

(LAGUNËS SË KARAVASTASË)
…………………………………………………………………..
nga
JOSIF GJATA
……………………………..
Muaji prill. Ditë e bukur me diell e plotë freski.
Një ditë më parë, gjatë natës, kishte rënë shi.
Gjelbërimi i natyrës shkëlqente, lulet kundërmonin erë të këndshme.
Qielli në ngjyrë blu e disa re puplore të bardha shndrisnin nga rrezet e diellit mëngjesor.
Në rrugë lëviznin mjete e njerëz, shkonin në punë apo nxitonin për në pazarin e qytetit të Divjakës.
Me shokun e mikun tim të vjetër T. Sota, nisëm aventurën e radhës me biçikletë përreth Lagunës së Karavastasë.
Duke përshkuar fshatrat e transformuar nëpërmjet rrugës automobilistike, ndërtuar rreze kodrave përreth lagunës, marrim drejtimin për në Divjakë.
(Së shpejti pritet të përfundojë argjinatura mbrojtëse përreth lagunës së Karavastasë, e cila do të bëhet e kalueshme me biçikleta për admiruesit e natyrës dhe turistët e huaj.)
Pas kilometrash të tëra, kthyem e ndalëm për pak minuta në të majtë të rrugës, në Green Park, për të pirë nga një çaj të ngrohtë. Para disa vitesh, në ambientet e këtij lokali kam filmuar një dasmë. Natyrisht, shërbimi ishte i përkryer dhe dasma shkoi shkëlqyeshëm. Këtë herë shohim se ambientet dhe shërbimi janë edhe më të bukura e relaksuese. Pas disa ditësh këtu pritet të kalojmë një drekë me miq e shokë të rrallë nga rrethet e tjera të vendit.
Pas pirjes së çajit vazhdojmë udhëtimin për në qytetin e Divjakës. Bëjmë pak pazar dhe takohemi me miq e shokë.
Udhëtimin e vazhdojmë për në perëndim të Divjakës, duke biseduar me bashkëudhëtarin dhe duke filmuar pamjet tërheqëse.
Fshatrat që lamë pas përbënin një mozaik peizazhesh piktoreske; tashmë, teksa po i afrohemi pyllit, sikur po na tërheq në magjinë e tij.
Papritmas dikush na parakaloi me motor dhe ndaloi pak metra më përpara. Zbriti, hoqi syzet dhe u kthye drejt nesh, sikur të ishte një polic trafiku. U pushtuam nga një përqafim i fortë e shumë miqësor me të.
Ishte miku im i mrekullueshëm, guidë turistike e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Altin Hila. Një mik dhe një personalitet i rrallë jo vetëm për ne, por për të gjithë vizitorët e parkut, vendas dhe të huaj. Njohës i mrekullueshëm i florës dhe faunës së parkut tonë kombëtar, ai, me punën dhe përkushtimin e tij të palodhur, si në muze ashtu edhe në terren, mahnit me erudicionin e tij brilant çdo vizitor.
Ai është dhe mbetet miku më i dashur i vizitorëve vendas e të huaj.
Pas një bisede të këndshme dhe komplimenteve me njëri-tjetrin, ndahemi miqësisht me të për të vazhduar aventurën tonë.
Ndalemi në hyrje të pyllit, te stacioni i varkave, një pikë atraktive për soditësit e natyrës. Shijojmë pamjet dhe filmojmë disa prej tyre.
Te Qendra e Vizitorëve, te Kulla 360 gradë, ka një hapësirë të madhe e të bukur që pret dhe përcjell vizitorë të shumtë.
Këtu promovohet hapja e përvitshme e turizmit të zonës së Divjakës (ju vëmë në dijeni se këtë vit promovimi i turizmit bëhet më datën 15 maj), jepen koncerte, hapen panaire agro-ushqimore dhe promovohen gatimet tradicionale të restoranteve etj.
Këtu pamë vizitorë të huaj dhe vendas që soditnin, pushonin dhe vizitonin muzeun e qendrës së vizitorëve për t’u njohur me florën dhe faunën e zonës; luanin dhe argëtoheshin, veçanërisht nxënës të shkollave.
Pelikani, që priste e përcillte vizitorët, këtë herë nuk e ndeshëm për aq kohë sa qëndruam aty; ndoshta kishte shkuar për vizitë në habitatin e vet për t’u rikthyer sërish.
Udhëtimet me biçikletë përmes pyllit janë vërtet magjike, të shëndetshme dhe shumë mbresëlënëse. Ajri i pastër, flora dhe fauna e bukur të mbushin shpirtin, të shtojnë jetën, të rrisin energjinë.
Të jetosh me energjinë përrallore të kësaj perle natyrore si Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, i ke dhënë vetes shumë vite të shëndetshme.
E bukura dhe misteriozja bashkëjetojnë këtu dhe e mirëpresin njeriun natyrshëm për të shijuar natyrën.
Aty ka shumëllojshmëri bimësh e kafshësh, shpendësh e peshqish autoktonë.
Parku dikur shquhej për mbarështimin e fazanit për eksport; sot rrallë mund të ndeshësh ndonjë të egër.
Për vizitorët e shumtë ka menduar Divjaka Resort, që mbarështon në kafaze e hapësira të rrethuara fazanë, strucë dhe kaproj.
Në hapësirën e parkut ka pika shërbimi të ndryshme në shërbim të komunitetit dhe vizitorëve vendas e të huaj.
Në udhëtimin tonë, me magjinë e parkut, përjeton emocione që rrallë i ndesh në vende të tjera.
Ajri i pastër, aroma e pishave dhe drurëve të tjerë, e luleve shumëngjyrëshe, fluturat që shpesh na shoqëronin gjatë udhëtimit me biçikletë, këngët e cicërimat e zogjve, klithmat e rralla të kafshëve nga brendësia e pyllit, krijonin një muzikalitet argëtues, por edhe të çuditshëm për kalimtarët.
Më tej, në ligatinat ujore, na shoqëronin me shfaqjet befasuese shpendët e egër të llojeve të ndryshme, apo vallëzimet në qiell në formë rrethi të pelikanëve kaçurrelë, pulëbardhave etj.
E disata herë e udhëtimeve tona të këtyre viteve të fundit që përshkojmë (disa herë në vit) pyllin, një befasi e rrallë na ndodhi në mesditë. Në një kthesë, pak metra larg nesh, teksa pedalonim me shpejtësi mesatare, një ujk kishte dalë në rrugë. Të krijohej përshtypja sikur, paksa i përgjumur, kishte dalë për pak rreze dielli. Sa po afrohej, reagoi rrufeshëm dhe u fut në brendësi të pyllit.
Shoku im që vinte pas meje nuk e pa.
– E pe ujkun?
– Jo – m’u përgjigj, pa e ndalur pedalimin.
Qesha me vete, me shprehjen: “Mos ik vetëm se të ha ujku”. Vetëm nuk isha vërtet, po pse ujku iku nga frika se unë vetëm isha? As ujku nuk ma pa shokun, e as shoku nuk e pa ujkun.
“Ka dalë për ty ai” – më thumboi shoku.
Qesha me të madhe:
– Shumë herë dhe për disa vite vetëm kam kaluar dhe nuk më ka dalë përpara – i përgjigjem.
Dhe vazhduam udhëtimin, duke bërë shaka, drejt qendrave tona të banimit, të mbushur me mbresa nga ky udhëtim i bukur me biçikletë.