Dhurata Ndoni-Cela

AJO …”E PADUKSHMJA”
Ajo,
u bë përrallë në qiellin e zogjve,
pulëbardhë.
U ul lehtazi në detin e qetë.
Mbi rërë çapiti,
dhe gjurmët ia fshiu një
dallgë.
Ajo,
fluturoi me lotin e detit në sy,
me retë u përplas.
U kthye në shi.
Në tokë ,zbriti prapë.
Ajo,
veshur në të bardha,
flokët – të endur në ëndërr
krahë e trup iu bënë shqiponjë,
fluturoi.
Ajo,
retë i bëri shteg,
erën,këngë në fluturim,
dritën ,e mbajti në zemër;
në gji,diellin pa perëndim.
Ajo,
u shndërrua në rrëfenjë.
Ajo…”E PADUKSHMJA”
u kthye në legjendë.