
Teuta Sadiku
Bëhesh poet në atë çast të vogël, pothuaj të padukshëm, kur nuk e mban dot më brenda atë që ndjen dhe e nxjerr në fjalë, edhe kur ajo fjalë është ende e papjekur, ende në kërkim, ende në udhë..
Nuk bëhesh poet ditën që boton një libër
As ditën që të lexojnë.
As ditën që të duartrokasin.
Ata nuk kanë libra, nuk kanë kritika, nuk kanë lexuar të shumtë.Por kanë diçka më të rëndësishme ,kanë ndjeshmërinë.
Dhe kjo ndjeshmëri shpesh vjen e papërpunuar, si një rrjedhë që ende nuk ka gjetur shtratin e vet.
Në vargjet e një zëri të ri si Juli Sono, kjo ndjeshmëri është e dukshme.
“Ç’furkë mi tjerr hallet e mia?
Asnjë fije s’del e drejtë,
nyje mbi nyje mi lidh kjo jetë
Është një përvojë e njohur, jeta si ngatërrim, si nyje që nuk zgjidhen lehtë. Dhe pastaj, një kthim instinktiv drejt burimit:
“Ah… veç furkë e nënës
s’njihte lodhje në tundjen e saj…”
Këtu poezia prek diçka të vërtetë.
Jo vetëm figurën e nënës, por një kujtesë kolektive traditën, punën, përkujdesjen e heshtur.
“Furka” nuk është thjesht një objekt: është një mënyrë për të kuptuar jetën.
Në këto momente, poeti i ri afrohet me poezinë e vërtetë, sepse largohet nga fjalët e mëdha dhe i afrohet imazhit.
Por po ky zë, në një tjetër poezi, kërkon të thotë më shumë sesa arrin të tregojë:
“si metafizik e ndjenjës mbi materie,
…nirvan mbi botë të tjera lëshuar…”
Këtu kërkon lartësi, kërkon filozofi, kërkon të kapë diçka më të madhe se vetja.
Por fjalët bëhen më të përgjithshme, më pak të prekshme.
Ajo që ndihet, nuk konkretizohet.Dhe kjo përpjekje ka një vlerë që nuk matet me teknikë.
Ka një gjë që shpesh harrohet kur flasim për poezi:
jo çdo varg duhet të jetë i madh për të qenë i domosdoshëm.
Sepse para se të jetë art, shkrimi është një mënyrë për të qëndruar gjallë në shpirt.
Krijuesit janë të pranishëm në jetën sociale, diskutojnë, debatojnë, prekin probleme, kërkojnë modele, flasin për njeriun, për të mirën, për atë që mungon.Ndoshta vargu i tyre nuk është gjithmonë i fortë.Por shqetësimi i tyre është real. Dhe këtu lind një pyetje që na ndjek të gjithëve:
A është më i vlefshëm ai që shkruan bukur, por hesht përballë jetës, problemeve sociale ?
Apo ai që nuk e ka ende mjeshtërinë, por ka guximin të flasë?
Ndoshta nuk kemi nevojë të zgjedhim , sepse çdo poet i mirë ka qenë dikur një zë i pasigurt.
Dhe çdo varg i fortë ka kaluar nëpër shumë vargje të dobëta.
Sepse në fund, poezia nuk lind si mjeshtëri.
Ajo lind si nevojë.
Çdo njeri që shkruan po përpiqet të vendosë një rend në brendinë e tij , të kuptojë dashurinë, mungesën, jetën,botën.
Dhe ndoshta kjo është forma më e thjeshtë dhe më e vërtetë e poezisë.
Një zë që kërkon veten.Mbi vëllimin” Vajzë “të Senaida Nikshiq
Ka libra që nuk vijnë si përmbyllje e një rruge, por si shenja e parë e saj. I tillë është vëllimi poetik “Vajzë” (Shtëpia Botuese Maluka, 2025) i Senaida Nikshiq , një libër që mbart më shumë sinqeritet sesa përpunim, më shumë ndjenjë sesa formë, por pikërisht për këtë arsye mbetet i ndershëm në natyrën e tij.
Që në hyrje, autorja e vendos librin në një kontekst thellësisht personal: një dedikim për prindërit, për sakrificat e tyre dhe për mbështetjen që i kanë dhënë, si dhe për bashkëshortin dhe familjen e saj. Kjo hyrje nuk është thjesht formale; ajo është çelësi i leximit të gjithë vëllimit. Poezia e saj lind nga përvoja e jetuar, nga marrëdhëniet më të afërta, nga një botë intime ku familja, dashuria dhe kujtesa janë qendra gravitacionale.
Edhe pse libri nuk është i ndarë formalisht në cikle, leximi i tij lejon një organizim të brendshëm tematik: poezitë për familjen (nënën, babanë, gjyshen, vëllanë, motrën), poezitë e dashurisë, si dhe ato që prekin tema më të gjera si Shqipëria, mërgimi, shpresa dhe vetja.
Në poezitë për familjen, si “Nana” apo vargjet kushtuar vëllait (“kur ishim të vegjël ziheshim… tani që u rritëm jemi më shumë shok”), vihet re një ndjenjë e pastër afeksioni dhe kujtese. Këto poezi nuk kërkojnë të ndërtojnë struktura të ndërlikuara; ato mbështeten mbi një emocionalitet të drejtpërdrejtë, shpesh të papërpunuar, por të sinqertë. Në këtë sinqeritet qëndron edhe forca e tyre fillestare, por njëkohësisht edhe kufizimi: ato mbeten më shumë rrëfim ndjenje sesa ndërtim poetik.
Në ciklin e dashurisë, autorja lëviz në të njëjtën trajektore: ndjenja është e pranishme, e gjallë, por shpesh e shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa kaluar përmes një filtri figurativ më të pasur. Megjithatë, këto poezi dëshmojnë një nevojë për të artikuluar përvojën personale dhe për ta kthyer atë në gjuhë.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm është ai i poezive për atdheun dhe mërgimin. Në tekstet ku i drejtohet Shqipërisë apo realitetit shoqëror, toni bëhet më i ashpër, më protestues, shpesh me jehonë të traditës patriotike. Këtu autorja tenton të kapë një përvojë kolektive, por shpesh mbetet në nivel deklarativ, duke e thënë drejtpërdrejt atë që ndjen.
Ndër këto poezi, “Valixhja” spikat si një nga më të arrirat. Figura e valixhes shndërrohet në një simbol të thjeshtë, por domethënës të largimit dhe të bartjes së kujtesës. Vargje si:
“Kur derën e mbylli me dry,
kryet ktheu pas, vendin puthi me sy”
krijojnë një imazh konkret, një skenë të prekshme që i jep jetë përvojës së mërgimit. Po kështu, përmendja e elementeve identitare si Rozafa, Buna apo Drini e rrënjos poezinë në një hapësirë të njohur dhe emocionale. Pikërisht në këto momente, kur autorja ndalet te një detaj apo një figurë konkrete, poezia e saj fiton densitet dhe qëndrueshmëri.
Një tjetër poezi me interes është ajo e dialogut me “unin”, ku autorja prek një temë të rëndësishme: përballjen me vetveten. Edhe pse e ndërtuar thjesht, ideja se “të flasësh me veten kërkon guxim” shfaq një intuitë refleksive që mund të zhvillohet më tej.
Në planin stilistik, vëllimi karakterizohet nga një gjuhë e drejtpërdrejtë, shpesh në gegërisht, që i jep një ngjyrim identitar dhe emocional poezive. Megjithatë, mbizotëron një ligjërim deklarativ, ku ndjenja shpesh nuk transformohet në figurë poetike, por mbetet e shprehur hapur. Përsëritjet dhe vargjet e thjeshta krijojnë një ritëm elementar, por jo gjithmonë arrijnë të ndërtojnë një muzikalitet të qëndrueshëm.
Dhe megjithatë, ky është një libër që nuk duhet lexuar për atë që mungon, por për atë që premton.
Sepse brenda tij ka disa elemente që vlejnë të inkurajohen: një sinqeritet i dukshëm, një përfshirje në tema të rëndësishme, një dëshirë për të shkruar dhe për të ndarë përvojën me lexuesin. Këto janë bazat mbi të cilat mund të ndërtohet një poetikë më e vetëdijshme.
“Vajzë” është një fillim. Një fillim i brishtë, por i vërtetë, i sinqertë. Dhe si çdo fillim i tillë, ai mbart brenda vetes jo vetëm reflektime , por edhe mundësinë dhe premton për t’u rritur.