Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
“Koha si përkatësi”- Eva Gjoni 

“Koha si përkatësi”- Eva Gjoni 

Ka çaste kur koha nuk kalon më mbi ne, por na përfshin dhe na detyron ta jetojmë.

Kjo nuk është një reflektim mbi kohën që kalon, por mbi kohën që përjetohet.

Kurrë nuk e kam ditur çfarë do të thotë të jetosh kohën.

Të shijosh kohën e mendoja kur ajo ikën pa kuptuar, minutat fluturojnë dhe ti nuk ngopesh me kohën tënde, por nuk kisha provuar kurrë çfarë do të thotë dimension kohor brenda kohës tënde. Jeton kohë të shkuara të pajetuara në dijeninë tënde që ishin dhe ti nuk i ndjeve. Kohë të tashme, të ardhme në një. Sepse koha jote është përcaktuar, ti duhet të gjesh mënyrën ta ndjesh.

Ti e humbet konceptin matës të kohës, ti je në hapësirë-kohën tënde me trupin tënd eterik. Mundohesh të kuptosh dimensionin në të cilin ndodhesh. Po e jeton fizikisht si një mekanizëm ciklik apo si rrymë përshkuese që quhet shpirt? Shqisat janë ato që transmetojnë sinjale apo është ndjesi?

Mund të jetosh në një ditë një jetë të dimensionit tokësor. Këtë unë e quaj të jetosh kohën tënde. Kurrë nuk e kam ditur ta jetoj kohën time, sa mendësi e vogël na shoqëron gjatë viteve, sa pak vlerë merr koha kur nuk jemi pjesë e saj. Të jesh kohë, kur e shikon si diçka që kalon, duhet të shkëputesh nga mendimi i cunguar matës.

Koha nuk matet, ajo është thjesht e pranishme. Ne matemi si materie, si grumbull grimcash. Por unë, eterisht, jam pjesë e pafundësisë së kohës. Asgjë nuk do të kalojë pa u ndjerë dhe jetuar nga koha ime. Unë e zotëroj atë.

Shkëputem nga vogëlsirat që më rrethojnë, gjej forcën të jetoj kohën time të shpirtit, që është vetëm një dridhje e shtuar në univers, ku çdo gjë është lëvizje, rrymë, goditje, dridhje. E dua kohën e dimensionit tim dhe nuk është pak. Unë, brenda saj, nuk e gjej fundin.

Koha pushon së qeni diçka që matet në çaste dhe shndërrohet në përvojë që përjetohet. Në atë pikë, njeriu nuk është më subjekt që kalon nëpër kohë, por vetë hapësira ku ajo ndodh. Dhe aty, përjetimi bëhet formë e ekzistencës, ndërsa koha mënyra jonë për të qenë.

Sepse kur ndalon së numëruari kohën dhe fillon ta ndjesh, nuk je më brenda saj, ajo është brenda teje. Dhe aty, në atë përkim të heshtur mes shpirtit dhe pafundësisë, njeriu nuk kalon më nëpër kohë, por bëhet vetë kohë.

Unë e trajtoj  kohën jo si një njësi matëse lineare, por si përvojë të brendshme dhe hapësirë ekzistenciale, ku njeriu nuk e ndjek më kohën, por bashkëjeton me të. Koha shfaqet si ndjesi, si dridhje dhe si përkatësi shpirtërore, duke e zhvendosur vëmendjen nga kronologjia drejt përjetimit.