
POEZI NGA HIQMET MEÇAJ
VAPORI I MBYTUR
Mes valëve, në gji të detit, thellë,
qëndron aty, i lodhur tmerrësisht,
me dy direkët ngritur përmbi shtjellë,
i thotë botës sa i madh që ish.
Me detin ç’kuvendon kur hidhet vala,
ç’dëshirë mban të kyçur në thellësi,
a mos kërkon të çajë prap përpara,
ta rrokë detin prap me gjoks të tij?
Kur vijnë varkat, vallë ç’thotë direku,
përse rënkon atëherë i kaltri det,
a mos kërkon të shkojë prap te bregu,
një dashuri të humbur mos thërret?
Në hidhet vala kur direkun çik,
zjen malli i tij (ah mall për pak lundrim),
mes myshkut mbledhur, tretur ai rri,
rënkon ndën tonelata dëshpërim.
Nuk do më shumë, veç pak erë, fllad,
ca yje, pakëz hënë, horizont,
një zë njeriu, gas të jetë a vaj,
rënkim a dashuri, gjë tjetër s’do.
Ndaj më nuk fle, më gjumi nuk e nget,
se peshë e varrit e rëndon atë...
...dhe në u lind të shkasë përmbi det,
u desh të shkasë deti përmbi të.
1965