Dhe një poezi e Veis Abazit .
G.Llojdia

…
Gjeta pak kohë dhe u ndala në faqen “Aromë Progonati”. Aty, një poezi e një autori të panjohur më priti si një fllad që vjen nga malet. Ishte si një këngë e lindur nga guri dhe era.
Ky fshat ka diçka që të thërret një magnet të padukshëm që të tërheq në thellësi të frymëzimit. Poezia që rritet aty, në atë hapësirë të heshtur, mbart frymën popullore, aromën e dheut, dhe motivet e jetës që pulson në majat e atij vendi të lartë.
Progonati është një fshat i çuditshëm. Më shumë se një vendbanim është një karakoll, një strehë e shpirtit. I shtrirë në prerje të maleve, me pak tokë e shumë gurë, me kanione që frymojnë mister dhe shpella që flasin nëpër shekuj,por gati mitike.
Mes tyre qëndron “Shpella e Asteroidit” shpella e mysafirit qiellor. Thuhet se kur një trup qiellor lëviz afër tokës, ai preket me energjinë tonë. Është si një frymëmarrje e përbashkët mes nesh dhe yjeve.
Por kur ai zbret furishëm dhe hap guva e shpella çfarë do të thotë kjo?
Se energjinë që kërkojmë në qiell, e kemi këtu, në prehërin e tokës sonë.
Dhe poezia ajo është bija e parë e bukurisë hyjnore. Është fryma që ngjizet nga guri, drita dhe shpirti i njeriut që di të dëgjojë heshtjen.
Jeta jonë shkallë-shkallë
Jeta jonë shkallë-shkallë,
Fillon duke ecur zvarrë,
Fëmijërinë kujtojmë me mall,
Për ato lodrat e saj.
Rinia eshte prill e majë,
Si gonxhe zambak i bardhë,
I çel fletët dalë-ngadalë,
Kur ndërron puthjen e parë.
Vjen dhe koha që është mjaltë,
Por ky mjaltë s’e ka të gjatë,
Rrit fëmijë e shtohen halle,
Gjumi i natës kapton male.
Rraskapitur nga kjo jetë,
Biem si gjethet në vjeshtë,
Toka që ne na dha jetë,
Po kjo tokë do të na tretë.
1.
Titulli paralajmëron idenë themelore të poezisë. Jeta si një proces i përparshëm, i ndarë në etapa nga fëmijëria deri në pleqëri.
Fjala shkallë-shkallë tregon ecjen graduale të njeriut drejt fundit të jetës, duke nënkuptuar edhe rrugëtimin e natyrshëm të ekzistencës.
Tema qendrore është jeta njerëzore dhe kalueshmëria e saj nga lindja deri në vdekje.
Autori përshkruan me ndjeshmëri fazat e jetës. Fëmijërinë, rininë, moshën e pjekurisë dhe pleqërinë.
2.
Ideja kryesore:Jeta është një udhëtim që zhvillohet hap pas hapi, me gëzime, përgjegjësi dhe lodhje, derisa njeriu i kthehet tokës prej nga ka ardhur.
Jeta jonë shkallë-shkallë,
Fillon duke ecur zvarrë,
Autori nis me një metaforë të thjeshtë e të bukur: jeta fillon me foshnjërinë, kur njeriu ecën zvarrë. Kjo tregon fillimin e udhëtimit jetësor, të pafajshëm dhe të varur nga të tjerët.
Fëmijërinë kujtojmë me mall, Për ato lodrat e saj.
Fëmijëria paraqitet si periudha e lumturisë dhe pafajësisë, që kujtohet me nostalgji. Lodrat simbolizojnë thjeshtësinë dhe gëzimin e pastër.
Rinia është prill e majë,
Si gonxhe zambak i bardhë..
3.
Krahasimi me prillin dhe zambakun e bardhë sjell freskinë, bukurinë dhe pastërtinë e rinisë. Rinia është stina më e bukur e jetës.
I çel fletët dalë-ngadalë,
Kur ndërron puthjen e parë…
Autori përshkruan momentin e dashurisë së parë, që shënon pjekurinë emocionale dhe shpirtërore të njeriut.
Vjen dhe koha që është mjaltë,
Por ky mjaltë s’e ka të gjatë,
Metafora e “mjaltit” tregon periudhën e lumturisë martesore dhe familjare, por autori thekson se ajo është e shkurtër, sepse fillojnë përgjegjësitë e jetës.
Rrit fëmijë e shtohen halle,
Gjumi i natës kapton male…
…Jeta e pjekurisë përshkruhet me punë, lodhje dhe sakrifica. Shprehja “gjumi i natës kapton male” është metaforë për mungesën e pushimit dhe qetësisë.
Rraskapitur nga kjo jetë,
Biem si gjethet në vjeshtë…
Pleqëria përshkruhet me një imazh të bukur poetik: njeriu bie si gjethet në vjeshtë natyrshëm, i lodhur, i gatshëm për t’u kthyer te origjina.
..Toka që ne na dha jetë, Po kjo tokë do të na tretë.
Mbyllja ka një ton realist. Jeta mbyllet në tokë, në të njëjtin vend prej nga filloi. Kështu, cikli i jetës përmbyllet plotësisht.
4.
Metafora jeta shkallë-shkallë, koha që është mjaltë, bie si gjethet në vjeshtë.Krahasim.Sigonxhe zambak i bardhë.Personifikim.Toka që ne na dha jetë.
Antitezë.Gëzimi i rinisë lodhja e pleqërisë.
Poezia ka strofa të rregullta me vargje të shkurtra e me rimë të lehtë p.sh. zvarrëmall, mjaltëshkallë.
Ritmi është i ngadaltë dhe rrjedhshëm, duke i përshtatur ndjesinë e kalimit gradual të kohës.
…Jeta është një rrugëtim i natyrshëm që duhet pranuar me përulësi dhe vetëdije. Njeriu duhet ta shijojë çdo etapë të saj fëmijërinë, rininë, dashurinë, punën e lodhjen sepse gjithçka është kalimtare dhe përfundon te toka, që na ka dhënë jetë.