Nga Gladiola Jorbus

Besa dhe komunizmi: Si u shndërrua një popull me traditë nderi në një shoqëri të frikësuar
Shqiptarët, gjatë historisë së tyre janë njohur për traditën e besës, një kod nderi që lidhej me besnikërinë, fjalën e dhënë dhe mbrojtjen e mikut. Besa nuk ishte thjesht një zakon, por një sistem jete, një vlerë morale që rregullonte marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe e forconte komunitetin.
Me ardhjen e regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore, kjo traditë u godit rëndë. Një regjim që mbështetej tek kontrolli total nuk mund të bashkëjetonte me norma të pavarura morale. Komunistët e zëvendësuan besën me frikën. Sistemi krijoi një atmosferë ku çdo njeri mund të dyshohej, të hetohej, të arrestohej apo të internohej pa arsye të qartë. Në këto kushte, njerëzit nuk ndryshuan vlerat e tyre për shkak se nuk i besonin më, por sepse jetonin në një shtet që i ndëshkonte rëndë, ata që nuk bindeshin.
Spiunimi ishte rezultat i një presioni të fortë, kush refuzonte të raportonte, rrezikonte punën, lirinë, madje dhe jetën e familjes. Në këtë mënyrë, regjimi arriti të krijojë një shoqëri të fragmentuar, ku besimi ndërmjet njerëzve u dobësua, por jo sepse shqiptarët harruan besën. Ajo thjesht nuk mund të ushtrohej lirshëm, në kushtet e terrorit shtetëror.
Gjithsesi, besa mbijetoi në forma të heshtura, brenda familjeve dhe rretheve të ngushta, si një dëshmi se traditat e vërteta nuk zhduken lehtë, as kur përballen me dhunën e një regjimi totalitar.