Cikli “Jetë gruaje”
Monolog poetik
Nuk e di kur filloi saktësisht, ndoshta në një çast kaq të vogël, sa koha nuk e vuri re. Por unë e ndjeva se koha bëri një ndalesë të lehtë brenda meje, si një dimension që ekziston pa zhurmë. Që atëherë, koha ime nuk ecën më drejt. Ajo rrotullohet rreth teje. Ka ditë që kalojnë pa peshë dhe ka çaste me ty, që rëndojnë sa një jetë e tërë. Më duket sikur e mbaj kohën me duar, sa herë që mendimi yt më prek. Edhe kur nuk je këtu pranë meje, ti je këtu me mua, dhe unë aty pranë teje.
Hapësira përpiqet të më bindë për të kundërtën, por zemra ime nuk njeh largësi. Ajo e di rrugën drejt teje pa pasur nevojë për hartë. Është e vërtetë që hapësira fizike ndonjëherë ndodhet midis nesh, por brenda meje ka vetëm afërsi shpirtërore.
Flas me veten, por në të vërtetë unë të flas ty. Unë hesht, por gjithçka që hesht ka emrin tënd. Dashuria më ka mësuar se mungesa nuk është zbrazëti, por prani e padukshme. Ndoshta nuk jemi në të njëjtën kohë, as në të njëjtin vend. Por jemi në të njëjtën ndjenjë. Dhe kjo mjafton që të mos ndihem e humbur në këtë rrjedhë që quhet jetë.
Sepse unë të mbaj brenda, dhe koha nuk më ikën. Ndërsa hapësira nuk më tremb dhe unë.., unë jam aty ku je ti, edhe kur jam vetëm, në kohën tonë.
Klara. 06.02.2026.
