Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Në shërbim të kujtesës së njё gjenerate-Zymer Mehani

Në shërbim të kujtesës së njё gjenerate-Zymer Mehani

Zymer Mehani

Në shërbim të kujtesës së njё gjenerate

(Ragip Mehanja “GJENERATA E SHKOLLËS SË MESME TEKNIKE – MAKINERI M13–M43 (1973–1977), PODUJEVË”, SHB “SHKROLA”, Prishtinë, 2025

(Monografi)

Me kënaqësi dhe ndjenjë të veçantë përgjegjësie po paraqes para lexuesit këtë fjalë timen redaksionale për monografinë e autorit Ragip Mehanja, kushtuar gjeneratës së Shkollës së Mesme Teknike – drejtimi Makineri, M13–M43, të viteve 1973–1977, një brez i cili la gjurmë të pashlyeshme në arsimin profesional dhe në historinë shoqërore të Podujevës. Kjo vepër nuk është vetëm një përmbledhje faktesh, biografish e kujtimesh, por ajo është edhe një dëshmi e një kohe, një falënderim për mësimdhënësit tanë dhe një homazh për rrugëtimin e shokëve të bankave të shkollës.

Nëpërmjet kësaj monografie, autori Ragip Mehanja ka arritur të ruajë e të përcjellë për brezat e rinj një pjesë të rëndësishme të historisë sonë të afërt, duke na rikthyer në ditët kur dija, kolegjialiteti dhe shpresa për të ardhmen ishin vlerat themelore që na bashkonin. Profesorët tanë – me përkushtimin, profesionalizmin dhe autoritetin e tyre – na udhëhoqën drejt një profesioni fisnik. Në faqet e këtij libri ata marrin vendin e merituar, përmes biografive që dëshmojnë për kontributet e tyre të jashtëzakonshme.

Po aq me vlerë janë edhe biografitë e ish-nxënësve. Secili prej tyre sjell fragmente nga jeta e vet, kujtime të çmuara e histori që pasqyrojnë shpirtin e asaj kohe. Këto rrëfime të sinqerta dhe shpesh emocionale, e bëjnë monografinë një dokument të gjallë, të frymëmarrjes së një gjenerate që u rrit, u formua dhe u kalit në rrethana jo gjithmonë të lehta, por me vullnet e përkushtim të admirueshëm.

Në këtë botim, fotografia ka vend të veçantë. Ajo plotëson fjalën e shkruar dhe e bën këtë vepër edhe më të çmuar, sepse rikthen fytyrat, buzëqeshjet, momentet dhe ngrohtësinë e një periudhe që na bashkon përtej kohës.

Si redaktor, e vlerësoj lart punën këmbëngulëse të autorit, i cili ka mbledhur materiale, ka hulumtuar, ka kontaktuar me bashkëkohësit dhe ka strukturuar me kujdes një vepër që do t’i shërbejë poullit tonë, familjeve tona, por edhe studiuesve të historisë së arsimit profesional në vendin tonë.

Le të jetë kjo monografi një urë e fortë lidhëse mes brezave – një kujtesë e gjallë për të kaluarën dhe një frymëzim për të ardhmen.