Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Mos vdis pa rrëfyer!Nga Veledin Durmishi

Mos vdis pa rrëfyer!Nga Veledin Durmishi

Për librin “Rrno vetëm për me tregue” të At’ Zef  Pllumit.

 Nga Veledin Durmishi

   Hyri në rrathët e ferrit kur ende nuk i kishte buzëshur jeta  në asnjë çast, hyri me vetëdijën e plotë se do të mbetej në ata rrathë, por ai nuk do të ndrydhte brenda vetes idealin e madh se si shërbëtor i fesë katolike ishte njëherazi po aq edhe shërbëtor i Shqipërisë. Por fati e deshi dikur. Më mirë vonë se kurrë! Flakët e ferrit  i kishin marrë ëndrrat, por një ag demokarcie e gjeti akoma gjallë në galerat e atij ferri. Dhe ai e dinte mirë, e ndjente thellë vetes se  fati e shpëtoi se duhej të rrëfente.  Të rrëfenta Golgotën, Arkipelagun Gulak, galerat e ferrit komunist. Ndaj ai i kërkoi Zotit vetem pak jetë, aq sa i duhej të rrëfente. Por ai kishte shumë për të rrefyer. Ndoshta një jetë e tërë i duhej. Dhe  sikur arriti një marrëveshje me Atin. Ai nuk do të ikte pa rrëfyer.

Nga duhet t’ja fillonte!?  Kjo ishte dilema e një djaloshi të arsimuar mirë që u kujdes të ishte një prelat i kishës  katolike në Shkodër, një shërbestar i fjalës së hyjshme. Katolizicmi në Shkodër kishte ndikim absolut në ndërgjegjen qytetare; aty shërbenin njerëz me vlera të shquara, të gjithdijshëm, të mirëshkolluar, një plejadë meshtarësh që fjalën e Zotit e kanë të shenjtë e që për këtë, ata që morën kryet e vendit në vitin 1944, nuk kursyen as njerëzit  e bekuar të Zotit.

Ishte vetëm shtatë vjeç kur  hyri në kolegjin franceskan të Shkodrës. Ishte një kolegj  me mësues të shquar, kolosë të mendimit  fetar, personalitete të spikatura të dijes e kultures sonë kombëtare si  At’ Gjon Shllaku,  At’ Gjergj Fishta, Padër Anton Harapi, At’ Martin Gjoka. Nje djalë i ri  në adoleshencën e vet iu nënshtrua  riteve fetare, por më së shumti  shkollimit të tij, ku zelli, pasioni për dijet e formoi atë me një formim klasik për disa disiplina si në filozofi, teologji, letërsi dhe njohu mirë disa gjuhë si: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Ishte i vitlindjes 1924. E kur ishte 20 vjeç ai mbaroi shkollimin e plotë e që nga ai çast ai vishet prift pa menduar në atë kohë se ajo veshja e zezë e tij do të ndillte kob. U burgos dy herë. Hera e parë vetëm tre vjet.  Arsyeja?! Ishte sekretar personal i padre Anton Harapit, njeriut me  shkallën më të lartë në hierarkinë kishtare katolike. Ai njohu për herë të parë dhëmbët e diktaturës që  po instalohej në Shqipëri, provoi kalvarin e vuajtjeve e shumë herë ishte në pragun e vdekjes. Provoi tortura të shumta, punë të detyrueshme, provoi morsetën e prangave ndër duar, por udhën e vet për ngritjen e vetëdijes ndër besimtarë ai nuk e ndërroi kurrë: ai bekonte vullnetin e fjalës së lirë, bekonte paqen ndër njerëz.

Diktatura po niste dimrin e vet e borën e parë  e hodhi në Shkodrën katolike, mposhti një revoltë në Postribë e pastaj  iu kthye  kishave, Askush nuk mund ta parashikonte sa i gjatë do të ishte ai dimër komunist. Përplasjet me pushtetin e ri ishin të egra, por djaloshi i ri, Zefi, nuk po lexonte  dot fatin e tij edhe pse dikush nga uniforma e vet e kishte paralajmëruar:- Do të vdesim  poshtë këmbëve të ndonjë ure!!! Ai e mori rrezikun ndër sy. Krimi i vetëm i tij ishte se ai besonte akoma te humanizmi e te fjala e Zotit.  Ai e të tjerë meshtarë që besonin te humanizmi e toleranca, nuk e kuptuan dot se  thonjtë e intolerancës  do t’i degdisnin galerave të burgjeve. Akuzat buronin nga  përjetësimi i pushtetit se tani   komunistët ishin zot në tokë. Në qiell nuk ka kurrgjë!

 Më pas  u emërua meshtar në zonën e Dukagjinit. Ai kishte krijuar një përvojë dhe për shumë vite ai  mbledh dëshmi autentike, memorizon  gjithçka që kujtesa njerëzore mbante në nënvetëdijë  duke mëkuar te ndjekësit e vet besimtarë ngrehinën e devotshmërisë në fjalën e përndritshme të Zotit. Por  gjithçka shkoi në shtratin  që kishin shtruar komunistët.  Shqipëria deklaroi laicitetin e vet që do të thoshte tani kazma në duart e  rinisë revolucionare duke shëmbur nga themeli çdo ngrehinë  të Zotit në tokë. Anatema filloi. Këtu fillon edhe burgosja e dytë e At’ Zef Pllumit. 23 vjet rresht në burgjet komuniste. Një Mandelë shqiptar.

Ai e dinte mirë se liria është e shenjtë, por nga bota e instikteve po instalohej dhuna  si një vullnet i shumicës, kur ende shqiptarët nuk kishin ndier shijen e begatë të paqes. Të dehur nga fitorja mbi fashizmin, ata u mposhtën nga nje delir që me sa  u duk  i tërboi në urrejtjen e tyre.

 Karvanet e vdekjes i çonin nga Spaçi në kënetën e Maliqit, nga Ballshi në ShënVasil

-Ju kini vdekur, si nuk e kuptoni? Qumështin e nënës hidhe këtu!- Fliste hetuesi. Urrejtja shfrynte egërsinë e vet.- Fruti nuk doli si lulja,-thotë diku Zef Pllumbi. E më tej- liria erdhi me ngricë.

 Një libër i plotë memoristik, ndoshta vepra  më  e arrirë nga gjitha  ajo shumicë librash që penën e ngjyen në vuajtjet e torturat e burgjeve komuniste edhe për një fjalë goje, At’ Zef Pllumbi ka një kujtesë akribike, ka një rrjedhshmëri që të habit  me renditjes e situatave njëra pas tjetrës, me plot detaje, insinuata që të bindin në vërtetësinë e tyre. Asgjë të sajuar nuk ka aty. Vërtetësia është guri  më i forë i kësaj kujtese, fjala e At’ Zef Pllumit është zëri më i fortë i një dëshmitari që përjetoi ferrin komunist.

Jeta dhe qëndresa përballë saj, vdekja dhe shpresa që kërkon të sfidojë vdekjen, një dokumentar autentik historik, një mundësi të shohëh qartësisht ferrin komunist. Jeta e At’ Zef Pllumit ishte një kalvar i gjatë vuajtesh aq sa është edhe një model i një vullneti të pakufi,  kur mendon se  çështja që ti mbron është sublime dhe  është në të mirë të njerëzisë. E këto ide ai i mbajti dhe i mbrojti brenda vetes aq gjatë. Ky libër është ringjallja e tij.