Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Jeta e një blektori-Neki Ҫako

Jeta e një blektori-Neki Ҫako

Neki Ҫako

Shikojeni me vëmëndje  këtë foto të  shkrepur nga aparati që kishte sjellë nga italia, Dalan Hadëri në vitin 1957. Aparati i tij ka fiksuar si të ishte një  fotograf profesionist. Koha vërtet ka qënë e mjergullt, qielli gri, por delet e bardha duket se e plotësojnë më së miri këtë tablo piktoreske. Aty  në mes të tufës është edhe një dele e zezë, që sipas tregimeve, përdorej për kurban, kur ndërtohej ndonjë  shtëpi e re, koka murosej në themelet e saj për të treguar qëndrueshmëri, ndërsa mishi shpërndahej për sadaka tek të verfërit. Përballë tyre qëndron Haseniu, bir i Rexhinit, veshur me shajake, kjo veshje tradicionale e burrave të Kurveleshit.

Pantallonat në formë qillote dhe xhaketë  prej shajaku, poshtë fanella prej leshi dhe opingat e mbërthyera pas këmbe, ja shtojnë edhe më shumë kontrasin e kësaj fotoje. Lidhja me natyrën e bën këtë foto të stampuar në celuloid, mjaftë origjinale, si të ishte një kartolinë e vërtetë. Këto pamje të mrekullueshme të realizuara në një periudhë tejet të vështirë, në kushtet kur vëndi po rindërtohej, një vënd i djegur e shkretuar nga lufta.

Fshati  i tij Rexhini  ёshtё  një ndër pesë  fshatrat e Kurveleshit të sipërm qё  ka  njё  natyrё  tё  artё  dhe  qё  “fsheh” bukuri  e legjenda të rralla. Aty jo vetëm terreni, por edhe Oda, e ka vlerën e vëndit, ku burrat ndanin fatet e familjes, prisnin mikun dhe shtrohej buka e kënga si në luftë edhe në paqe. Jeta gjithmonë ka pasur vlerë edhe pse e vështirë, aty është kënduar edhe para litarit, kujtojmë këtu trimin me pallë, kapedanin e Labërisë, Kordhëtarin Bilbil Shako. Por ajo kohë nuk u dha aq shumë, sa ata i dhanë asaj. Ndaj, dhe  shkrimtari e filozofi portugez Fernando Pessoa, aq bukur e ka thënë: “Nëse, pasi të vdes, duan ta shkruajnë biografinë time, nuk ka asgjë më të lehtë. Kam vetëm dy data – të lindjes, dhe të vdekjes.  Mes njërës dhe tjetrës të gjitha ditët janë të miat.” Koha kalon dhe vitet rregjistrojnë në mënyrë kronologjike ngjarje dhe data. Haseniu lindi më, 17.06.1932. Ai tërë  jetës ju përkushtua blektorisë. Ishte një blektor dhe një ekonomat i zoti, i kishte lezet.

Ai së bashku me Xhevon bijë nga Nivica sollën në jetë  katër djem dhe një vajzë të cilët u rritën dhe u edukuan me vlerat e familjes. Haseniu ishte njeri qesqin, bënte atë që dëshironte dhe nëse nuk ja mbrinte si donte, ai ja niste nga e para. Jeta e tij ishte e vrullshme, plot punë e djersë deri sa ndërroi jetë  në vitin 1996. Prandaj për të, në fund nuk janë me rëndësi vitet e jetës ato që numërohen, por si e bëri dhe e ndërtoi Ai, jetën!. Kjo foto simbol ngelet si frymëzim për brezat edhe pse vështirësitë ishin përtej të jetueshmes, prapë aty ka jetë.