Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Fali Ndreka boton në Itali "Le altezze del pensiero". Përkthyer nga Irma Kurti

Fali Ndreka boton në Itali “Le altezze del pensiero”. Përkthyer nga Irma Kurti

Botohet në Itali libri me proverba dhe aforizma i autorit shqiptar Fali Ndreka, përkthyer në italisht nga poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti. Përmbledhja titullohet “Le altezze del pensiero” (Lartësitë e mendimit) dhe mban logon e shtëpisë botuese Youcanprint. Kopertina është realizuar nga fotografi Biagio Fortini. Parathënia është shkruar nga Elez Daci Brethari, një ish-nxënës i autorit dhe poet. Në parathënie lexojmë: “Fali Ndreka – mësues, poet, publicist, njeri i mendimit – mbetet një burim drite dhe frymëzimi për ne, dhe unë, tani një poet në udhëtimin tim, jam krenar që kam pasur një mësues si ai. Vepra e tij ndriçon çdo hap që bëj, çdo rresht që shkruaj, dhe qyteti ynë ka çdo arsye të ndihet krenar për të, ashtu si çdo nxënës ndihet krenar për mësuesin që, me fjalë dhe shpirt, bëhet i përjetshëm.

Proverbat dhe aforizmat që lexuesit do të gjejnë në faqet e këtij libri janë vetëm një pjesë e punës, këmbënguljes dhe përvojës së Fali Ndrekës gjatë karrierës së tij të gjatë letrare. Ato janë një libër i hapur, mësime të çmuara për të dashur të afërmin, për të bërë të mira, për të ndihmuar dhe respektuar njëri-tjetrin, dhe për të ndërtuar një botë paqeje. Asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë në një jetë të përditshme frenetike ku mbizotërojnë egoizmi dhe indiferenca.”

FALI NDREKA është poet dhe publicist shqiptar. Ai është gjithashtu nënshtetas italian. Jeton prej 18 vitesh në veri të Italisë (Milano).

Ka kryer studimet në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë dhe ka mbaruar Universitetin e Tiranës në degën gjuhë – letërsi. Ka ndjekur dhe është kualifikuar në kursin  3-vjecar në Teologji-Filozofi. Ka punuar si mësues ne zonën e Dibrës dhe para viteve ’91  ka botuar në disa gazeta të shtypit shqiptar si “Luftëtari”, “Ushtima e Maleve”, kurse më pas në “Gazetën Nacional” dhe Gazetën “Dibra”. Eshtë çertifikuar si publicist nga Instituti i Trajnimit të Revistave Evropiane Lindore dhe Vëllazëria Ungjillore, në nëntor 1995. Ka punuar si drejtor i dy gazetave periodike: “Mjekësia Natyrale” e “Natyra për Njeriun”. Eshtë drejtor i revistës “Albanopuli”.

Në vitin 2006 ka publikuar librin e parë me aforizma:  “Jeta dhe Natyra” dhe në 2013 ka shkruar monografinë “Kroati që vdiq për Shqipërinë” dedikuar historianit kroat Milan Shuflay. Në 2024 ka botuar librin e parë me poezi: “Në rrugën e jetës”; në vitin 2025 ka botuar librin  e dytë me poezi: “Dallgët e jetës” si dhe  dy vepra të tjera me proverba dhe aforizma: “Jeta dhe Natyra” dhe “Lartësitë e mendimit”.

Fali Ndreka është autor i mbi 250 poezive. Fitues i disa çmimeve të para në poezi, ai është nderuar me diploma nga vende të botës, si në Shqipëri, Argjentinë, Meksikë, Filipine, Indi, Brazili Kolumbi. Për kontributin në fushën letrare, i është dhënë titulli Ambasador i Paqes në disa vende të botës. Është anëtar i Akademisë Indipendente Demokratike Braziliane për Letërsinë. Poezitë e tij janë botuar në disa revista dhe gazeta ndërkombëtare, si dhe në antologji letrare në shumë vende të botës. Aktualisht po punon me dy përmbledhje poetike që së shpejti do të shohin dritën e botimit. 

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Shqipëri, Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Sëitzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.

Irma Kurti ka botuar mbi 115 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës.