Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
"Kënga e njeriut të ndershëm…"Gëzim Llojdia

“Kënga e njeriut të ndershëm…”Gëzim Llojdia


…rekuiem për Poetin Petrit Qejvani

Gëzim Llojdia

1.
Në shpirtrat e thjeshtë, që nuk njohin llokmat e botës, jeton një “melodi e heshtur.” Është një këngë,që lind nga pasionet e paanshme dhe nga veprat e mençura.
Kënga e njeriut të ndershëm është ajo që nuk bëhet kurrë e njohur.Por është e lavdërueshme në heshtjen e saj të butë.Nuk kërkon lavdërim.Nuk kërkon shpërblim.
…I thjeshtë, i heshtur, njeriu i ndershëm e di se vlera e vërtetë e jetës është në të bërit e drejtë, pa pritur asgjë më shumë. Ai nuk mund të zbulohet përmes fjalëve të mëdha. Por vetëm përmes veprave që rrjedhin nga një zemër e pastër. Ai është si uji ,që e ndihmon tokën të lulëzojë. Pa kërkuar përvetësim.Për njeriun e ndershëm.
Çdo ditë është një këngë e thjeshtë.Një melodi që e bën botën më të mirë. Ai është një kujtim i gjallë i asaj që duhet të jetë njeriu. Një frymë e pastër, që e jep gjithçka, pa shpresuar të marrë.Në çdo hap që hedh, ai mbartr një frymë paqeje. Një bujari të heshtur. Është si dielli që ngroh tokën. Pa pritur për ndonjë mirënjohje. Kënga e tij është pa fjalë. Pa zhurmë, por thelbësore. Sepse çdo gjë që ai bën është e drejtë dhe e mençur.Njeriu i ndershëm është shpirt i qetë, pa frikë nga errësira e botës. Kjo është kënga e tij, pa fjalë të mëdha, pa gjëmë, por me një shkrim të përjetshëm në kujtesën e njerëzve, që do të shëndrisë si një yll në natën e pafund.
…Kënga e njeriut të ndershëm është një melodi që nuk mund të fshihet. Një hymn i heshtur ,që vazhdon të banojë përjetësisht në shpirtin e botës.
2.
Në numerologji,ditët shprehin një kuptim të thellë.Një kuptim, që shtrihet përtej perceptimit të thjeshtë të kalendarit. Ato janë ndoshta udhërrëfyes për shpirtin.
Po pavarësisht se poetët të cilët veçse shprehin dhimbjen dhe gëzimin e thellë të qenies njerëzore.
Çuditërisht, shpesh nuk besojnë te shpirti.
Po, poezia, ajo që quhet si bija e parë e bukurisë hyjnore.
Një frymë e pastër, që buron nga drita e qiejve. Është për poetët një e vërtetë e paepur.Megjithatë, shumë prej tyre, veçanërisht ata që janë shkrues të fjalëve,që rrjedhin nga thellësitë e shpirtit.Shpesh shprehin një çlirim prej atij shpirti.Që për shumë është ende një mjegullnajë e paqartë…
3.
…Për ta përmbyllur ciklin e pasjetës,një poet e ndjek rrugën e një endacaku.
Ai shkon të dremisë në livadhin e tij ëndërrimtar dhe të përjetshëm.Ai shkon dhe bëhet firë.Një shenjë e papërfillshme e qëndrimit të tij në botën tjetër.Trupi i tij, për t’u ngurosur, do të shkojë në fundin e tij. në fundin e fundëve, por jo në një fund të dëshiruar. Poeti shkon për të u mbyllur në errësirën pus aty ku ftohtësia është pafund dhe e padurueshme. Dhe banesa e tij bëhet një hapësirë e ngushtë 1.5 x 1.5 metra ,aty ku gjithçka bëhet e shuar dhe e tretur.Ky është vendi ku fjalët dhe poezia.
…Por dhe gjuha dhe melodia, nuk ekzistojnë më. Janë bërë të patregueshme. Të padukshme. Të pashprehura.Ato janë një pasqyrë e ndarë nga realitti ,që fshihet pas humbjes së fundit.
…Librat e shenjtë kanë shkruar këtë dhimbje qysh atje.Pamjet e parë të njerëzisë. Shumë prej tyre na thonë se vijmë gjithsesi nga balta. Dhe ashtu siç atje.Pa e ditur . Do të shkojmë gjithashtu atje.Pa asnjë shenjë. Dhe ky është cikli i pafund.I pashmangshëm i jetës dhe vdekjes. Që askush. As poetët, dot ,nuk mund ta shmangin.Që janë të ngarkuar me një misjon të shenjtë të krijimit.
Megjithatë, ata nuk janë murgjë në kuptimin e vërtetë të fjalës.Ndonëse kanë bredhur mes legjioneve të shenjta.Shpesh, në perëndimin e jetës. Përfundimisht i gjen si ateistë.Ky është një fakt që ende shkenca nuk ka mundur ta shqyrtojë plotësisht. Dhe ndoshta as nuk do të mundet ndonjëherë.Sepse është një enigëm e thellë që mbetet e pathënë.Të shkruash për shpirtin.Të përkëdhelësh fjalët që burojnë nga thellësia e tij.Të ndërtosh vargje.Fjalë që rrjedhin si një melodi e shenjtë. Është një akt që nuk ka kufij.Të qëndisësh vargje që janë të bukura. Të harmonishme. Është një ndihmë, që vjen nga një botë tjetër. Por çuditërisht, edhe pse ata ndërtojnë kështjella të mëdha dhe të bukura fjalësh. Poetët që i krijojnë ato. Shpesh nuk e besojnë shpirtin.
Ata thonë se ai nuk ekziston…
Pasi sipas mëndjes së tyre ,nuk është substancë materiale.Kjo është një ndjenjë ,që përherë shfaqet. Dhe, nëse e pyet ata pra një shumicë poetësh, nuk do ta pranojnë kurrë. Por në vargjet e tyre, gjithmonë do të gjesh një pasqyrë të shpirtit. Edhe kur ata e mohojnë atë. Ky ishte një mendim që më shpjegoi, një lexim i shkoqitur nga vëllimi “Kënga e zogut blu”. Botuar pas vdekjes së një prej poetëve më të mirë të jugut dhe të Vlorës, Petrit Qejvani.Një poet që la pas një thesar të pasur me vargje dhe mendime, që i përkasin shpirtit. E vështirë nuk është ta gjesh në vargjet e tyre.
Këtë më thoshte, një lexim i shkoqitur nga vëllimi:”Kënga e zogut blu”.
Dhe, ndoshta,asaj që ata vetë nuk kanë mundur ta shohin.Është i çuditshëm fakti.Poetët e këtij lëmshi bëjnë punën e murgut. Mirëpo nuk janë murgjëri në kuptimin e vërtetë të fjalës. Rrallë e tek kanë qenë të atillë.Por shumica ndonëse kanë qenë bredharakë ndër legjione fetare,në perëndim të jetës i gjen ateistë,
4.
Që prej dy dekada poeti, kritiku dhe njeriu i mirë Petrit Qejvani nuk rron më. Ai iku, ashtu siç shuhen shpirtrat e poetëve. Nëpër mjegullën e pafund.Larg kësaj bote që e lëndoi me shumë, por që ai e shoqëroi gjithmonë me fjalën e tij të bukur. Shpirtrat e poetëve, si dhe shpirti i tij.Mërgojnë përtej botës sonë të kufizuar, në dimensione të tjera të kohës dhe hapësirës. Ku fjalët nuk mbarojnë kurrë. Aty, ndoshta, ata i japin jetë rishtas çdo fjale që kanë thënë dhe çdo vargu që kanë shkruar. Është përsëritja qindra vjeçare e poetëve, që humbasin në pikëllimin e mëngjesit.Por, që rikthehen dhe rilindin.Ashtu siç ndriçohet çdo yll që shuhet dhe pastaj rilind nga energjia e universit.Kjo është ndoshta edhe shpjegimi për shtegtimin e shpirtit.
Kështu, një zë i bukur i paharrueshëm mungon në rangun e poetëve të qytetit tonë jugor. Dy dekada dge ca vite është kaluar, por jehona e fjalëve dhe vargjeve të tij ende mbështjell qytetin e Vlorës, dhe më gjerë, nëpër mendjet dhe zemrat e atyre që e njohën dhe e donin. Petrit Qejvani, një shenjë e pashlyer e bukurisë, e letërsisë dhe e shpirtit të pastër. Do të mbetet gjithmonë një pasuri do të kujtojmë dhe do të nderojmë përjetësisht.
5.
Libri me poezi i poetit P.Qejvani është quajtur nga poeti Agim Vinca:”Kënga e njeriut të ndershëm”.
”Ishim moshatarë ,të lindur që të dy në të njëjtin vit unë në brigjet e një liqeni të bukur të mbetur jashtë sinorit,kurse ai buzë detit,në qytetin e lavdishëm të Vlorës,emri të cilit është skalitur në analet e historisë sonë kombëtare,- thotë Vinca.
-Fjala se është një zë i butë lirik, nuk është çudi,zoti Vinca!Shumë krijues e poet, që kanë rrokanitur në këtë botë duke bërë poezi dhe që vijnë pikërisht nga zona e lumit të Vlorës kanë pasur një favor më tepër. Nuk besojmë te bestynit, por ata kanë pirë ujë nga burimet e bekuara të Shushicës,këto burime të njohura për mrekulli qysh në antikitet. Shumë poetë jugor, janë lirik dhe kërkojnë ti përngjasojnë në poezi,të bukurit Ali,lirikut të njohur dhe të dashur dhe ndoshta më të lexuar të kësaj treve .
Pushtetari diplomat,këngëtari Ali Asllani dhe më tej Fatos Arapi është burim frymëzimi si buronjat.Ka shumë mesazhe në to thotë- A.Vinca,ndenjë,mendim,refleksivitet të shqiptuara kryesisht shumë thjeshtë,shumë herë drejtpërdrejtë,por me një regjistër të pasur mjetesh shprehëse. Analiza e Vincës vijon më tej duke nxjerrë në pah botën shpirtërore me një fondament të pasur të një njeriu që është vrojtues i mprehtë i jetës por dhe njohës i mjeshtërisë së vargut,sidomos të vargut shqip,burimor,klasik e bashkohor Fjala,figura, imazhi,metafora,ritmi,rimat i nguli me një llaf të gjithë përbërësit e verbit poetik vihen në funksion të ndenjës dhe mendimit të çastit të jetësor që dëshiron ta fiksoj në vargje poeti. Poezia e Petritit,
vazhdon Vinca hymnizon bukurinë dhe dashurinë ,por ajo rreket dhe me mizoritë e kësaj bote. Konform asaj thënies së famshme të Bodlerit,atit të modernitetit në poezinë evropiane dhe botërore. Këndo,muzë,idiotizmin e botës…
“Koha e ikur pambarim dhe pambarimi kohor përkëmbehen me njëri-tjetrin si përkëmbehet në udhëtimin tonë tokësor jeta dhe vdekja,fitoret dhe humbjet,melodia e vjetër dhe melodia e re… shkruan Alisa Velaj në pasthënie të këtij botimi.
6.
Poezi të Petrit Qejvanit

Një zog blu
këndon në ëndërr
Zogu blu
me një këngë blu
në natën e kuqe

Kisha kohë pa e dëgjuar
Do ta dëgjoj

deri në mëngjes (nëse nuk lodhet)
kur zogu dhe kënga
do ikin prej dritës

Dhe më duhet të pres
kthimin e tij
të pamundur

Vlorë më 3.05.2014.

PRITJA

Po pres pas derës trokitjen e saj
Pa frymë
Si gjahtari i mirë shfaqjen e bishës së adhuruar.
Qetësi, bota s’pipëtin
Gjaku im me ulërimë të mbytur zgjeron damarët
Ndërsa unë bëj gati
Në një alarm absolut
Veglat e shpirtit dhe ato të tjerat…
Për të ekzekutuar prenë e bukur
Që do të më gjakosë
Gjakun dhe buzët
Dhe do më shkulë zemrën…
Për ta vendosur sërish
Në përfundim të furtunës së gjakut
Ashtu si pas një stuhie të vërtetë,
Kur vërshimet tërhiqen të lodhura
Dhe gjuhët e ujit lëpijnë shkrehshëm truallin
Duke zbuluar përmasat gjigande të betejës…

QË NDODH

Unë tani do dashuroj një tjetër,
por kjo s’do të thotë
se do shkel mbi ty
ashtu si kitaristi,
që, pasi iu thye kitara e vjetër,
duke luajtur këngën e jetës
me fuqi,
me kitarën e re nisi të luajë
përsëri
melodinë e preferuar
të kitarës së parë të vdekur.
Por kallot e melodisë së vjetër
do rëndojnë
mbi melodinë e re.

E DASHURA

Kur jam me ty, shpesh bie në mendime
(Jo të të vë vlerat në dyshim)
Dhe kujtoj ç’ka më të bukur në botë
Dhe hëna
Dhe yjet
Dhe trëndafilat
Janë pjellë e një fantazie të kotë.
Asgjë,
asgjë,
Asgjë
Nuk është e bukur sa ti, e dashur.
Dhe hëna
Dhe yjet
Dhe trëndafilat
Nga bukuria jote
janë spërkatur.

1971
TAKIM ME NJË DASHURI

(për A.B)

Gjithçka e artë m’u kthye përsëri
Pikërisht kur mendoja qetësisht e me përtesë.
Befas, si një mrekulli, më dole ti,
Duke më zgjuar ëndrrat më të bukura syfjetura.
Dhe e ndjej se zemra
Në dashuri është e pafund,
Le të bien gjethet çdo vjeshtë
Pema e dashurisë
Me blerim përherë të ri,
Rrethon ngado jetën.
Për gjithçka faleminderit,
Për çastet e falura
Pa shpërblim!

JONËS SË TRISHTUAR

Sytë i thonë të gjitha, Jona
Dhe buzët që dridhen, gjithashtu.
Jona, ti sivjet je e lodhur, e zhgënjyer.
Na sheh me sy prej qelqi
Ngaqë ke shpresuar…
Dhe ke humbur besimin te kushdo
Sepse je tradhtuar.
E kuptoj, që ke besuar pafajësisht
Në deklarata false dashurie
Si fëmijët në fruta artificiale të imituara bukur.
Por kjo s’është ndonjë hata, Jona
Dhe ti je shumë e re për t’u trishtuar
Jeta është një shfaqje e madhe, Jona,
Me komedi dhe drama
Ku aktorët njerëz luajnë gjithë jetën
E rëndësishme është
Të mos tradhtosh veten
Kur të tradhtojnë të tjerët.

SHIRAT

Shirat sërish nisen të qullin botën,
Kurse unë i menduar ngre perden e dritares
Kishin filluar shirat
Kur më ktheve shpinën
Tani të trokiturat e pikave në xham
Më kujtojnë takat e tua të ndarjes.

Jashtë bie shi.
Në dhomë për ty
Bien shira cigaresh…

KOHA QË NUK VJEN

Është koha që ikën
Është tik-taku i akrepave të sahatit
Që rendin pa ndalim
Është pamundësia për të qenë
Ai , Ajo, që ishe një çast më parë
Është imazhi i hirtë prej shkume
I fytyrës së nënës së ikur
Me buzëqeshjen e ngrirë në cep të buzës
Duke ujitur lulet në oborrin e parajsës
Është ulërima e mbytur e rinisë që humbi nëpër vite
Është trëndafili i tharë i dashurisë
Është dita parahistorike kur u njohëm ne të dy
Është fotografia jonë
Që na sheh e pikëlluar nga korniza
Është jehona e shuar e hapave të hedhur
Është pika e ujit
Që me këmbëngulje indiferente çan gurin
Është gjithçka që ikën pambarim

Është arkeologjia e jetës sonë
Që plotësohet çdo ditë
pa kthim.

KUR MENDOJ

Kur mendoj se një ditë nuk do jem,
Kur mendoj se ti një ditë nuk do jesh,
(ne s’do jemi për njeri-tjetrin në të njëjtën ditë)
Do mungojmë në apelin e madh të jetës,
Një lumë i zi ujrash të vrullshme
Më mbyt
Dhe s’më lë të të thërras Emrin.
Valët e tij s’më lënë të dal në breg
Të kap dorën tënde të zgjatur lemerishëm,
Të kapësh ti dorën time të zgjatur lemerishëm.
Dhe klithma jote humbet nga rrokopuja e valëve
Dhe klithma ime e ngrirë nuk e arrin dot klithmën tënde
Të krijojë unazën false të shpëtimit të pamundur.
E kuptoj sa e kotë është
Të të mbush mendjen
Se jeta është një peng i vdekjes
Që luan me ne, krijesat naive,
Që, sa jetojmë,
Dashurojmë fare pak
Dhe grindemi shumë
Si të ishim të pavdekshëm.

KUR TË VDES

Kur të vdes…
Çfarë?
Njerëzit do kujtojnë se dua diçka të çmuar
Dhe, si poet,
ndonjë objekt poetik do më vendosin mbi kokë.
Jo, jo,
nga njerëzit asgjë nuk dua,
veç, po të duan,
kur të vdes,
që të mos lodhen duke më çuar drejt varrezës,
le të më varrosin pranë bulevardit,
ku të kem mundësi të dëgjoj
zhurmat e jetës.
Kur të vdes…
LISI

MË MUNGON TI

Ti je mungesa ime më e madhe
Që u jep frymën dhe fytyrën ditëve të mia
Jam katër stinë larg teje
Dhe kambana e kujtimeve
Godet trishtueshëm gjuhëzën memece
Që lëshon tinguj të përvajshëm
Në këtë stinë të vërshimeve të ujta të kujtesës
Si të të arrij
Që të gjej veten?

Më duhet të bëhem lumë dalurshtratit
Që të prek bregun tjetër
Ku je ti
E shndrruar në mjegull.

MË NË FUND

Më në fund, tani që dimri po vjen frikshëm
Dhe pranvera jonë është një akuarel i mbyllur në kornizë
Unë dhe ti u kujtuam të ndezim zjarrin e gjakut tonë
Me shkëndijat e fundit të mbetura ende gjallë
Dhe të krijojmë një pranverë të vonë
Ku njëri-tjetrit t’i falim trëndafila të kuq si gjaku
(Që s’i dhuruam atëherë kur duhej, në stinën e trëdafilave)
Në vend të tëndafilave të gjakut të pasionit të harbuar
Vite më parë…
Kërkojmë pranverën tani, në pragdimrin tonë solid,
Që të ngrohemi pak…
Është vonë, e di.
Sidoqoftë,
Zjarret e mbuluar me hi,
Ngrohin më gjatë se ata me flakë…
MË SHUMË TË DISH TË QESHËSH

E dashur,
Nuk kam qejf të të shoh kurrë të vrenjtur
Se bota më duket e vogël pastaj.
(Natyrisht që ndonjëherë do vrenjtesh patjetër)
Se qielltë hapur
Nuk mund të ketë,
Pa patur qiell të vrenjtur.
Po kryesorja është që ti,
Më shumë të dish të qeshësh.
2006

NATË
(Peisazh)

Qielli e fiku llampën e madhe të diellit
dhe ndezi qirinjtë e yjeve,
që qyteti im të flinte deri në mëngjes.
Ndërsa hëna , kujdestare e qiellit,
si një abazhur i zbehtë
derdh një dritë të përkorë,
aq sa Toka të mos ngatërrojë rrugën natën…

Është koha
kur besoj dhe dyshoj
në gjithçka.

NATË E HUAJ

Kjo natë është pa emër, pa qiell, bosh.
Dikush argëtohet në katin e poshtëm
(Le të argëtohet)
Unë argëtohem me dhembjen time.
Unë me dhembjen time vallëzoj.
Dhoma me dy krevate bosh
Është mbushur plot me dhembjen time
Muret nuk kanë fotografi
Në mure është varur dhembja ime
Një daulle më ngre nervat
Sikur flet për dhembjen time
Jashtë nata është pa yje.
Në katin e poshtëm dikush argëtohet
Nga era veriore xhamat dridhen
Duke ngrirë imazhin e së dashurës sime
Shumë njerëz mund të argëtohen sot
Unë argëtohem me dhembjen time
Unë me dhembjen time vallëzoj.
Jashtë era i ka rrëzuar yjet…
Në dritare imazhi i së dashurës dridhet..
Dhoma me dy krevate bosh
Dhembja me mua kërkon të shtrihet…
Kjo natë është e huaj, pa qiell, pa yje.

1973, Fajza-Krumë-Kukës

NJË DITË

Një ditë nuk do të jemi
As unë, as ti.
Sigurisht, atëherë as do dashurohemi,
As do grindemi si tani.
Do të jemi dy copa mjegulle,
që lëvizin pa kuptim
Nuk do të presim mëngjesin
për t’u pajtuar
Për grindjen e mbrëmjes
Se mëngjese nuk do të ketë për ne të dy.
Do të bëhemi të urtë
në botën e përtejme
Të lehtë si shkuma,
Të rëndë si plumbi
Me një sovranitet të çuditshëm,
të paprekshëm,
Që të na kenë zili të gjallët grindavecë,
Që nuk e kuptojnë ç’do të thotë
TË KESH QENË, TË KESH DASHURUAR
Tani që je i panevojshëm për askënd
Në mbretërinë e mosasgjësimit
Ku sinjalet, zërat, thirrjet
Nuk kanë asnjë efekt
Dhe shpirtrat do braktisin kufomat tona
E do shkojnë kushedi ku
Në formën e avullit apo të tymit…

Ne asnjëherë nuk do kemi qenë.

NJË NATË ME A.B.

Sa e bukur ishte nata
me ty në qendër!
Me sytë e tu – burime të magjishëm,
Rrethuar nga halat e qerpikëve.
Ndjej frymëmarrjen tënde
Që vesh me avull botën
Dhe buzët e tua –
Celësin e dashurisë.
Ndjej shpërthimin e trëndafilit të zemrës
Dhe paqen e kënaqësisë të gjinjve të tu –
Dallgë të relievit të trupit tënd
qumësht.

1989

FUND VJESHTE

Gjethe të rëna, kudo gjethe.
Njerëzit, trotuaret, bulevardet
Lexojnë paragrafet e fundit të vjeshtës
Dhe, pa u ndjerë,
Dimri,
I zymtë,
Me pardesynë e qullur të erërave
Si regjisor i dështuar,
U ul në vargje
Duke pirë cigare
Dhe, me kamzhikë shirash,
Përzuri vjeshtën nga bota.

1968