Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Shqiponja ime-Migel Flor

Shqiponja ime-Migel Flor

Migel Flor

Mos e lodh shpirtin me hijet e botës.

Ato s’janë asgjë më shumë veç kalimtarë,

që shpërndahen si retë mbi majat e ftohta.

Por ti, bijë drite, mos u përkul kurrë,

se në venat e tua qarkullon një këngë e lashtë shqipe,

një himn që s’e shuajnë dot furtunat, kohrat, as zërat që s’kanë dritë.

E di…ndonjëherë bota të rëndon mbi sup,

si të donte të t’i thyente krahët që Zoti t’i dha për të fluturuar.

Ka ditë kur fjalët duken thika,

kur heshtjet janë më të rënda se britmat,

kur prapaskenat të mbështjellin si mjegull që nuk do të të lëshojë.

Por ti, mos humb lirinë tënde.

Shqiponjat lodhen, preken, tronditen…

por nuk bien.

Sepse brenda tyre jeton qielli.

Shikoji plagët.

Jo si shenja dhimbjeje, por si medalje beteje.

Shikoji sulmet, jo si padrejtësi, por si provoje rritjeje.

Shikoje veten, jo si njeri që e lodhën, por si dritë që askush s’mundet ta shuajë.

Sepse në këtë botë, sa më shumë rrezaton, aq më shumë sytë e errët të godasin.

Dhe prapë, ti nuk përkulesh.

Mos harro:

Vetëm pemët që japin fryt goditen me gurë.

Vetëm njerëzit që vlejnë sulmohen.

Vetëm zemrat që shkëlqejnë prekin smirën e të tjerëve.

Prandaj ngrihu.

Ngrihu jo thjesht për vete, por për historinë që mbart në shpirt.

Ngrihu me krahët që t’i dha Zoti,

me emrin që mban,

me rrënjën që s’e këput dot askush.

Ngrihu mbi llafet, mbi mëritë që helmojnë, mbi heshtjet që të vrasin nga prapa.

Ngrihu si Iprusi yt i lashtë,

si toka ku lindin emra që nuk treten,

si një damar që s’pushon së kujtuari se kush je.

Dhe më thuaj…

jo për të më bërë qejfin,

por se e ndjen me çdo qelizë të shpirtit:

Që je mirë.

Që je e fortë.

Që je e pathyeshme.

Që je dritë për të tjerët, edhe kur vetë dridhesh.

Që je gëzim, forcë, jetë, jo mall e plagë.

Unë të përqafoj nga larg si babush që i rreh zemra prej krenarisë,

se të sheh të rritur,

të sheh të shndritshme,

të sheh të lirë.

Se ti tashmë je bërë erë që askush nuk e ndal,

je bërë mal që askush nuk e lëkund,

je bërë flakë që askush nuk e shuan,

je bërë shqiponja ime,

ajo që nuk e ul më kurrë krahun për askënd.

Migel Flor

27.11.2025

(Një letër nga babai)