York.
- Damrosch, David. (2023): Epic Tradition in Balkan world literature. Neohelicon.
- Fraj, Northon. (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë
- Gadamer, G. Hans. (1965): Truth and Method, London.
- Hainsworth, John. Bryan. (1968): The ainsworth, Flexibility of the Homeric Formula. Oxford.
- Krosi, Emrije: Imazhizmi, si vibrim liriko-universal, në poezisë e Niko Kacalidhës, “Fjala e lirë”, Londër: https://www.fjalaelire.com/post/emi-krosi-imazhizmi-si-vibrim-liriko-universal-n%C3%AB-poezis%C3%AB-e-niko-kacalidh%C3%ABs
- Kuobatis, Dinos. (2024). Të dashurisë dhe jetës, përkth: Petro Çerkezi, “Barleti”, Tiranë.
- Lacoue-Labarthe, Philippe. (1978): The Caesura of the Speculative. Trans. Robert Eisenhauer, Glyph 4.
- Pourgouris, Marinos. (2021): Mediterranean Modernisms the Poetic Metaphysics of Odysseus Elytis. University of Cyprus, Cyprus.
- Robbins, Vernon. K. (1996). Exploring the texture of the texts: A guide to socio-rhetorical interpretation. Harrisburg, PA: Trinity Press International.
- Sandeis, Irwin T. (1962): Rainbow in the Rock. The People of Rural Greece, Cambridge : Harvard University Press.
- Tirta, Mark. (1999): Kulti i disa zakoneve të lashta në mbijetesën etnike shqiptare, (referat i lexuar në konferencën: roli i mitit në histori dhe zhvillim në Shqipëri), Londër, 11-13 qershor.
- Targoff, Ramie. (2008): John Donne, Body and Soul. The University of Chicago Press. Chicago and London.
- Todorova, Maria. (2997): Imagining the Balkans. New York, Oxford, Oxford University Press.
- Uvan, Marko. (2019): Worlding a Peripheral Literature. London, Palgrave Macmillan.
Janar, 2026.