Dinjitet vajzërie-Vullnet Mato

Vullnet Mato
 
Nëse do të kesh durim, të ruash ritmin e gjakftohtësisë,
kur smirëzinjtë të përgojojnë, me trillime imagjinare,
se në shoqëri me djem, ke ruajtur dinjitetin e ndershmërisë
dhe shpifësit, veç hamendësojnë për ty, pa fakte reale;
Nëse do të kesh durim, të jesh e gatshme kurdoherë,
t’u mbyllësh gojën, me drynin e vlerave të tua morale,
kur të kanë rrethuar, me përbuzje të hidhur vrer,
pa ua kthyer fyerjen, me fjalë sharjesh vulgare;…


Nëse do të kesh durim, të mos përdorësh hakmarrjen,
për balancimin e fyerjes, që të bëjnë poshtërsisht,
ta mbrosh dinjitetin tënd, me kryelartësi prej vajze,
duke ruajtur qetësinë, pa i ofenduar publikisht;…


Nëse do të kesh durim, rrahjet e zemrës t’i qetësosh,
t’i frenosh nervat stop edhe në çastin më kulmor,
kur të tallin, si të përdalë e qeshin me imagjinatën bosh,
se s’kanë asgjë të sigurt, përveç hamendësimit rrugor;…


Nëse do të kesh durim, t’i bësh të ulin kokën të penduar,
të kuptojnë, se janë maskarenj e llafazanë pa skrupull,
që figurën e një femre të re, njollosin pa u turpëruar,
pasi janë irrituar nga mospërfillja jote, si vajzë e bukur;…


Nëse do të kesh mësuar, si të duash seriozish një djalë,
mund të zgjedhësh, cilin të të dojë e bardha zemër,
se moralistët fanatikë, vet pa moral, quajnë të përdalë,
dashurinë e vërtetë, për të cilën është krijuar çdo femër.


Nëse do të kesh durim, të presësh fitoren përfundimtare,
derisa e vërteta, t’i detyrojë të të kërkojnë ndjesë,
por nuk mund të ulin hundën, të shprehen ashiqare,
se opinioni i shëndoshë, mund t’i quaj plehra për fshesë;…
Nese ke mundur këto qëndrime etike, t’i bësh mjete për fitore,
ke arritur të ndihesh mirë brenda vetes dhe ke fituar plotësisht,
të mposhtësh thashethemnajën e vuajtjes shpirtërore,
duke shfaqur para tyre, moj mbesë, dinjitetin e vajzërisë!...