Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Restorant Hasa në zemër të Fushë-Studnës-Nga Çaush Kullafi

Restorant Hasa në zemër të Fushë-Studnës-Nga Çaush Kullafi

Restorant Hasa, një vatër ngrohtësie dhe ushqimi në zemër të Fushë-Studnës

Nga Çaush Kullafi

Fushë-Studna në dimër është si një faqe e bardhë e natyrës, ku çdo hap shkruan qetësi dhe çdo frymë merr aromë pastërtie. Dëbora zbret lehtë mbi këtë hapësirë malore, duke e kthyer fushën në një qilim të pafund bardhësie, ndërsa pyjet shtatlartë rreth saj qëndrojnë si rojtarë të heshtur, me supe të mbuluara nga dëbora, sikur mbajnë mbi vete barrën e bukurisë së dimrit. Degët e drurëve përkulen me dinjitet, si pleq të urtë që ruajnë kujtimet e stinëve.

Në hyrje të Fushë-Studnës, Hotel – Restorant “Hasa” qëndron kryelartë, si një vatër mikpritjeje që sfidon të ftohtin. Ai nuk është thjesht një godinë, por një shtëpi e hapur, ku ngrohtësia njerëzore ndjehet që në hapin e parë. Dëbora rreth e rrotull duket sikur i bën nder këtij oxhaku mikpritës, ndërsa tymi që ngrihet nga çatia është si një thirrje e heshtur: “Ejani, këtu ka ngrohtësi.”

Në bardhësinë e fushës, tufa e deleve të Riza Kamomilit shfaqet si re të bardha që kanë zbritur nga qielli, duke lëvizur ngadalë mbi tokë. Ato e bëjnë peizazhin të gjallë, i japin jetë kësaj tabloje dimërore dhe dëshmojnë se natyra këtu nuk fle kurrë.

Brenda restorantit, gatimet tradicionale janë si kujtime të gatuara me dashuri: shije që flasin për truallin, për punën e duarve dhe për trashëgiminë. Shërbimi është i qetë, i buzëqeshur dhe njerëzor. Administratorët e  hotel restorant ” Hasa”,  Jola dhe Altin Hasa, janë shpirti i kësaj mikpritjeje, ndërsa vajzat , Albrena dhe Arlena Hasa, lëvizin mes tavolinave si flutura pranverore në mes të dimrit, duke sjellë ngrohtësi në çdo buzëqeshje dhe përkujdesje në çdo detaj.

Oxhaku i ndezur duket si një zemër që rreh fort, sikur do të shkrijë jo vetëm dëborën jashtë, por edhe lodhjen e udhëtarit. Flakët vallëzojnë si rrëfenja të vjetra dhe përhapin një ndjesi sigurie, atë ndjesi që të bën të ndihesh në shtëpi edhe larg saj.

Një drekë e këndshme me djalin Nadmirin dhe Zylfijen në restorant “Hasa” , në Fushë-Studnë, më lidhi fort me këtë bardhësi: me dëborën, me oxhakun, me ushqimet plot shije dhe me mikpritjen e sinqertë të çiftit Jola e Altin  Hasa. Ishte një çast ku koha u ndal dhe shpirti u qetësua.

Nga dritarja e hotelit, fëshfëritja e erës ndjehet si një këngë e lehtë dimri, ndërsa flokët e dëborës bien pa pushim, si letra të bardha që qielli i dërgon tokës. Në tryezën tonë, çifti Hasa na ofron pak mjaltë. “Është i lokalit,” na thotë Jola me krenari. “Ja bletët, rrëzë atij shkëmbi… dhe kur fluturojnë mbi lokalin tonë, duket sikur sjellin bekimin e natyrës.” Dhe mjalti, i artë dhe i ëmbël, është si një vulë e këtij bashkimi mes njeriut dhe natyrës.

Duke zbritur me makinën tonë në rrugën e asfaltuar, në shkallën e Lunikut, i themi njëri-tjetrit pa u menduar gjatë: do të vijmë përsëri në restorant “Hasa”, aty ku gjetëm qetësi, ngrohtësi dhe njerëzi. “Pse jo,” i them me të qeshur Zylfijes, “edhe si dhëndërr i këtij fshati.” Dhe Fushë-Studna, e mbuluar me dëborë, na përcjell si një mik i mirë, që e di se takimet e bukura nuk janë kurrë të fundit.