
Mimoza Eliona Osmani
Sonte s’po fryn erë
Sonte s’po fryn erë,
Nata është e zymtë,
Qielli gri mermer
Vesh një re të tyltë.
E prek xhamin akull,
I ftohtë si një trishtim;
Me frymë e mbush me avull,
Të shkruaj një kujtim…
Që të mos vdesë si re,
Si tym nga një cigare,
Si dritë nga një rrufe,
Si ngjyrat në fanare.
Sonte, s’ka dyshim,
Nata letargjike,
Si zë me vibrim,
Tingull i një pike…
Një pike me lot,
Kaba violine,
Rrugët zbrazur—plot,
Gjethet: heshtje stine…