Roshi Ajdini

Tre “muskëtjerët” e vegjël të pluralizmit!
Rënia e sistemit totalitar, hapi hapësira të reja për të gjithë shqiptarët.
Fakti që sistemi monist zgjati goxha, ndaj dhe shkërmoqja, për një periudhë të shkurtër, shumë syresh i gjeti të papërgatitur.
Një pjesë u larguan jashtë vendit, një pjesë iu bashkua partive politike, që po krijoheshin, të tjerë filluan biznesin.
Përpara Shqiptarëve, nga mungesa totale e lirisë, u kishte ardhur tek dera liria e pakufishme.
Ata ishin tre, tre persona që iu bashkuan partisë së parë opozitare.
Të tre ishin të flaktë dhe shumë radikalë.
Nuk toleronin tu shaje liderin, të flaktë për të sharë gjithçka që kishte të bënte me të shkuarën.
Në rreshtat e parë me flamuj dhe pankarta në duar në të gjitha mitingjet.
Nuk vonoi dhe partia e tyre erdhi në pushtet.
Të tre morën detyra drejtuese, detyra të rëndësishme pasi edhe kontributin e kishin të madh.
Ata nuk njiheshin fillimisht, por kishin të përbashkëtat e tyre që ngjanin si dy pika uji.
Të tre mbanin kostum firmato, me kollare vetëm ngjyrë blu, të tre ecnin vetëm me makina Benz Mercedes, të tre pinin vetëm uiski blu, të tre për shkak të postit zunë dashnore, të tre për shkak të pozitës dhe favoreve të postit i mbanin dashnoret me lekë.
Gjatë kësaj periudhe filloi të lulëzojë biznesi i bingove dhe kazinove.
E si mund të mungonin këta të tre në sallat e lojrave të fatit. Fati u kishte mundësuar që të kishin para pa hesap.
Për lekë firmosnin pa u menduar dy herë, ishte koha kur shteti ishte i brishtë dhe korrupsioni ishte kthyer në modë.
Kush bënte lekë ishte i zoti dhe ishte me kohën.
Të tre u gjëndën një ditë rastësisht në një kazino, të cilën kishin nisur ta frekuentonin rregullisht.
U miqësuan shpejt pasi i bashkonin bindjet, i bashkonte mirëqënia, i bashkonin veset, i bashkonin qejfet.
Filluan të dilnin bashkë, frekuentonin hotelet dhe restorantet më të mira të kohës.
Gjithçka u ecte për bukuri, asgjë nuk u mungonte, as leku, as qejfi, as privilegjet.
Linin shuma të mëdha në kazino por nuk e ndjenin aq shumë për aq kohë sa kishin përfitime nga posti.
Vjen një moment dhe partia e tyre bie nga pushteti, dhe rrjedhimisht dhe ata ikën nga posti.
Ranë nga fiku, u ikën privilegjet por nuk u ikën veset, nuk thonë kot që vesi del me shpirtin.
Ishin mësuar që të kishin standart të lartë jetese, makina, dashnore, por më shumë shpenzime kishin me lekët që linin në bixhoz, ndaj pak nga pak po fillonte lëkundja financiare.
Rikthimi në pozitat e mëparshme po vononin pasi partia e tyre po dergjej në opozitë, gjë që po i demoralizonte dhe rrënonte pak nga pak.
Ah vesi i bixhozit, ves, që ka marrë më qafë mbretër e shumë të pasur, burra me mustaqe e pa mustaqe, burra me sedër e burra me namuz, e jo më tre katundarë, që u lëshuan si të babëzitur në të mirat e sistemit demokratik.
Dhe vjen një ditë që lekët mbarojnë, në fillim të tre, sikur ta kishin bërë me fjalë shitën benzat, mbas benzave filluan dhe kërkonin lekë borxh, kryesisht tek ata që u kishin bërë ndonjë nder.
Edhe ata ngecën, pasi po u dilte boja, pasi nuk po u kthenin lekët atyre që jua merrnin.
Situatë e rëndë për te tre, nga vesi nuk hiqnin dot dorë, lekë su jepte kush më, dashnoret i braktisën.
Njerit nga të tre si për fat i erdhi burgu në ndihmë pasi nuk po i ndaheshin borxhlinjtë, që i vinin çdo natë tek shtëpia.
E futën në burg pasi nuk kishte lënë pronë pa tjetërsuar dhe pa vjedhur, në pozitën që kishte pasur.
Për ca kohë ra në qetësi pasi në burg nuk do e bezdiste kush.
Tjetri nga treshja, kur ezauroi çdo variant mbijetese, ia mbajti për në fshatin nga kishte origjinën.Thonë që ka vënë një kope me dhi dhe ca lopë, ka hequr telefonin dhe fcb, duke shijuar qetësinë e fshatit.
Ndërsa i treti nga grupi i “muskëtjerëve” lëvizë vetëm natën, larg syrit të borxhlinjve dhe syrit të njerëzve.
Ata ishin tre, tre djemë fshati, tre djemë, që kur ranë në qytet dhe me pozita të forta drejtuese u hapën si vaji në lakër.
Kështu përfundojnë të gjithë ata që kur janë pushtet i japin më shumë rëndësi të ndënjurave dhe veseve.