Nikollë Loka

Në mes të gjarpërinjëve
Kemi luajtur ndër ferra,
mbi bar,
mblidhnim luleshqerra
dhe shtarë,
nuk e kujtoj sa jemi vrarë,
dhe gjak kemi derdhur,
por prap jemi mbledhur,
si herën e parë.
Kemi luajtur mbi gurë,
duke u sjellë rreth e rrotull,
në sytë e gjarpërinjëve kureshtarë,
mbi gurë e kemi mbështetur kokën,
dhe sy ndër sy me gjarpërinj jemi parë.
Kemi qenë në paqe me veten,
kur shtriheshim mbi bar,
në sytë e gjarpërinjëve kemi fjetur,
jemi zgjuar dalë e ngadalë.
Zbathur kemi vrapuar,
në mes gjarpërinjëve të egër,
rastësisht nuk i kemi shkelur,
as ata nuk na kanë ngarë.
Në botën kokë poshtë
Në botën kokë poshtë
mos u ngjit mbi mal,
mos zbrit në një luginë,
dhimbjen njerëzore
mos e fal,
as dobësinë!
Mos qaj,
mos qesh
e mos ëndrro,
urtësinë lëre të flejë!
Kokën mos e zgjat
që të shikosh
çfarë s’të pëlqen!
Bëhu shkëmb
që s’dhemb,
një zemër guri,
dhe Zotit lutju
pa iu ul në gjunjë!
Pa u kthyer bota drejt,
mos dil në rrugë me pluhur,
se të këqijat varg
vijnë e të rrëmbejnë…
Mos truj!
Ia lshon zanin gurit e drunit,
malit që mbushet me frymë,
prej gëzimit,
prej dhimbjes,
prej zgjimit,
e rritet nga nji grimë.
Mos truj,
kur vjen amshimi
e bashkohen tokë e qiell,
lumenj të kaltër
derdhen nga perëndimi,
atje ku të zbulohet çdo dëshirë.
Prite zjarmin të mbytet në ujë,
e detin të vishet në flakē,
mos shuj,
gjithë ditën dhe natën e gjatë!
Shuhen hallet e dertet,
në thellësinë e heshtjes që flet.
Mos shuj,
megjithëse nuk asht kohë për poetët.
Mos truj!