112 Vjet nga qëndresa heroike e popullit të Kallaratit ndaj andartëve grekë-Besnik Gjonbrataj

14 KORRIK 1914 – 14 KORRIK 2026

foto viti 1917

112 VJET NGA QËNDRESA HEROIKE E POPULLIT TË KALLARATIT NDAJ ANDARTËVE GREKË

Historia e Kallaratit është shkruar me mund, sakrifica, gjak dhe heroizëm. Ajo është pjesë e pandarë e historisë së lavdishme të Labërisë dhe të mbarë Shqipërisë.

“Kallarati, fshat i paktë,

trima burrat, trime gratë”,

thotë poeti, duke përmbledhur në pak fjalë shpirtin e pathyeshëm të këtij fshati.

Kallaratasit nuk e kanë ulur kurrë kokën përpara pushtuesit. Ata nuk e kanë pranuar robërinë dhe as cenimin e trojeve, shtëpive e dinjitetit të tyre. Në korrikun e vitit 1914, kur andartët grekë u sulën për të pushtuar, djegur dhe shkatërruar Kallaratin, burrat e fshatit u ngritën në mbrojtje të vendlindjes, të familjeve dhe të tokës së të parëve.

Në atë qëndresë të lavdishme dhanë jetën:

🕯️ Hyso Balil Xhaferi

🕯️ Murat Avdul Demiri

🕯️ Çelo Maliq Boshi

🕯️ Dervish Sali Maçi

🕯️ Ramadan Hoxha

Ata ranë, por nuk u mposhtën. Gjaku i tyre u bë themel i lirisë, ndërsa emrat e tyre mbetën të gdhendur përjetësisht në kujtesën dhe krenarinë e çdo kallaratasi.

Kanë kaluar 112 vjet, por jehona e asaj qëndrese dëgjohet ende në malet, gurët dhe rrënojat e Fshatit të Djegur. Ajo na kujton se liria nuk është dhuratë, por amanet i shenjtë, i fituar me gjak dhe i mbrojtur me sakrifica.

Dëshmorët e vitit 1914 qëndrojnë denjësisht përkrah luftëtarëve të Luftës së Vlorës më 1920, dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe gjithë bijve të Kallaratit që dhanë jetën për atdheun. Me trimërinë dhe sakrificën e tyre, ata e renditën Kallaratin mes vatrave më të nderuara të lirisë në Vlorë, Labëri dhe në mbarë Shqipërinë.

Besojmë fort se nuk do të jetë e largët dita kur Fshati i Djegur, kjo tokë e shenjtë e historisë dhe e qëndresës, do të marrë statusin e merituar “Qendër Historike”.

🇦🇱 LAVDI DËSHMORËVE TË KALLARATIT TË VITIT 1914!

🇦🇱 NDERIM I PËRJETSHËM GJAKUT DHE SAKRIFICËS SË TYRE!

🇦🇱 KRENARI PËR KALLARATIN, LABËRINË DHE SHQIPËRINË!