Emi Krosi

MUSINE KOKALARI
Kujtesa shkrimore, për “mu(zën)sine” e parë femrore shqiptare, Musine Kokalari.

Në kujtimet e tij për kohën studentore në Itali, dr. Lazër Radi, ka shkruar në librin “Shqinia në vite tridhjetë ” me titullin: “Musine Kokalari” (Radi. Idem: 369-377), një bashkëkohëse dhe bashkëstudente në Itali. Ka dhe foto të përbashkëta, në tragetin e kthimit drejt atdheut, por bashkëstudentët patën të njëjtin fat: dënimin dhe persekutimin. Musinea, që në vitet ’30 -të, tronditi lexuesin e kohës me shkrimet e saj, nën pseudonimin “muza”. Përmasa e saj femërore është tejkaluar, përmes aktit shkrimor. Vështirësitë e emancipimit real të grave dhe vajzave në kontekstin e viteve ’30-të, janë tejklauar përmes (dis)harmonisë së modernes (Ndreca: 2018: 33), që ka përshpejtuar kohën e saj dhe nuk i dha kurrë mundësi, me menduar të tashmen dhe me përpunuar të kaluarën. Është ndoshta nga femrat më të receptuara nga lexuesit, falë dhe botimeve të veprave të saj të ruajtura me kujdes nga familjarët. Rrekja e ndriçimit të vetëdijes së shkrimit, si akt themelues i veprës së saj letrare (Konferenca Shkencore: 2018:8). Vetëdija kombëtare dhe qëndresa përballë dhunës së persekutimit absurd komunist, është akti themelues i rezistencës intelektuale e qytetare por dhe femrore. Në Konferencën Shkencore në Tiranë 2018, janë përrokur shumë tematika shkrimore por dhe jetësore, të një femre të guximshme që në gjenezën e saj shkruan: na duhet të kemi besim në gruen shqiptare. […] Intelektualja jonë – n’ato sprova të paka që ka kalue – ka dëshmue se në vija të përgjithëta ka po atë zotsi mendore e po aq asnjanësi gjykimi në rrahjet e problemeve sa edhe intelektuai i ynë…(Draçini: 1944: 15). Kokalari shpalos kryesisht poezi simboliste, ku përmes simbolit të lules-vajzë, dëshmohet shkrimtaria e një vajze (femre) si dokumentim shkrimor, që lagjurmë në indentitetit e saj femëror në antitezë me një shoqëri shumë konservatore për kohën e rinisë së saj, në poezinë “T’isha një lule…” (Kokalari: 2009: 95).
“T’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në pranverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.
T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të
rinjëve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njeri–tjetri
për shënjë kujtimi.”
(T’isha një lule…)
Që në dyvargorin e parë: t’ isha një lule–lule are, e vogël dhe me erë./Të çelnja në pranverë, fillon me një figurë letrare kuptimi si krahasimi me një lule, në formë vetërrëfimi, pa asnjë subjekt rrëfimor, ashtu si ndërtimi i vetë poezisë. Ky akt vetëshkrimor autoreferencial dhe autobiografik (se vajzat janë lule që çelin në çdo stinë), filloj që me A-në instore, pa asnjë ndërmjetësim me një origjinalitet letrar (Poradeci: 1940). Në nistoren e saj shkrimore u vu re si një interesim nga një vajzë re për zakonet dhe traditat e qytetit të saj Gjirokastrës, në veprën “Sa u tund jeta” (Kokalari: 1944) prëmes ritmeve të dasmës që lidh intimen me kolektiven, nëpërmjet dialektit të Gjirokastrës, mund të quhet dhe dasma e dialektit (Shehri: 2018: 43). Dyvargorët e tjerë: dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime./ T’isha një lule vjollce në mes të ferrave, kanë një tjetër ambiguaditet, aq të qenësishme si një amalgamë e mendimit filozofik përmes flurales ku evokohet ludikja e saj diskrete, për të mëpastajmen e vjeshtës njerëzore. Fotografimi real i natyrës është si një monolog i brendshëm. Nuk është drejtpërdrejt një defne, apo një mjellmë zeusiane, por një dëshirë intime e brendshe vajzërore, në formë vjollce. Një lule erëshumë dhe në plotmërinë e saj, ajo nuk do kishte qenë, një hi, një harrim, një iluzion, një simbol, një kotësi, një absurd, një “vdekje” poetike, por një shkëlqim, eroticicet, feminitet, aureole dhe një formën e ornamentit, ku femrorja dekodon shenjën letrare moderne të dramatikës së fshehur në të gjitha rrafshet përtejhapsinore të simbolit të lules si nëntekst.
Model i rrëfimit postmodern: dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të/rinjëve./Prej frike/ të larguar prej njerzis do t’më këputnin, marrëdhënien me shoqërinë dhe individin apo marrëdhënien mes vetes dhe Unit (unë/mua/asaj/femërores). Realiteti dhe dimensioni socio-shoqëror në Shqipërinë e kohës, thyen kufijtë e moralit ku bota psikologjike e femrës, është e vetëmjaftueshme të sedërtojë qëndresën e saj, jo përmes fshehjes, por shpërfaqjes së saj përmes perceptimit “të vetes” dhe “tjetrit”, përmes “gjinisë së përkryer” apo dhe gjinisë inferiore (Boauvoir: 2011) që gjendet tek filozofia e feministes Simone de Boauvoir. Përtej radikalitetit shoqëror ajo e kthen lirinë femërore duke i dhënë zëshmëri esencës së qenies grua. Në dyvargorin e fundit: do të dhurohesha te njeri–tjetri/për shënjë kujtimi.” dekodohet metafora e lules, përmes shkrimit si kujtesë për lexuesin e pakohë. Ndërtimi i identitetit femëror, përmes ligjërimit, ngjallmohet përmes një vëzhgimi aq të hollësishëm të jetës, ndërtohet gruaja si amësi dhe gjuhë: ndërtohet realiteti i gjuhës amtare, si lëndë gjuhësore femërore (Asllani: 2013: 225). Ajo thurrimë zëri, ishte një devijim i gruas tradicionale, që nuk qëndron indifererente, por bënte thirrje dhe për femrat e tjera të emancipuara, që marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë (Bardhyli: 2015), duke mos pranuar të ishte një “lule narcize”, por aromën e saj femrëore dhe bukurinë do ta përhapte nëpër të gjithë hapsirën mbarëshqiptare.
BIBLIOGRAFIA:
- Asllani, Persida. (2013): Identitetet femërore si ligjërim në prozën e Musine Kokalarit, në Konferencën Shkencore “Letërsia dhe identiteti” të Seminari XXXII të Albanologjisë në Prishtinë, botuar tek: Konferenca Shkencore: Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë.
- Bardhyli, Alda. (2015): Colombia nuk ishte një burrë, “Shqip”, Tiranë. http://www.gazeta- shqip.com/lajme/2015/06/04/
- Beauvoir de Simone. (2011): The Second Sex, Translated by Constance Borde and Sheila Malovany-Chevallier, Vintage Books, New York.
- Draçini, Qemal. (1944): Nji grishje, në “Fryma”, n. 1, janar 1944.
- Kokalari, Musine. (2009): Vepra, vëllimi i parë, “Geeer” Tiranë.
- Kokalari, Musine. (1944): …sa u tunt jeta “Mesagjeritë shqiptare”, Tiranë.
- Konferenca Shkencore: (2018): Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë
- Ndreca, Ardian. (2018): Musine Kokalari: provimi i jetës i nji “zemre mendimtare” rreth librit “Jeta ime universitare”, në Konferenca Shkencore: Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë.
- Poradeci, Lasgush. (1940): Musine Kokalari: Siç më thotë nënua plakë, “Bota e re”, nr. 1, 30 korrik 1940.
- Shehri, Dhurata. (2018): Musine Kokalari: Vetëdija e shkrimit, në Konferenca Shkencore: Musine Kokalari vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Tiranë.