
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Vepra e Fatos Dacit është shkruar me gjuhën e tokës ku lindi dhe u rrit. Ai u nda nga jeta si çdo njeri, por la pas një trashëgimi të çmuar historike, studimore e publicistike, së cilës brezat do t’i referohen dhe do t’i përulen me respekt para çdo gërme të shkruar për Shqipërinë dhe për Dibrën e tij të dashur.
Fatos Daci ishte ai burrë i urtë e punëtor që na lidhi e na miqësoi me Dibrën heroinë. Ai na ftoi në Sinë, vendlindjen e Skënderbeut, në Peshkopi për konferenca shkencore mbi luftërat shekullore të popullit dibran, në Tiranë, në Akademinë e Shkencave, për 100-vjetorin e Luftës së Dibrës, si dhe në dhjetëra veprimtari të tjera historike e kulturore.
Kam pasur fatin të jap mendime për shumë prej veprave të tij, të shkruara gjatë rrugëtimit të tij të gjatë historik. Edhe pse i sëmurë, ai më kërkoi mendim për librin e fundit, “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër”. Titulli më pëlqeu menjëherë dhe i thashë se aty po vija edhe unë, sepse historia e Dibrës është e veçantë: një histori që armikun e ka pasur gjithnjë pas shpine, ndërsa trevat e saj janë lakmuar ndër shekuj.
Kam lexuar shumë nga librat e tij, por veçanërisht “Kjo është Dibra”, “Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës” etj., botuar gjatë tri dekadave, ku çdo gërmë hedh dritë mbi historinë e Dibrës. Fatos Daci ishte dhe mbetet një nga autorët që e shfaqi hapur dhe pa kursim dashurinë për këtë trevë.
Largimin e tij nga jeta e përjetova me dhimbje. Isha larg atdheut, por me zemër u gjenda pranë dibranëve për këtë humbje të një njeriu të mirë, bujar dhe të përkushtuar. Ai na la libra që flasin e kuvendojnë për një trashëgimi të pasur letrare, publicistike, studimore e shkencore. Vepra e tij përfshin shumë tema, por kryefjala mbetet historia – histori e shkruar mbi dokumente, me qartësi mendimi, por edhe me zemër e dashuri për figurat historike që ai i ringjalli.
Gjatë rrugëtimit të tij, ai shkroi për Dibrën, hartoi enciklopedi, foli për penat dibrane, u fut në lashtësi, solli Skënderbeun e vërtetë, gërmoi me themel për Kastriotët e Çidhnës, përshkroi Peshkopinë, zbardhi historinë e Sllovës, shkroi me mall për vendlindjen – Dibrën dhe Bulqizën që i mbante në gji. U ul këmbëkryq dhe shkroi për Grykën e Vogël, Radomirën, burrat e Kullës së Canit, si dhe për trimërit e luftëtarëve kuksianë, duke i kushtuar Kukësit një enciklopedi të veçantë.
Ai solli në dritë figura të shumta patriotike të Dibrës dhe Kukësit, duke i bërë të njohura historitë e tyre: Mehmet Duriçi, Mahmut Daci, Rrahman Doda i Reçit, Met Kaca dhe pasardhësit, Hysen Bara, Pilkët e Dibrës, Estref Gjoshi, Dodajt e Dibrës dhe shumë të tjerë.
Në studimet e tij, Fatos Daci ka analizuar me vërtetësi rolin e Dibrës në historinë kombëtare, duke argumentuar se fitorja e Kosovës kishte në themel kontributin dibran. Një studim me vlera të veçanta njohëse.
Në letërsinë dokumentare la botime për historinë e arsimit, mjekësisë, kulturës dibrane, si dhe antologji poetike që shtrihen deri në diasporën shqiptare në Amerikë. Me kujdes u fut edhe në fushën e së drejtës, duke dhënë analiza dhe opinione juridike.
Skënderbeu dhe Sina e Dibrës
Libri “Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës” përbën një vepër me rëndësi të veçantë për historinë mbarëkombëtare. I mbështetur në dokumente dhe fakte, autori argumenton origjinën dibrane të Kastriotëve, duke theksuar se Barleti nuk ka shkruar kurrë se ata ishin nga Mati. Ai sjell toponime, dëshmi gojore dhe vendime zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1985), që e lidhin origjinën e Kastriotëve me Çidhnën e Dibrës.
Libri trajton lindjen e Gjergj Kastriotit më 6 maj 1405 në Sinë, pengmarrjen dhe konvertimin e tij, pamjen fizike, kthimin nga Porta e Lartë, luftërat në Dibër, flamurin dhe vulën origjinale, si dhe pasardhësit e Kastriotëve në Çidhnë.
Fatos Daci – jeta dhe veprimtaria
“Mjeshtër i Madh”, Fatos Daci ishte anëtar i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve (SHBA), i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, kryetar i Unionit të Krijuesve Dibranë dhe drejtues i disa shoqatave atdhetare. Ka botuar mbi 60 libra, ka drejtuar disa gazeta dhe ka redaktuar mijëra faqe botimesh.
Është nderuar me tituj “Qytetar Nderi”, “Mirënjohja e Qytetit” dhe certifikata vlerësimi si historian. Ka realizuar 20 dokumentarë televizivë dhe ka promovuar vlerat e Dibrës në shumë media kombëtare.
Fatos Daci u largua fizikisht nga jeta, por jo nga kujtesa. Ai la pas gjurmë të pashlyeshme dhe një pasuri shpirtërore të dokumentuar, nga e cila brezat do të dinë të marrin mjaltin e ëmbël të dijes dhe dashurisë për atdheun, ashtu si bleta merr nektarin nga lulet.