Shkrim nga Blerina Pellumbi Autore e vitit 2025 në USA

Kur provokimi dhe instikti zëvendëson vlerën çon në degjenerim total në letërsinë shqipe
Më dhemb shpirti, por sot dhimbja nuk mjafton më. Sot kjo që po ndodh duhet thënë si akuzë e hapur: ajo që po na shitet si poezi nuk është poezi.
Nuk ka poezi këtu. Nuk ka metaforë. Nuk ka figurë. Nuk ka mendim. Nuk ka asgjë, përveç një zbrazëtie të turpshme që maskohet si një guxim artistik.
Kjo nuk më trondit vetëm si lexues. Më trondit si njeri që e do këtë gjuhë, këtë kulturë dhe këtë trashëgimi. Sepse kur një tekst i tillë botohet, promovohet dhe justifikohet, mesazhi është i qartë: nuk ka më nevojë për shpirt, për punë, për thellësi. Mjafton vulgariteti. Mjafton shoku mendor. Mjafton të zbresësh sa më poshtë. Ku është poezia? Ku është metafora që hap horizonte kuptimi?
Ku është fjala që të plagos me dinjitet e jo të poshtëron? Nuk ka. Sepse ky nuk është kërkim artistik. Është zhurmë. Është provokim bosh. Dhe ata që e botojnë këtë janë po aq fajtorë sa ata që e shkruajnë. Kjo është bashkëfajësi kulturore. Më dhemb shpirti sepse gjuha shqipe përdoret pa dashuri, si trup pa dinjitet. Fjalët nuk ndërtojnë më kuptim, por hidhen si objekte të forta për të goditur lexuesin.
Poezia, që dikur mbante mbi vete dhimbjen, historinë dhe shpirtin e këtij kombi, sot reduktohet në një farsë pa thellësi. Por dhimbja shndërrohet në zemërim kur e kuptoj pasojën: ata po shkatërrojnë të ardhmen. Po u mësojnë brezave se poezia nuk kërkon mendim.
Se metafora është e panevojshme. Se çdo zbrazëti mund të quhet art, mjafton të jetë e zhurmshme dhe e paturpshme. Kjo nuk është liri artistike. Liria pa përgjegjësi është shkatërrim.
Një shoqëri që pranon këtë si letërsi po pranon varfërimin shpirtëror si normalitet. Dhe një shoqëri e tillë nuk ndërton, nuk krijon, nuk ngrihet ajo shpërbëhet ngadalë, duke duartrokitur rënien e vet. Po e them pa metafora, sepse këtu nuk ka më vend për to: kjo nuk është poezi. Është simptomë e një krize të thellë kulturore. Dhe heshtja përballë saj është pjesë e degjenerimit të thellë deri në ekstazë….

Poezia në foto është shkruar nga Rita Petro Laurante në Shqipërinë e mjerë