Flamuri i dinjitetit … dhe shqiptarët pa flamur-Ervina Toptani

Dikur kam shkruar këtë pjesëz e sot krejt rastësisht e rilexova. U përlota sërish e po e ripostoj.

Flamuri i dinjitetit … dhe shqiptarët pa flamur

Flamuri mbart në vetvete idenë e një grupimi njerëzish që i bashkon i njëjti qëllim deri dhe i njëjti fat. Ai mund të simbolizojë një qytet, një shtet, një komb, një skuadër sporti apo dhe një parti politike. Ajo copë pëlhure, e ngjyrosur me ngjyra të ndryshme, është një simbol i rëndësishëm emocional i cili zgjon ndjenja të forta koezioni e përkatësie. Kështu e përkufizon Enciklopedia “La Treccani” kuptimin e fjalës Flamur.

Sa herë jam vetëm dhe mendimet më dërgojnë në të tjera hapësira, më kujtohen histori nga dhjetra miq, familjarë, të njohur që vuajtën absurdin pa bërë asnjë faj, më vjen ndër mend Flamuri ynë. Ai që valëvitet kudo ku e ngulin mbi një shtizë e duket aq i bukur e aq i flaktë sa është e pamundur të mos ndalesh kur e sheh, të vesh dorën në zemër e të thuash me zë të ulët ca fjalë, ca lutje, stërpikur me njomësinë e një loti të vetëm që del krejt heshturazi, pa e kuptuar.

Ai Flamur është trupi i çdo shqiptari të vrarë në mbrojtje të Atdheut, në të gjitha kohërat historike, por nuk mund të jetë Flamur i asnjë shqiptari që në përpjekje për të vrarë një shqiptar tjetër u shpall hero e dëshmor i të njëjtit Atdhe, prej atyre që Shqipërinë e gjunjëzuan. Ai Flamur është çdo grua që u burgos, u internua, pa foshnjat t´i vdesin në duar për një pikë ujë, gra që paguan me jetë të qenit jokomuniste. Ai flamur është çdo djalë, çdo burrë që kërkoi Shqipërinë etnike, që u shkollua e u diplomua në universitetet më të mira për t`i shërbyer më pas Shqipërisë, që dëshiroi ta shihte si nusen më të bukur ndër të gjitha të tjerat. Këtë dëshirë e paguan me tortura, me vrasje nga më makabret, me burgime të tmerrshme, me internime të gjata sa vetë jeta. Ai Flamur është çdo shqiptar që e ka në zemër si dëshmi të dinjitetit, emrit që i lanë të parët, dëshirës për ta bërë Atdheun krenar. Ai Flamur është trupi i pajetë i çdo shqiptari të vrarë në kufi ndër dekada nga shqiptarë të tjerë pa flamur, në kërkim të lirisë e të një cope bukë që nuk do të kishte shijen e lotëve. Ai Flamur është çdo shqiptar që i mori jetën lufta civile vëllavrasëse në fillimshekullin 21, si e njëjta luftë e vitit ’44 kur Flamurin e përdorën ata që vranë shqiptarë për dëshirë, si qëllim politik.

Ai Flamur është çdo shqiptar që dhe pse Atdheu nuk i mbajti dot me bukë, i përzuri, kur vetë Atdheu ra në dorë të qenieve pa dinjitet, vazhdon lufton çdo ditë edhe përtej detesh e kufinjsh tokësorë për ta lartësuar Atdheun, për ta bërë të ndjehet krenar që Ai frymon njësoj në zemrat e tyre. Ai Flamur është nderi e medalja e artë e çdo sportisti shqiptar, artisti, shkrimtari e shkencëtari që pavarësisht vështirësive e asgjësë që ka marrë në këmbim, nuk reshtin së puthuri e lëvduari atë Flamur. Ai Flamur është çdo foshnjë që rritet larg Atdheut e sa fillon të thotë fjalët e para ato tingëllojnë mjaltshëm në gjuhën më të bukur të botës, gjuhën shqipe, atë të babgjyshëve.

E kam parë të valëvitet në mure ambasadash jashtë Atdheut, Flamurin kuq e zi. E kam parë të dalë boje e të rraskapitur ndërkohë që në zyrat e ndërtesave kapardisen shqiptarë që nuk i dhemb Flamuri. E kam parë të valëvitet ndritshëm në muret e shtëpive ku jetojnë shqiptarë në vende të ndryshme të botës. E kam parë të bëhet medalion krenarie në supet e kraharorët e studentëve të shkëlqyer shqiptarë që studiojnë jashtë Atdheut, sikurse atyre që nuk e morën rrugën për t’u larguar nga Atdheu. E kam parë Flamurin të qante me lotët e një prindi në aeroport, një dorë që valëvitej si Flamur, kur zemra është coptuar përgjithmonë. E kam parë Flamurin të qajë me lot fëmijësh të uritur që lypin rrugëve të Atdheut, me lot të moshuarish që nuk i mbledhin dot qindarkat për të blerë helmet që u zgjasin jetën me pikatore në pritje të fëmijëve, që shqiptarët pa flamur i detyruan të degdisen larg, shumë larg. E kam parë Flamurin të qajë gjykatave kur vrasësit e hajdutët Flamurin e përdhosin, e shkelin, e shqyejnë ndërsa ata që e mbajnë si shall në gjoks e si dëshmi dinjiteti prej të parëve fshijnë lotët e varrosin shpresën e vdekur, me të njëjtin Flamur. E kam parë Flamurin të bëhet leckë për këpucët e atyre që dinjitetin e shqiptarëve e kanë bërë monedhë shkëmbimi me një resort turistik a një shesh ndërtimi për pallate, e kam parë…. sa shumë herë e kam parë Flamurin të vajtojë.

Ai ende sot vajton, për mijërat që prehen pa varr, groposur e thyer në mes me lopatë, futur dhjetë e nga njëzet në gropa e zgavra të baltosura pa nam e nishan. E kam parë Flaumrin të bërë copë e çikë në litarët ku varën poetë, inxhinierë, artistë, shkencëtarë, në plumba që u derdhën mbi gjokse të rinjsh atdhetarë për të vetmin faj se e donin Shqipërinë të lirë e të begatë.

Vajton Flamuri, vajton dhe Atdheu se të dy kanë mbetur peng i të paatdheve e i të paflamurëve që Shqipërinë e kanë bërë bankë private të kredive të tyre të pista, e prej pangopësisë së tyre makute, çdo ditë shtohen ikje masive e varre shqiptarësh të shpërndarë nëpër Atdhe.

Hiqeni nga zyrat tuaja hijerënda Flamurin e shqiptarëve, ju nuk meritoni të keni Flamur! Ju meritoni të mbylleni të gjithë brenda një ndërtese, muret e së cilës të jenë ndërtuar prej floriri e aty të mbeteni derisa të keni jetë, se përveç pasurisë ju nuk njihni as Dinjitet, as Flamur e as Atdhe!