Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Mozaiku i humbur…Gezim Llojdia

Mozaiku i humbur…Gezim Llojdia

Mozaiku i humbur…

Gezim Llojdia

1.

Disa vite më parë, mes faqeve të një botimi enciklopedik për krahinën e Mesaplikut. Ishte një përshkrim i shkurtër, por mjaftueshëm i fortë.Si dhe për të hapur një udhëtim kërkimi. Autori i këtij botimi, studiuesi Idajet Jahaj, sillte në vëmendje një trevë pak të njohur, të shtrirë në pjesën jugore të Smokthinës.Ajo një hapësirë ku historia duket se fshihet mes kodrave dhe heshtjes.

2.

…I shtyrë nga dëshira për ta ekspozuar këtë zonë përtej lumit të Kuçit, nisa kërkimet.Dhe duke ndjekur gjurmët e saj në hartë dhe në kujtesën e njerëzve. Sot, sipas ndarjes administrative, kjo trevë kufizohet me Vërmikun fshatin që mbi kokë ka vetëm një grusht qiell .Si dhe me Bolenën, Vranishtin, Tërbaçin dhe Bratin. Janë emra që tingëllojnë si thirrje nga thellësia e kohës, fshatra që mbajnë mbi supe histori të pathëna.

3,

Relievi i kësaj zone është i ashpër dhe njëkohësisht madhështor. Kodrat, të formuara nga shkëmbinj të lashtë.Ato që shtrihen si valë të ngrira në kohë, ndërsa mbi to ngrihet një majë e vetme. Smokthineci, që vendasit e përmendin me respekt, si një rojtar i heshtur i trevës.Pak më tutje, Cipini, me 1599 metra lartësi, qëndron si një pikë takimi mes tokës dhe qiellit.

Por ajo që e bën këtë vend vërtet të veçantë nuk është vetëm peizazhi. Është historia e gdhendur në gurë, e shtruar në mozaikë, e ruajtur në rrënoja.

Kjo trevë mbart një numër të madh monumentesh të trashëgimisë kulturore.Ato kryesisht materiale, që dëshmojnë për një jetë të hershme, të gjallë dhe të organizuar. Janë gjurmë që flasin edhe kur askush nuk i dëgjon.

Mes tyre spikasin

-qyteza antike e Cerjes,

-ura e Bogdanit,

-mozaiku i Kacorit dhe mozaiku i Mesaplikut.Dëshmi të një qytetërimi që ka lënë shenjën e vet dhe pret ende të njihet, të vlerësohet, të tregojë historinë e tij.

Ky është Mesapliku një krahinë dhe një vend ku natyra dhe historia bashkëjetojnë në heshtje, duke pritur dikë që të ndalet, të dëgjojë dhe të tregojë rrëfimin e tyre.

4.

Udhëtimi ynë ndalet tani në një fshat të veçantë.Aty ku historia dhe toka bashkohen për të treguar një nga dëshmitë më të rëndësishme të kësaj treve: mozaikun e dytë.

Fshati Mesaplik shtrihet qetë në një luginë, i rrethuar nga kodra që duket sikur e mbrojnë nga koha. Mbi të gjitha ngrihet Smokthineci. Kodra më e lartë e fshatit, një prani e heshtur që vështron brez pas brezi.

Të dhënat historike tregojnë se ilirët e kësaj zone e kanë pasur shtrirjen e tyre që nga Cerja, përgjatë ultësirës së lumit të Smokthinës.Krahas toponimeve që flasin ende gjuhën e lashtësisë, në këtë territor janë evidentuar mbi pesëmbëdhjetë objekte kulti.Dhe ky është një fakt i përmendur nga D. Matodashi në një botim të vitit 2005.Janë shenja që tregojnë se kjo nuk ka qenë thjesht një hapësirë banimi, por një qendër me rëndësi shpirtërore dhe kulturore.

6.

Cerja përfaqëson një nga qytezat antike më të rëndësishme të luginës së lumit të Vlorës. Ajo bënte pjesë në konionin e Amantisë dhe luante një rol të ngjashëm me Olympen, Mavrovën e sotme. Pozicioni i saj strategjik e kishte shndërruar në një qytezë fortifikuese, e ndërtuar për të vëzhguar me rreptësi kalimet përgjatë rrjedhës së lumit Shushicë dhe luginës së tij .Ato rrugë që përshkoheshin nga udhëtarë, tregtarë dhe ushtri që në antikitet.

Cerja mban edhe vulën e kohës. Një shenjë që i përket shekullit të III p.e.s. Kalaja e saj ka formën e një piramide me bazë katërkëndëshe, një arkitekturë që flet për funksion mbrojtës dhe për një ndërtim të menduar me kujdes.

Në qendër të këtij konioni ndodhej Amantia, kryeqendra, e ngritur mbi një kodër në formën e një koni me bazë të përmbysur. Ndërsa më tej, kalaja e Cakallovajve , qyteti i fortifikuar i Olympias shtrihej mbi një kodër me një sipërfaqe prej rreth 13 hektarësh.

Ishte një qytet i pajisur me akropol, rrënojat e të cilit ndodhen sot në fshatin Mavrovë, në anën e djathtë të lumit Shushicë.

Olympia u identifikua nga arkeologu Burhan Dautaj, i cili gjatë gërmimeve të zhvilluara në vitet ’60 zbuloi tetë monedha me mbishkrimin Olympiastan një dëshmi e qartë e identitetit dhe rëndësisë së këtij qyteti antik.

…Cerja ndodhet në të djathtë të lumit Shushicë. Gurët e shumtë të mureve, me përmasa që arrijnë deri në 70 me 100 cm, qëndrojnë ende aty, si dëshmitarë të heshtur të një kohe kur kjo trevë ishte qendër vëmendjeje, force dhe qytetërimi.

7.

Mozaiku i Kaçorit mbetet një nga dëshmitë më të heshtura dhe njëkohësisht më të dhimbshme të trashëgimisë së kësaj treve. Burimi i parë që flet për ekzistencën e tij është D. M. i cili rreth pesëmbëdhjetë vite më parë e përmend në një botim kushtuar zonës.

Përshkrimi është i shkurtër, thuajse i ftohtë. Ai sjell vetëm të dhëna të dëgjuara dhe të ruajtura në kujtesën e vendasve.

Sipas këtyre dëshmive, mozaiku është zbuluar në vitin 1964. Nuk pati gërmime arkeologjike. Nuk pati një ekip specialistësh. Zbulimi nuk u shoqërua me dokumentim shkencor. Mozaiku ndodhej pranë kishës së Kaçorit, një vend që edhe vetë mbart ngarkesë historike dhe shpirtërore.

E njëjta e dhënë përmendet edhe në enciklopedinë e fshatit, e cila shërben si burimi i dytë i shkruar. Edhe aty, informacioni mbetet i kufizuar. Mozaiku u zbulua pranë burimit që mban të njëjtin emër Kaçori.

8.

Vendi ku u gjet ishte buzë lumit. Në një tokë të sheshtë, e përdorur për bujqësi. Ara kishte një sipërfaqe prej rreth 80 m 2. I. Jahaj, mësues në këtë fshat dhe një nga burimet kryesore të dëshmisë, shprehet se mozaiku u shkatërrua gjatë punimeve bujqësore, kur toka u punua me traktor. E njëjta dëshmi përsëritet edhe nga burimi tjetër.Mozaiku u prish pa u kuptuar vlera e tij, pa u ndalur koha për ta mbrojtur.

Megjithatë, nga kjo humbje ka mbetur një dëshmi e vetme, e çmuar. Një gur i mozaikut, i ruajtur nga banorët e zonës, mbi të cilin janë gdhendur dy figura që ngjasojnë me diellin ose ndoshta me dy planetë, sipas formës që paraqesin.

…Figura e parë, identike me të dytën, paraqet një rreth të plotë. Brenda tij vjen një rreth tjetër, pastaj një i tretë, dhe në fund, një rreth i vogël, sa një grusht. Është një simbolikë që mbetet ende për t’u deshifruar, një mesazh i gdhendur në gur që i ka mbijetuar shkatërrimit.

Ky gur është sot e vetmja dëshmi materiale e mozaikut të Kaçorit krahas rrëfimeve të banorëve, të cilët ende kujtojnë ditën kur historia u copëtua nga hekuri i traktorëve, gjatë punimeve për mbjelljet. Një fragment i vogël, por me një peshë të madhe kujtese, që flet për atë që kemi pasur dhe për atë ,që humbëm pa e kuptuar.

9.

Mozaiku i Kaçorit ndodhej në anën veriore të qytezës së Cerjes, pranë rrjedhës së lumit të Smokthinës. Ishte një hapësirë që fliste për jetë publike. Studiuesit mendojnë se aty ka ekzistuar një ndërtesë publike, banjo, e ndërtuar gjatë shekujve III–IV t e.s. Një vend takimi, pastrimi, ndoshta edhe komunikimi ,një fragment i jetës së përditshme të një qytetërimi tashmë të zhdukur.

10.

Mozaiku u zbulua rastësisht në vitin 1964, gjatë punimeve bujqësore, kur traktorët çanë tokën e një are pranë lumit. Sipërfaqja e tij ishte e shtruar me gurë shumëngjyrësh, të ngjashëm me ata të mozaikut të Mesaplikut.Në të njëjtin vend janë gjetur gjithashtu gurë dhe shtylla mermeri, dëshmi të qarta të një ndërtese me funksion publik dhe arkitekturë të përpunuar.Por ky zbulim nuk u shoqërua me mbrojtje.

Mozaiku u shkatërrua gjatë të njëjtave punime që e nxorën në dritë. Janë gjetur edhe fragmente trupash, çka e thellon edhe më shumë misterin dhe rëndësinë arkeologjike të këtij vendi. Kjo mbetet një nga humbjet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të zonës.

Studiuesi D. Komata, duke iu referuar kësaj periudhe, thekson se kisha paleokristiane e Mesaplikut, pushtimet nga lindja dhe perëndimi, sollën një rënie të re ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Në këtë kontekst, kaonët, ashtu si provincat e tjera romake të lindjes dhe perëndimit, përqafuan fenë e krishterë, duke gjetur aty shpresën e shpëtimit. Kështu lindën faltoret e para të ritit të krishterë, të cilat më vonë u shndërruan në peshkopata dhe, sipas autorëve, ka shumë gjasa që të vareshin nga Bazilika e Mesaplikut.

Idajet Jahaj, mësues dhe studiues nga vetë ky fshat, sjell një tjetër dëshmi me rëndësi. Sipas tij, mozaiku i dytë u zbulua në vitin 1979, në vendin e quajtur “Kisha e Murres”, në qendër të fshatit Mesaplik. Ai i përkiste një bazilike të artit paleokristian. Figura të ngjashme me ato të këtij mozaiku janë gjetur edhe në kodrën e Vreshtës, pranë Hanajve.

Gjurmët e krishterimit të hershëm shtrihen gjerësisht në këtë trevë. Rreth kodrës së Smokthinës evidentohen rreth tetë deri në nëntë emërtime vendesh dhe majash kodrash që mbajnë emrin “kishë”. Mes tyre përmenden: Kisha e Kajtazes, Sheshi i Kishës, Gropa e Kishës, Maja e Gumenes.

Në këto vende janë gjetur relike të shumta: forma tjegullash, enë balte, pllaka mermeri dhe qypa, që dëshmojnë për një jetë intensive dhe të organizuar.

Shpërndarja e këtyre monumenteve është domethënëse. Qyteza e fortifikuar e Cerjes ndodhet rreth tre kilometra larg, dy mozaikët janë rreth dy kilometra larg njëri-tjetrit, ndërsa vargu i emërtimeve “kishë” krijon një hartë të dendur vendbanimesh. Të gjitha këto të dhëna flasin për një dendësi popullsie dhe një jetë shpirtërore e kulturore shumë më të pasur nga sa mund të mendohet sot.

11.

Një zonë që ngjall interes të veçantë studimi është territori i fshatit Mesaplik, i shtrirë përreth kodrës së lartë të Smokthinecit. Kjo hapësirë, në dukje e qetë dhe e heshtur, fsheh nën tokë shtresa historie që presin ende të zbulohen.

Pikërisht në rrëzë të kësaj kodre janë evidentuar dy mozaikë të rrallë, të cilët përbëjnë dy monumente me vlera të jashtëzakonshme kulturore dhe historike.

Mozaiku i parë u zbulua në vitin 1964, në vendin e quajtur “Kisha e Kaçorit”, në bregun e lumit të Smokthinës. Ishte një zbulim rastësor, i bërë gjatë punimeve bujqësore. Por ajo që mund të ishte shndërruar në një pasuri të ruajtur dhe të studiuar, u kthye shpejt në humbje.

Mozaiku nuk u dokumentua, nuk u mbrojt dhe u shkatërrua gjatë punimeve me traktor të ngastrës bujqësore.

Kështu, një dëshmi e rrallë e së shkuarës u zhduk pothuajse pa lënë gjurmë, duke e bërë edhe më të domosdoshme vëmendjen ndaj asaj që ende mund të ruhet. Mesapliku mbetet sot një territor me potencial të jashtëzakonshëm studimor, por edhe një kujtesë e fortë për atë që humbet kur historia nuk mbrohet në kohën e duhur.

12.

Kalaja e fortifikuar e Cerjes ngrihet si një dëshmi e fuqishme e antikitetit, e ndërtuar në shekullin e III para erës sonë. Ajo ndodhet rreth 2.5 kilometra larg fshatit Mesaplik, në një pozicion strategjik ku bashkohen ujërat e lumit të Smokthinës me Shushicën një pikë kyçe për kontrollin e lëvizjeve dhe rrugëve të lashta.

Midis kalasë dhe fshatit Brataj, mbi rrjedhën e Shushicës, ngrihet ura e Bratit, e cila edhe sot shënon një lidhje natyrore mes vendbanimeve të kësaj treve.

Pozicioni gjeografik i kalasë e bënte atë pothuajse të pathyeshme. Pjerrësitë juglindore të kodrës janë të thepisura dhe të pakalueshme, ashtu si edhe tri anët e saj, me përjashtim të anës perëndimore e vetmja hyrje e mundshme, e kontrolluar rreptësisht.

Në sipërfaqen e saj, që shtrihej në rreth dy hektarë, kanë ekzistuar ndërtesa banimi dhe dy objekte kulti, çka tregon se Cerja nuk ishte thjesht një pikë ushtarake, por një qendër e organizuar jetese dhe besimi.

Kalaja ishte e pajisur me pesë kulla mbrojtëse nga ana lindore, të ndërtuara për të vëzhguar çdo lëvizje përgjatë luginës.

Çdo gur i mureve të saj është një bllok masiv, me përmasa që arrijnë 1.80 deri në 1.90 metra, të shkëputur nga masivet natyrore që ndodhen aty pranë. Është një ndërtim që flet për forcë, për mjeshtëri dhe për një vizion mbrojtës të menduar me kujdes.

Rreth 300 metra në lindje të kalasë ndodhen mbetjet e urës së lashtë të Bogdanit një tjetër dëshmi e rrjetit të zhvilluar të komunikimit dhe infrastrukturës së kësaj treve në antikitet. Së bashku, kalaja dhe ura formojnë një ansambël historik që dëshmon rolin kyç të Cerjes në kontrollin dhe mbrojtjen e kësaj hapësire.

Sot, këto rrënoja qëndrojnë në heshtje, por çdo gur, çdo shteg dhe çdo kthesë e terrenit vazhdon të tregojë historinë e një qytetërimi që dikur sundonte këtë luginë.

13.

Mozaiku tjetër u zbulua në vitin 1979, në vendin e quajtur “Kisha e Murme”, në qendër të fshatit Mesaplik. Ai u shfaq si një dëshmi e dytë, sikur historia të përpiqej të fliste sërish, pas humbjes së parë. Një kujtesë që vinte nga thellësia e kohës, për të treguar se kjo trevë nuk ishte një rastësi në hartë, por një hapësirë e banuar, e ndërtuar dhe e shenjtëruar brez pas brezi.

Mozaiku i parë u zhduk për shkak të pakujdesisë dhe etjes së verbër për të hapur tokë buke kudo. Zinxhirët e hekurt të traktorëve e prenë, e copëtuan dhe e shkatërruan tërësisht atë që kishte mbijetuar për shekuj me radhë. U shua kështu një dëshmi e lashtë e banorëve të kësaj treve, të cilët, sipas Eqrem Çabejt, rridhnin nga fisi ilir i mesapëve.

Mozaiku i parë “iku”. Gjurmët e tij nuk duken më. Sikur të mos ketë ekzistuar kurrë. Kanë mbetur vetëm rrëfimet e banorëve dhe ndonjë copëz fotografie, që sot mban mbi vete peshën e asaj që humbi përgjithmonë.

Mozaiku i dytë mbetet ende aty si një thirrje e fundit për ndërgjegje një kujtesë se historia nuk është e pafundme dhe se çdo pakujdesi mund të kthehet në një humbje të pakthyeshme. Mesapliku, me mozaikët e tij, me kishat, me kalanë dhe me emrat e lashtë të vendeve, vazhdon të na kërkojë vëmendje.

*Autori ka drejtuar Parqet Kombëtare Arkeologjike të Vlorës.