
Ishte natë, i fliste hënës së plotë dhe sikur i zbrazej asaj…
“Lum” si ata që s’kanë dashur ndonjëherë me të vërtetë, që janë gënjyer me dëshirën e kanë kujtuar se po dashurojnë. Që do vdesin e kurrë s’do mësojnë se dashuria është diçka krejt tjetër. Është diçka që ndodh vetëm njëherë në jetë, si rrufe që godet atëherë kur nuk dihet, kur s’e pret. Është pagjumësi, tronditje, pështjellim ndjesish nga më të larmishmet, pritje që s’qas gjumë mbi qerpik. Është shkundje nga themeli, rëmet i lumtur, drithërimë zemre që shndërrohet në këngë. Është agoni që s’gjen kurrë qetësi, dhimbje që therr vazhdimisht nën brinjë, hymn me përmasa qiellore, rilindje nga nën hiri ku gjendesh a rutina ku ke rënë. Është mall i pashuar, është lot gëzimi, është frymë. Është shpirti që puth në buzët e njeriut që dashuron..
Ndaj janë të “lumtur” ata që s’e kanë njohur, se s’kanë vuajtur aspak nga të gjitha këto. Se s’kanë jetuar, kur kujtonin se qenë gjallë..
(Nga libri në dorëshkrim)