Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
Udhëtim në bukuritë e Dëshnicës-Ali Jaupi

Udhëtim në bukuritë e Dëshnicës-Ali Jaupi

NJË “SHETITJE” NË DËSHNICË

( poemë)

Gëzim VODA

(Ndjesi personale në vargje

për çdo fshat të krahinës



S’është shetitje duke shkuar,

Nga një fshat në fshatin tjetër.

Është një ndjesi me të shkruar,

Për të qënë, thjesht në letër.
E mira ashtu do ishte:
-Të “shkoje” fshat e më fshat.
Mbase ashtu do bitiste,
Një njohje dhe më e saktë.


Por dhe Dritëroi i ynë,
Për Devollë, ç’la me të shkruar.
S’ia përtoi që atë punë,
Ta përmbushte në Tiranë.


Nëse thuhet e vërteta,
Ajo që është e provuar.
Nuk është domosdo prezenca,
Për ta bërë më të besuar.


Kësisoj, “shetitja” ime,
Krahinës t’i vij “vërdallë”
Mbase lë shteg për “thërrime”
Gjithësesi, jo për “të qarë”.
* * *
Po e nis nga Katundishta,
Që është në ballë të krahinës,
Tok edhe me gjashtë fshatra,
Shtrihet rrëzë Trebeshinës


Ka patur burra kuvendi,
Pak të “sertë”, e qëndrestarë,
Burra që u ndriste vendi,
“Haeshin” me qehallarë.


“Halë” në sy qenë për bejlerët,
Sundimtarët e krahinës:
-“O respekt për ne të tjerët,
O s’do gjeni vrimë të mizës…”.


“Buzëplasur” për ta ishte,
Hasan Merkuri me shokë.
S’qenë burra prej kollofishte,
Të hanin në “çanak” tok.


Si anjë fshat nga krahina,
Katër zonja, kryetare.
Alma, Anila, Elida,
Dhe Yllkën, në krye Shoqate.


Fshat që ruan krenarinë,
Bëjnë beli që janë “rrëzak”.
Të qënit ndën Trebeshinë,
I ka bërë, hazërxhevap.


Podgorani, fare pranë,
E ka qartas domethënien.
Si mera e pati male.
Atje kish stanet e dhënve.


Në pllajë të malit, i “ngjitur”
Fshat i madh si Katundishta.
Ka pas njerëz me llaf të shqitur,
Kuvendarë, e jo “rrapishta”.


Kush njohu Qerim Ahmetin,
Por edhe Tasim Isanë.
Qenë burra që “hidhje detin”,
Ishin nur për Podgoranë.


Qe dhe Hysniu prej Manushve
Dhe Daut Muçua, djalë.
I pari, Komandant Lufte.
I dyti, dëshmor në Spanjë.


Për Duro Kopan, s’flas shumë,
Se e njihte mbarë krahina.
Dhe kur lart shkoi në detyrë,
S’hoqi dorë nga modestia.


Çorrogunji, fshati im,
Në Rrëzë, i treti në radhë.
Gjendet më në lartësi,
Shquan për blegtorë e stanarë.


Aty më herët lind dielli,
Ashtu siç dhe perëndon.
Njerëz, që s’u mbetet qejfi,
Dhe që tjetrin e durojnë.


Ndër burrat që unë kam njohur,
Shquaj Cenon, Seferë dhe Rizanë.
Kur në muhabet janë ndodhur,
Dinin për fund e për anë.


Ngjitur me të fshati Ball,
Nga më të vegjlit në Rrëzë.
Muratorë që hidhnin hall,
Por dhe atdhetarë të tërë.


Shkuan në Luftën e Vlorës,
Tetë u shpallën “Patriot”.
Mbi njëzet vanë partizanë,
Pesë dëshmorë, nderohen sot.


Kanë patur Belul Arapin,
I thoshin, “Belul me çika”.
Nuk qe veç njeri xhevapi,
Por dhe punëbërës me “xixa”.


Ca më tej, është fshati Psarr,
Me Saliajt, Derë e Parë.
Në Dëshnicë, i vetmi fshat,
Që ka nxjerë një gjeneral.


Të urtin, Aliko Laze,
Modelin si ushtarak.
Korrekt e njeri pa llafe,
Ke nder ta kesh në buxhak.


Fshati Mazhan vjen në radhë,
I shtrirë gjer tek Qaf’ e Belshit.
Ka nxjerë një penëshkrues të shquar,
Është emri, Kujtim Matelit.


Sigurisht, është fshat me vlerë,
Kanë nxjerë edhe luftëtarë.
Më i shquari ndër të tjerë,
Hetemi në Xhanollarë.


Më i fundmi, i asaj rrëze,
Për Kondasin bëhet fjalë.
Kanë mbas malit, Arrzën fqinje,
Kiçokun e kanë në anë.


Disa djem të Canollarve,
Kanë bërë hair në Tiranë.
Njihen në disa biznese,
Arbeni, shquan ndër të parë.


Pastaj vinë dy fshatrart Bubës,
T’u gjesh fundin, do tre orë.
Nga Kiçoku e nis rrugën,
Gjersa mbrin në Vokopolë.


Ndër burrat e asaj ane,
Do thënë për Qamil Mollanë.
Dera e tij për bukdhënie,
Qe për fshat e udhëtarë.


Me fshatin Beqaraj, pranë,
I gjendur pak përtej lumi.
Dikur qenë si “një mëhallë”,
Dhe “i pafund” dukej Bubësi.


Ndër të shquarë të këtij fshati,
Janë Fetiu dhe Fariu.
Të dy komandantë i pati,
Lufta dhe paqia u priu.


Komarakun, “komshi” kanë,
Në majë të një kodre “ngulur”.
Si “ballkon” për Ballabanë,
Kanë nxjerërë këngëtarë të dukur.


Ballabani, qëndër zone,
Dhe me fushat për zili.
Xhungët, prinin në zakone,
Por edhe në pasuri.


Ka nxjerë edhe luftëtarë,
Riza Xhungën, djalë e nip.
Në luftë ishin ndër të pare,
Luftuan me çdo armik.


Nxori edhe Zyrihanën,
Dëshmoren e asaj zone.
Kërkush nuk ia ndali armën,
Kur luftonte në llogore.


Shkrirë kufijt me Ballabanin,
Fshati Pavar, është ai.
Mehmetin pat’ më të shquarin,
Patriot në hershmëri.


Është dhe Lumo Komisari,
Dëshmori antifashist.
Por dhe Kryeoeshkop Johani,
I fronësuar këtë vit.


Pak anash, dy Vinokashët,
Një në “fushë”, tjetri ka “malin”.
Kanë bërë “pre” Harkëllarët,
Me këngë e valle, s’të falin…


Anxhakët, Vilët, Bramatët,
Memishajt edhe të tjërë.
Fise nga më të dëgjuarët,
Kasëmin, shkrimtar të ndjerë.


Toshkësi, tej Vinokashit,
Më malori në Dëshnicë.
Është nga më të dalluarit,
Për qëndresë e sakrificë.


Lufta e Tëndës së Qypit,
Në Toshkës e ka “vatanë”.
Ndaj s’i ka shpëtuar “dufit”,
Ndëshkuar nga hitlerianë.


Nuk ka nxjerë veç luftëtarë,
Por dhe profesorë të zotë.
Dy të tillë, nga Mukët janë,
Aliu me Petritin tok.


Ka nxjerë dhe katër sportistë,
Në Përmet kanë lënë emër.
Et’hemin, kryespecialist,
Por dhe Qypët, tre vëllezër.


Përbri është Kajca me fame,
Pati burra në çdo kohë.
Patriotë për Vatanë,
Komandantë, jo dosido.


Më të hershmit Ahmet Kajca,
Tok edhe me Abaz Xhanë.
Më pas qe Komandant Xhakua,
Mehmeti me Hajrullanë.


Aty ka “rrënjë” Batalioni”,
Mbushur partizanë plot.
Ndërkohë duhet ta mësoni,
Kanë nxjerë edhe tre pilotë.


Islami, në Rusi mbeti,
Dëshmor, kur i erdhi vakti.
Ndërsa Isai dhe Et’hemi,
U bënë Komandantë reparti.


Në krah, Shelq edhe Zhepovë,
Dy fshatra, thuajse në një.
Prodhimtarë në rrush e mollë
Dhe për studiuesit me zë.


Sejdon, Xhaferë e Nurinë,
Penëpalodhur në Dëshnicë.
Që shkruajtën bukur e mire,
I kanë dhënë krahinës dritë.


Patën një rini të zjarrtë,
Qe si “opozitë” për kohën.
Por dhe burra hokatarë,
Ndër ta, Harunin që njohëm.


Nxori dhe vajzën e zgjuar,
Që drejtoi Rininë e Botës.
Ediolën ndër Pashollarë,
Krenari i dha Zhepovës.


Posht Shelqit, ndodhet Rodenji,
Si “Ballkon” i rri krahinës.
Mbajtur “me hatër” nga dielli,
Ku piqet rrushi debinës.


Është ndër fshatrat e dëgjuar,
Me ustallarë për rakinë.
Kush për mik atje ka shkuar,
Është magjepsur me dollinë.


Dy “Heroj Pune” i pati,
Estrefin edhe Hysenë.
Puntorë që s’u vjen më vakti,
Në memorje ata mbenë.


Topojani, pak matanë,
Me pemtoret, si bregdeti.
Rrënjë e shkencëtarit me famë,
Profesor, Mentor Përmeti.


Dhe dy patriotë të shquar,
Mete e Lutfi Topojani.
Më pas mbet’ i paharruar,
I urti, Kryetar Burhani.


Pak më poshtë është fshati Luarë,
I vogël, veç me dy fise.
Zeqiraj dhe Pashollarë,
I shtojnë nur asaj Dëshnice.


Me diellin nuk kanë të ngopur,
Ndaj dhe rrushi është me vlerë.
Prej rakisë, vjen mëndja rrotull,
E përzgjedhur për bejlerë.


Leskoveci, shtrirë në brinjë,
Fqinjë me Topojan e Luarë.
Ndër ata burrat e mirë,
Kish Çobanin e Fetanë.


Kurbetllij ishin ndër vite,
Në Amerikë dhe Europë.
Për ta Leskoveci ishte,
Më i dashuri në Botë.


Dy vëllëzër qenë ata,
Rakipi edhe Kadriu.
I pari dje dëshmor ra,
I dyti, në Minierë ndriu.


Tolari pagëz ndën vete,
Si “vëlla” me Leskovecin.
Gjendur për mirë e sebepe,
Dhe shkuarje me njëri-tjetrin.


Kam njohur ca burra vendi,
Isanë, Shefitin, Zihninë.
Dinin mirë ç’qe kuvendi.
Mbanin drejt dhe terezinë.


Fshati Xhanaj, lart në pllajë,
I vogël, me vlerë “floriri”.
Ka nxjerë studiues, shkencëtarë,
Muçin, Yllin dhe Fatmiri.


Është dhe Flamur Dalipi,
Poet-atdhetar, i “dufit…”.
Në mal tek një shkëmb kur mbriti,
Shkroi: “Ky shkëmb është i Flamurit”.


Mërtnji, fshati me shkollë,
Qysh më nëntqind e njëzetën.
Njoh ca njerëz mëndjehollë,
Nga Bezatët dhe Kolleshët.


Ndër ta Et’hemi dhe Lumua,
Njëri mjek, tjetri poet.
Për nga sjellja edhe puna,
I respekton një Përmet.


Nga Bezatët arsimdashës,
Shquan Limja dhe Astriti.
Por edhe një atdhedashës,
Kastrioti, që e njihni.


Ishte dhe Baba Hilmiu,
Që drejtoi gjer Kryegjyshatën.
Por fare pak vite priu,
Ndrroi jetë më dyzteshtatën.


Prej Bënjës tonë, emërmirë,
Dolën emra të nderuar.
Kamberin tok me Nexhipnë,
Dhe Meten në Fekollarë.


Në krahinë dëshmori pare,
Qe Syrjai, në Sakollarë.
Më pas në luftë u flijuan,
Vëllezrit në Bundollarë.


Fshat që ka shfaqur kulturë,
Kur dasma e gosti kishin.
Dollisë sonë, tash iu dha udhë,
Nga bënjlliu, Profesor Sherifi.


Fratari, fshati me sqimë,
Ka një histori, që flet.
I shquar për fisnikerinë,
Por dhe për llaf e dyfek.


Në folsha për Kamellarë,
Nuk besoj se po mbaj anë.
Derë që brujti atdhetarë,
Alinë, Fadilë e Musanë.


Nga kjo derë, dhe njerëz të artit,
Gëzim Kamia, me të birë.
I kanë dhënë shkëlqim teatrit,
Çmohen në gjithë Shqipërinë.


Të tillë kish dhe ndër Xhangollë,
Prinë në luftë dhe për dije.
Ka nxjerë Profesorë Agronë,
Dhe të tjerë, që s’rrinë në hije.


Kanë qënë edhe Çaushët,
Nuk bjenë më poshtë se të tjerë.
Kudreti ishte i pushkës,
Tomori, u shqua me penë.


Seniçan, në sërë i fundit,
Kufi, Cerjen dhe Skraparë.
Teqes së Alipostivanit,
I dha Baba Hekuranë.


Ka nxjerë edhe atdhetarë,
Ushtarakë, mjek e pilot.
Mes tyre dhe arsimtarë,
Që respekt kanë edhe sot.


Më poshtë Kuqar e Velçishti,
Është vështirë për t’i ndarë.
Në Velçisht Rizai lindi,
Patrioti më i parë.


Shok më Bajojn dhe Mihalin,
Qysh herët në Manastir.
Kish në deje idealin:
“Për një Shqipëri të lirë”!


Në Kuqar është Kalaja,
E hershme sa s’mbahet mënd.
Por, nga që “mungon” paraja…!
S’gërmon kush në atë vend.


Tek ky fshat, më trembëdhjetën,
Grekrit bënë kasapanë.
Vranë e therën aq sa deshën,
Thjesht pse ishin bektashianë.


Aty fillon “Myzeqeja”,
E Dëshnicës si Krahinë.
Toka -fusha, të shkëlqyera,
Pjellore për bujqësinë.


Aty zë fill ultësira,
Gjer tutje në Ballaban.
Që aty merr udhë lugina,
Si prodhimtare me famë.


Në vazhdim është Varibopi,
Ribani dhe Panariti.
Bujqër të bërë nga Zoti,
Ndaj e mira tek ta ngjiti.


Et’hem Selfon, do veçoja,
Në Riban e kish vatanë.
Ishte orator nga goja,
Dhe në punë, ta hidhte hallë.


Shtika, si lagje Këlcyrës,
S’ke ç’i thuaj për zanatçinjë.
Të prirur dhe pas kulturës,
Mburren me Ethem Qerimnë.


Bedyqasi është më tutje,
Këlcyra, qëndron në mes.
Punëtorë, pa u bërë lutje,
Beut i rrinin serbes.


I miri, Sadik Bakushi,
Rrënjët i kish që aty.
I ëmbël siç piqet rrushi,
Fjalën nuk e bënte dy.


Gorica, paksa në brinjë,
Zoti, me dorë e ka bërë.
Nuk mjafton për bukurinë,
Por dhe ca burra të qënë.


Do të mjaftonte, Et’hemi.
Një jetë me sportin është marrë.
Për mjeshtër, s’kemi ç’ti themi,
Është simbol ndër përmetarë.


Më pas vjen dhe Nuredini,
Ndër mjeshtrat e pylltarisë.
U plak dhe s’u nda nga shkrimi,
Si një vlerë e shoqërisë.


Pati Shyqyri Selimin,
Më të shquarin në muzikë.
Për Dëshnicë, e “poqi” shpirtin,
Nuk u kursye asnjëçikë.


Është dhe “i vogli” Tare,
Farmacisti më i pare.
Për miq e shokë, “e djeg” fare,
Urtësinë e ka të rrallë.


Më tutje është fshati Sukë,
Vendosur në palcë vendi.
Me fushat që bënin bukë,
Dhe s’pushonte kollaj lëmi.


Ndër të shquarit e atij fshati,
Piloti Kujtim Osmani.
Ku nuk “brodhi” ku nuk vajti,
Dyzetedy vjet tek ajri.


I fundit është Fshati i Ri,
Dervishas, quhej dikur.
Lugina e ka “stoli”,
I jep lezet edhe nur..


Abazi, prej aty ishte,
Kryetari legjendar.
Fjalën si burrat e kishte,
Punoi e s’bëri zarar.


Tashmë, veç Këlcyra mbetet,
Kryeqëndra, e krahinës sonë.
Historinë e ka me vete,
Mbart dhe të lashtën Dodonë.


Me Grykën aq përrallore,
Sarajet dhe Kalanë tok.
S’duhen lënë kurrë pas dore,
Janë vlera dhe si komb.


Për Ramon kisha dy fjalë:
Flas për Ramo Ismailë.
Mbeti ndër burrat e rrallë,
Për punën dhe ndershmërinë.
* * *
Kjo ishte “shëtitja” ime,
Në zonën e rrallë Dëshnicë.
Dhe në lënça ca “thërrime”,
Lus mos t’mi marrin për ligsht.


Shkruajta sipas mides sime,
Ashtu siç kam njohjen unë.
Askush nuk ka detyrime,
T’më lëvdojë për këtë punë.
Cilitdo, që i shkruan lapsi
Është i lirë të bëjë të vetën
Dhe në thëntë që “janë sëprapi”
U them: shkruani ju një tjetër.
Gëzim Voda,Tiranë, 05 janar 2026

UDHËTIM NË BUKURITË E DËSHNICËS

Zgjodha Lulishten Poetike të Gëzim VODËS

….A Jaupi, shkruar nga mërgimi i largët.

“Kujtesa nuk ecën me këmbë, por me vargje….kështu Gëzim Voda na fton në ‘Një shëtitje në Dëshnicë’, ku çdo fshat bëhet një stacion shpirtëror i shqiptarizmit.”

Në këtë poemë të datëlindur më 5 janar 2026, poeti nuk përshkruan thjesht një krahinë, por ringjall një trashëgimi që lufton harresën. Kjo ese argumenton se ‘Shëtitja’ e Vodës shërben si mision poetik kujtese, ku struktura episodike, portretet heroike dhe metafora e udhëtimit krijojnë një urë mes së kaluarës dhe identitetit.

Poema “Një shëtitje në Dëshnicë” e poetit Gëzim Voda është një sagë e rrallë poetike, një udhëtim që tejkalon kufijtë e vendit për të hyrë në thellësinë e kujtesës.

Nuk është thjesht një shetitje e zakonshme nga një fshat në tjetrin, por një kalim i butë e i ndritur përmes rrugëve të shpirtit, aty ku kujtimet, njerëzit dhe dhimbjet e heshtura bëhen varg, e vargu bëhet atdhe.

Në këtë krijim, Voda ngre para nesh një mozaik poetik ku çdo fshat i Dëshnicës shndërrohet në një stacion ndjenje, në një dëshmi të karakterit, krenarisë dhe rrënjës që nuk shuhet.

Përmes vargjeve të tij gdhendet një njerëzore fisnike,burra të urtë, gra të mençura, djem luftëtarë e bij të kulturës …të gjithë pjesë e një trashëgimie që poeti e përmbledh me dashuri dhe respekt të thellë.

Ndërsa e lexon këtë poemë, ndien se fjalët nuk qëndrojnë në letër; ato marrin frymë, ecin, përshkojnë shpatet e Trebeshinës dhe fushat e luginës, derisa të çojnë tek rrënjët e shpirtit shqiptar. Në çdo varg, unë vetë ndjeva mallin si një rrymë të ngrohtë që të kujton shtëpinë, të bën të kthehesh me mendje te tokat, te njerëzit dhe te koha ku fjalët kishin peshë dashurie e besimi.

“Një shëtitje në Dëshnicë” është dëshmi se poezia mund të jetë mision kujtese. Ajo ngjitet nga përkushtimi personal drejt një dimensioni të përbashkët kombëtar, duke u bërë një këngë për dashurinë ndaj vendlindjes dhe një falënderim për të gjithë ata që i dhanë dritë asaj toke.

Në vargjet e Vodës, dëgjon jehonën e brezave, ndien aromën e tokës dhe ke ndjesinë e përjetimit si të ishte vetë shpirt i Dëshnicës që flet.

Për mua si lexues, kjo sagë është një thirrje e brendshme për t’u ndalur e për t’u përkulur para atdheut të origjinës, para njerëzve të thjeshtë që janë, në të vërtetë, themeli i çdo madhështie. Gëzim Voda ka krijuar një “shëtitje” që nuk mbaron në vargje — ajo vazhdon në ne, në mallin, në frymëzimin dhe në ndjenjën që na zgjon për të dashur e për të kujtuar më thellë.

Një shëtitje në Dëshnicë” është një shembull i rrallë i asaj se si poezia mund të bëhet atdhe. Në këtë vepër, Gëzim Voda nuk udhëton me hapët e trupit, por me frymën e kujtesës dhe në çdo stacion ku ndalet ai, bëhet tempull i dashurisë për vendlindjen. Ai nuk shkruan për t’u lavdëruar, por për të ndriçuar; nuk flet për të rrëfyer, por për të ringjallur.

Në këtë sagë poetike, tokat, fshatrat, njerëzit dhe kujtimet kthehen në piketa të shpirtit kombëtar, duke dëshmuar se njeriu nuk është aq sa jeton, por aq sa kujton.

Voda rikthen në vëmendje të përjetshmen e thjeshtë,guximin, dashurinë, punën dhe përkorjen ….dhe na kujton se për të ndërtuar të ardhmen duhet të ecësh sërish mbi gjurmët e së shkuarës.

Kjo “shetitje” nuk është vetëm përshkrim i vendit, por shfaqje e qenies. Aty ku poeti ndalet për të përmendur një emër, për ne ndalet koha; dhe aty ku ai përkul vargun para kujtesës, ne përkulemi para bukurisë së përjetshme të rrënjëve tona. Sepse në fund, Dëshnica e Vodës nuk është një krahinë e Shqipërisë — është vetë metafora e vendlindjes që secili mban në zemër, atje ku fjala bëhet dritë dhe kujtesa bëhet atdhe.

……

NJË SHËTITJE….

S’MBARON

KURRË

( bisedë në odën e miqve

Ali Jaupi & Gëzim Voda)

Ali Jaupi:

I dashur Gëzim, e lexova “Një shëtitje në Dëshnicë” jo si një poemë, por si një udhëtim shpirtëror. Ndjeva se nuk ishte thjesht fjalë, por frymë që rrjedh nëpër shpatet e Trebeshinës. A ishte kjo ndjesi e kujtesës që të shtyu ta shkruaje këtë poemë?

Gëzim Voda:

Po, Ali. Shumëkush mund të mendojë se “shëtitja” është një lëvizje në hapësirë, por për mua ishte lëvizje në kohë. Doja të prek me fjalë atë që ndoshta më këmbë s’e arrin dot – kujtimin, përvujtërinë, nderin e njeriut të thjeshtë. Çdo fshat është si një qelizë e shpirtit tim, një pikë drite në hartën e kujtesës.

Ali Jaupi:

Në çdo varg, unë pashë fytyrat e njerëzve që kanë jetuar me dinjitet, që kanë luftuar, kënduar, punuar… A synoje të krijoje një “epope” të vlerave të Dëshnicës?

Gëzim Voda:

Le ta themi kështu: s’doja të shkruaja një listë historish, por të ngulisja në zemër të lexuesit idenë se bukuria e vendlindjes nuk matet me madhështi, por me shpirt. Dëshnica ka qenë gjithnjë një djep shpirtrash të pastër, dhe unë doja t’i thosha brezave: “Ja, prej nga vini. Mos harroni.”

Ali Jaupi:

Në analizën time e quajta poemën tënde “mision kujtese” – sepse si lexues ndjeva që vargjet të ndalin, të kthejnë pas, të përkulesh me mirënjohje. A është kujtesa për ty rruga më e sigurt drejt së ardhmes?

Gëzim Voda:

Pa dyshim. Një popull që harron, humbet busullën e vet. Kujtesa nuk është nostalgji; është rrënjë që mban pemën gjallë. Nëse nuk shkruajmë, erërat e kohës do të na shkundin nga vetvetja. Prandaj “shëtitja” është një thirrje për t’u kthyer te burimi — jo për të mbetur, por për të ecur më mirë përpara.

Ali Jaupi:

Këtë e ndjeva thellë. Edhe unë, që vij nga mërgimi, gjeta në poezinë tënde një vend ku mund të prehem. Dëshnica jote u bë Dëshnica ime, dhe ndoshta e çdo shqiptari që lexon. Si e sheh ti këtë udhëtim poetik – a është edhe një mënyrë për të lidhur mërgimtarin me rrënjën?

Gëzim Voda:

Saktësisht. Poezia është ura më e gjatë që njeriu mund të ndërtojë mes dy brigjeve të jetës — atij të kujtimit dhe atij të mallit. Kur e lexon dikush si ti, nga larg, unë ndiej se fjala ime e ka kryer misionin. Se shpirti i Dëshnicës nuk vdes, për sa kohë dikush e përmend me dashuri.

Ali Jaupi:

Atëherë, Gëzim, le ta mbyllim bisedën siç e niste shëtitja jote: jo me një përfundim, por me një vazhdim. Sepse “shëtitja” jote, në fakt, s’mbaron — ajo ecën në kujtesën tonë.

Gëzim Voda (duke buzëqeshur):

Ashtu është, Ali. Poeti s’mund të ecë vetëm. Ai bën rrugë veç kur të tjerët ndjekin hapat e fjalës. Dhe ti, me fjalët e tua, e bëre “shëtitjen” të ndriçojë edhe më shumë.

….. nga kjo bisedë me G Vodën u ndava me mendimin:

“Kur poeti dhe lexuesi takohen në kujtesë, fjala nuk mbetet më varg ,ajo bëhet urë që lidh mërgimin tim me rrënjën, kohën me përjetësinë, udhëtova kështu në atë rrugë të bukurive të Dëshnicës,vëndlindjen e G Vodës në të cilën kam shëtitur edhe unë frashërlliu në kohën e shkollimit tim në Këlcyrë.

Në këtë “shëtitje” të mendimit tim, në çdo fshat që bekon G Voda në mendimin poetik, unë përshëndes gjithë shoqet dhe shokët e mij të shkollës, mësonjësit e mrekullueshëm që na edukuan dijen dhe mirësinë.

…..Ali Jaupi, shkruar nga mërgimi i largët në 10.01.2026 Normandi.