Stina kur librat marrin frymë…
Reportazh poetik
nga Nexhbedin Basha Gazetar & Poet







Pallati i Kongreseve këtë vit gumëzhinte.
Mbi 100 shtëpi botuese, nga të gjitha trevat shqipfolëse, sillnin librat më të rinj, autorët më të dashur, përkthimet më cilësore.
Dritat e stendave krijonin një atmosferë festive, ku edhe hapat e lexuesve dukeshin si ritëm muzike.
Në hyrje më priste stenda e Botës Shqiptare.
Librat shqiptarë, të ndërthurur me botime nga letërsia botërore, tërhiqnin vizitorë të çdo moshe.
Tek Botomet Mitat Fradhëri, takova historianin dhe studiuesin Uran Butka, i rrethuar nga lexues që mbanin në duar:
“Polemika”, “Lufta civile në Shqipëri”, “Mit’hat Frashëri – vepra të zgjedhura”, “Marrëveshja e Mukjes”.
I dhurova vëllimin tim poetik: “Hija e vetes”.
Ai u ndal gjatë te vargjet dhe tha:
“Fjalët janë një çarje drite. Poeti në pak rreshta thotë atë që zemra e ka vite që kërkon.”
Më tej, tek Botimet M&B, takova shkrimtarin dibran Ramiz Gjini, “Katundi mes malesh” vëllim me tregime, libri i tij më i ri. Pavioni gumëzhinte nga vizitorët. Bujar Karoshi drejtuesi Botime M&B shprehu kënaqësinë: “Këtë vit libri shqip është fituesi i vërtetë.
Lexuesi është shtëpia ku kthehet libri; autori, dritarja nga ku ai sheh botën.” — Bujar Karroshi
E ndërsa në Botime “Univers”, libri më i shitur romani i shkrimtarit dhe gazetarit Bashkim Hoxha “Eva e tyre nuk e hëngri mollën”. Aty gjeta 3 libra, nga 30-të që ka autori Halil Rama “40 vepra letrare të 40 autorëve në skanër”, “Dibra dhe dibranët në Panteonin e vlerave”, “Mehdi Luca emblemë e qytetarisë dibrane” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës”, të Tajar Domi , me redaktor Halil Rama “Mjeshtër i Madh”, të pëlqyer nga vizitorët. Një surprizë e bukur ishte te botimet për fëmijë: një djalë vetëm 9 vjeç, Andrea Agasi, kishte ardhur me librin e tij të përrallave “RAGI DHE MUZIKA E PYLLIT”. Fantazia e tij ndezi buzëqeshje te fëmijët që rrethonin stendën.
Tri librat e mi poetikë
Në pavionin e Botimeve Nacional, me botues Dr.Prof. Mujo Buçpapaj, krahas autorëve të shumtë, këtë vit u prezantuan për herë të parë:
– “Violina e luleve”
– “Hija e vetes”
– “Ujvarë dashurie”
Në të njëjtin pavion, ndër raftet që shkëlqenin nga lexuesit e shumtë, dalloheshin edhe botimet e poeteve të njohura:
• Elvira Zeneli
– “Më merr në ëndrra”
– “Puthja e jetës”
• Barie Çupi
– “Fjalë të palexueshme”
– “Jam grua”
Prania e librave tanë së bashku krijonte një mozaik zërash poetikë, një atmosferë të gjallë ku fjalët rrjedhnin si një lumë që bashkon kohën, ndjenjën dhe kujtesën.
E ndërsa Drejtori i Botimeve dhe Gazeta NacionalMujo Bucpapaj ndjehet i kënaqur nga shitja dhe interesimi. Ai shprehet: “Libri është pasaporta më e çmuar e shpirtit — me të kalojmë kufijtë e kohës.”
Një frymë shqiptare
Në këtë panair gjeje stenda nga:
Tirana, Prishtina, Shkodra, Gjakova, Ulqini, Tetova, Kërçova, Struga — një hartë shpirtërore ku gjuha shqipe jehon nga të gjitha anët.
Midis tyre dallonin shtëpitë botuese:
Bota Shqiptare, Botart, Ideart, Toena, Onufri, Nacional, Dituria, Botimrt M&B, Plejad, Akademia e Shkencave të Shqipëtisë, Morava, GVC, Botimet Dritan, Aedotions, Botime Françeskiana, Mitat Frashëri, Argeta LMG, Logos-A, Armagedoni, Koha, Rilindja, Buzuku, Art Club Ulqin, Idromeno, Zenit, Naim Frashëri, Fokus Komunikime, Natyra dhe shumë të tjera.
Rrugëtimi midis stendave ngjante si të ecje nëpër brigjet e një lumi fjalësh — aty ndaleshin rrënjët e Ilirisë së lashtë, aty ndeshej historia, legjenda, miti, e deri te zhurma digjitale e rrjeteve sociale të sotme.
Leximi publik – oda e fjalës
Teksa prekja kopertinat, shfletoja titujt e rinj dhe takohesha me autorë e lexues, m’u rikthye në mendje një poezi ime, si një zë i butë që kërkon të dalë në dritë.
Në atë mori ngjyrash, zërash, librash të rinj e të dashur, u kujtova se:
Në çdo libër jemi ne vetë — autori dhe lexuesi, kujtimet e dikujt dhe ndjesitë e kujtdo që hap një faqe.
Pikërisht për këtë, vendosa ta ndaj këtë poezi me lexuesit e reportazhit:
“Në libër jam unë, je edhe ti!”
E hapa fletën e librit zverdhur,
Aty isha unë, ishe edhe ti,
Në të gjeta vetveten,
Gjeta të bukurën magji…
Aty gjeta fjalë që s’i gjen askund,
Gjeta një vend ku të mbështes kokën,
Aty është jeta, është universi,
Aty është dashuria për Tokën.
Në vargje e rreshta është kujtesa,
Kënga dhe muzika në pentagrame,
Është hëna, dielli dhe e vërteta,
Është jehona e kreshnikëve në male.
Aty janë ëndrrat, është galaktika,
Ku njerëzimi luan me jetën,
Është fizika dhe matematika,
Paqa dhe lulet në bjeshkë.
Një libër është si fëmija,
Një lindje e ëmbël, si mjaltë,
Nëpër fletë vjen dashuria,
E të fton në vals çdo varg.
Komenti im:
Libri është pasqyra e shpirtit njerëzor.
Aty jemi të gjithë: autori, lexuesi, drita, kujtesa, shpresa.
Ai lind nga drita e mendjes dhe rritet në duart e lexuesit.
Ura që lidh të shkuarën me shkallët e së ardhmes.
Fituesit e Çmimeve të Mëdha – 15 Nëntor 2025
• Autori më i mirë i vitit – Akademik Artan Fuga, “Ndëshkimi i dytë i Evës”
• Përkthyesi më i mirë i vitit – Z. Virgjil Muçi, “Xhejmsi” të Percival Everett
• Çmimi i librit më të mirë studimor – Z. Ali Xhiku, “Faqeve të historiografisë shqiptare (1996–1997)”
• Autori i librit më të mirë për fëmijë – Znj. Valbona Banka, “Aria, në dorën time”
• Përkthimi më i mirë nga frëngjishtja – Z. Urim Nerguti, “Hyrija” të Kamel Daoud
• Çmim i veçantë karriere – Znj. Janka Selimi, për letërsinë bullgare
• Diplomë Mirënjohjeje – Profesor Arqile Teta, për përkthimin e letërsisë polake
Në fund të ditës, ndërsa dritat zbeheshin, mbetnin vetëm librat — të heshtur, të ndritshëm, të gjallë.
Në një panair libri, njeriu gjen gjithmonë veten — në faqen e një poeme, në sytë e një lexuesi, në dritën e një fjale që sapo ka lindur.
Nexhbedin Basha
16 Nëntor 2025