
Albert Habazaj
Në Skelë përhumbur ecja, si i pa orientuar
Një zë më foli në emër, si kumbim Joni,
Ky zë në kujtesë me diell qe regjistruar,
Me diellin e 40 viteve që s’ishim parë më foli.
Sikur 40 ëngjëj m’u ulën mbi supet e rëna
Më falën hoje të ëmbla nga shpirti i pastër,
Nga gurrat e shpirtit buroi vargu dhe kënga
Peneli me motive i djalit të Bregut të kaltër.
Shpirti i dëlirë, i butë i idealistit
Që s’bëri grataçele, po ndezi llamba drite,
Për të tjerët pranoi e sfidoi fatin e Sizifit
Miliona mirësi mbolli për tanët, në qytetërimpritje…
Nuk është Prometeu ky që takova, jo,
Një djalë Himare është, që fjalën mjaltë e ka,
Në kafe u ulëm me adashin, të malluar domosdo
40 vjet pa takuar kujtesa na i dha në tabaka.
Sikur dhe zanat e malit tok me sirenat e detit
Të më vinin, s’ma jepnin dot gëzimin e atij çasti,
Lastar i qeshur dikur, Potam sinqeriteti
Sot tribunë humane, me fisnikëri të bukur, si i ati.
Vlorë, 22 Prill 2026