
————————–
Çfarë rruge do të shkoja, pak e dija,
Se rrugët e gjata, janë me kthesa plot,
Kish rrugë me gropa, ku mund të bija,
Dhe për gjithë jetën, s'do të dilja dot.
Në ato rrugë, si të gjithë kam shkuar,
Ashtu, siç më mësonte përherë im at,
Ka patur pengesa, por i kam kaluar,
S’ka qenë i lehtë, ky rrugëtim i gjatë.
Ecja i bindur se vetë rrugën do e gjeja,
Të mbështeteshe diku, nuk qe nevoja,
Nëpër ëndërra, sikur më vriste rrufeja,
Nëpër mjegull, përsëri rrugën kërkoja.
Nëpër stacione, për pak kam ndaluar,
Si një rrugëtar, që nuk ka ç’të humbas,
Ulërimat e sirenave, kur i kam dëgjuar,
Kam ecur përpara, nuk jam kthyer pas.
S’jam trembur, nga rruga e pa shtruar
Në baltë jam rrëzuar, por ia kam dalur,
Diku në errësirë, një dritë kam shikuar,
Kam ecur gjunjas, frika s’më ka ndalur.
E me këngën time, që nuk di të ndalet,
Shpirtin djaloshar, kam mbajtur të gjallë,
Si shushurimë flladi, kur zbret nga malet,
Më hynë në shpirt e ma mbush me mall.
Një udhëtarë i zakonshëm kam ngelur,
Dhe nuk jam i lodhur, nga rrugët e gjata
Dielli i mëngjesit, faqet m’ka përkëdhelur,
Kur ngjitej gjithmonë, lart nëpër shpata,
Në rrugët e jetës, nëpër stacione shikoj,
Ditët, muajët e vitet, që ecin mbi binarë,
Fishkëllimat e trenave, kur ikin i dëgjoj,
Por se di akoma, cili tren do më marr.